SPORT

Përlotet Mema: Për Tiranën, derbi i shpresës. Duhet mbijetesa, jo Kupa

13:08 - 28.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Futbolli është emocion, ndjesi dhe lidhje shpirtërore. Dhe, për të kuptuar këtë, mjafton të shohësh Sulejman Memën. Në një intervistë dhënë për “SuperSport”, legjenda bardheblu ka shfaqur vizualisht përjetimin që i jep fanella e 24 herë kampionëve. Ish-futbollisti dhe trajneri i këtij klubi ka shpërthyer në lot, kur moderatorja Vilma Masha e ka pyetur rreth rëndësisë që kanë tifozët në një ndeshje të tillë…

Si ishte përjetimi i derbit për ju kur ishit fëmijë?

Unë e kam jetuar sepse i kam pasur të dy xhaxhallarët e mi, në fillim njërin me Partizanin dhe tjetrin me Tiranën. Pastaj kanë qenë të dy me Tiranën, siç kam pasur edhe babanë tim. Ka qenë një entuziazëm i paparë, sidomos kur e fitonim. Ishte një ndeshje ndërmjet rivalësh, sepse në Tiranë atëherë kemi qenë pak.

Kanë qenë dy tifozëri, të cilat i qëndrojnë edhe sot, por jo në ato forma apo mënyra që ka qenë në ato kohë. Me të vërtetë, në shtëpinë tonë është përjetuar mirë, një banesë tiranase në një lagje të tillë, ku shumica ka qenë me Tiranën. Gjithmonë, kënaqësi ishte kur triumfonin bardheblutë.

Por, gjithmonë e kemi përjetuar me emocione, edhe pse nuk i kemi shprehur siç duhet. Mungesa e shprehisë maksimale të asaj fuqie potenciale të atyre emocioneve na kanë lënë për disa vite pak inferiorë kundrejt Partizanit. Nëse unë do të luaja në atë periudhë me këtë mendje që kam tani, them që do të kisha dhënë kontribut akoma më mirë.

Po përjetimi në momentin që u bëtë trajner?

Është e vështirë. Është aq e vështirë saqë emocionet që duhet t’u transmetonim futbollistëve nuk kanë qenë ashtu siç duhet. Kjo, për shkak se emocionet kanë bërë punën e vet. Gjithmonë kemi tentuar për ta fituar derbin, edhe pse në shumë raste kemi humbur, ashtu siç edhe kemi fituar. Gjithmonë kemi qenë të qetë përpara një ndeshjeje të tillë, na ka dalë loja mirë dhe kemi pasur edhe mbështetjen e tifozërie që në atë kohë ne e ndjenim që ishte kundër edhe një pushteti jo të rregullt në raport me Tiranën. Me këtë mentalitet kemi hyrë në atë derbi. Kemi pasur gjithmonë mbështetje, edhe atëherë kur ndoshta kemi gabuar.

Çfarë është një derbi? Çfarë presim?

Unë do të prisja diçka më shumë, por e shikoj që Tirana është shumë e zbehtë. Ka edhe një mangësi shumë të madhe që nuk i ka tifozët. Është domosdoshmëri që Tirana t’i kthejë tifozët pranë vetes. Por, rezultatet e dobëta dhe konfrontimet me presidencën kanë bërë që të largohen. Unë do ta dëshiroja shumë, sepse është derbi i shpresës për Tiranën.

Cili është roli i tifozërisë në një derbi?

Është shumë i madh. Ju jeni të rinj dhe ndoshta nuk e kuptoni… (nis të lotojë… dhe vijon intervistën pas disa momentesh). Shpresoj që të jenë të pranishëm. Ndoshta, deri në momentin e ndeshjes, do të reagojnë dhe do të gjendet mirëkuptimi që ata të jenë pranë, sepse ata do të kontribuonin shumë. Njerëzit, tifozët i duhen Tiranës në momentin më të vështirë të saj, pra i duhen këtë herë.

A do t’i arrijë Tirana objektivat për Kupën e Shqipërisë dhe a do t’ia dalë Partizani për titullin kampion?

Mua nuk më intereson kupa te Tirana, por qëndrimi në Kategorinë Superiore. Kjo është më e rëndësishmja, pasi kupa do të jetë shpërblim. Partizani ka skuadër shumë të mirë me elementë shumë të mirë. Mund t’i arrijë objektivat sepse shikoj te veprimet sulmuese, Starova luan mirë në mbrojtje dhe kundërsulmon me ata lojtarë që i ka me parametra të mirë. Kundërsulmon rrezikshëm, plus euforinë që ka brenda skuadrës, si dhe eksperienca e Starovës në kampionatin shqiptar them që do ta bëjnë që të dalë kampionë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.