AKTUALITET

Zbulohet dënimi për armë pa leje, Llalla: T’i hiqet mandati deputetit Vladimir Kosta

16:32 - 28.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Prokuroria bën me dije se ka kërkuar heqjen e mandatit për deputetit të PS, Vladimir Kosta.

Mësohet se kërkesa për heqjen e mandatit nga organi i akuzës është dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe shkak është bërë mosdeklarimi nga ana e vetë deputetit të një dënimi për armë pa leje. Për këtë arsye prokuroria i ka kërkuar KQZ-së heqjen e mandatit si deputet Vladimir Kostës.

Ndërkohë, prokuroria ka vendosur t’i kërkojë sot informacion EUROPOL-it për 4 deputetë: Aqif Rakipi, Omer Mamo, Mhill Fufi dhe Artan Gaçi.

Pak kohë më parë, 3 deputetë kanë regjistruar shenjat e gishtave në polici, pas kërkesës së Prokurorisë në kuadër të ligjit për dekriminalizimin. Tre deputetët në fjalë janë Artan Gaçi, Omer Mamo dhe Mhill Fufi, të cilët janë paraqitur pranë Institutit të Policisë Shkencore për të lënë shenjat e gishtërinjve dhe profilet e tyre fotografike.

Ky i fundit ka deklaruar se shenjat e gishtave i ka dhënë që një ditë më parë dhe nuk ka asnjë rekord kriminal, prandaj është i hapur për hetime.

“Po. Vajta dhe i dhashë shenjat e gishtërinjve të martën në orën 19:00. Jam mes deputetëve që e kanë votuar ligjin e Dekriminalizimit dhe po e zbatoj atë. Dua të garantoj se nuk kam asnjë rekord kriminal as në Shqipëri, e as në ndonjë vend të huaj. Jam i hapur për hetime”, tha Fufi.

Ndërkohë kërkesës së Prokurorisë iu përgjigj edhe deputeti socialist Gaçi, i cili deklaron se pret një përgjigje nga Prokuroria.

“Iu përgjigja i pari dhe brenda një ore kërkesës së Prokurorisë. Pres përgjigje urgjente. Hajdutët dhe kriminelët nuk më njollosin dot”, tha Gaçi, duke shtuar se “pasi të flasë Prokuroria do të shprehem unë”.

Një tjetër deputet që pritet të dorëzojë shenjat e gishtave është edhe Aqif Rakipi i PDIU-së, i cili deklaron se: “Shenjat e gishtërinjve i kanë. Megjithatë, unë do të paraqitem sipas kërkesës së Prokurorisë. Për gjithçka tjetër mund të them që është show mediatik”.

Mësohet se shenjat e gishtërinjve dhe fotografitë e deputetëve do t’i agjencive europiane të zbatimit të ligjit, për krahasim. Kjo sepse këta deputetë dyshohen të kenë kryer vepra penale në shtete të tjera.

Kujtojmë se Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për 40 zyrtarë të niveleve të ndryshme të administratës, pasi dyshohet se kanë modifikuar të dhënat e dorëzuara në formularin e vetëdeklarimit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.