EKONOMI

Procedura e plotë/ ISSH: Sigurimi vullnetar do të rritet, përfitoni tani

09:56 - 29.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ola MITRE

 

 

Instituti i Sigurimeve Shoqërore i bën apel qytetarëve të paguajnë sigurimin vullnetar, me qëllim përfitimin e një pensioni, pasi kuota pritet të rritet në ditët në vijim. Shkak për rritjen e masës së kontributeve është rritja e pagës minimale për efekt të llogaritjes së sigurimeve shoqërore nga 22 mijë lekë, në 24 000 lekë, çka do të reflektohet edhe në sigurime. “Qytetarë emigrantë, mos humbisni kohë! Paguani sigurim vullnetar për vitet që ju mungojnë, për të përfituar pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar. Nxitoni të përfitoni nga kjo mundësi, sepse në ditët në vijim kuota e pagesës do të rritet”,-thuhet në njoftimin e ISSH-së.

Përfituesit

Procedurat për sigurimin vullnetar mund të kryhen pranë Agjencive Lokale të Sigurimeve Shoqërore, në çdo qytet. Të drejtën për të përfituar nga kjo skemë e kanë jo vetëm emigrantët, po të gjithë shtetasit shqiptarë, që nuk plotësojnë vitet e punës. Më konkretisht në këtë skemë përfshihen të gjithë shtetasit shqiptarë që kanë mbushur moshën 18 vjeç dhe akoma nuk iu ka lindur e drejta për ndonjë përfitim nga skema e sigurimit të detyruar; që për një kohë dhe shkaqe të caktuara nuk mund të sigurohen nga skema e sigurimit të detyrueshëm apo ata që janë të siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm dhe kërkojnë që nëpërmjet sigurimit vullnetar të rrisin të ardhurat e tyre. Gjithashtu, të drejtën e kanë edhe ata persona që nuk janë pjesëmarrës në skemën e të vetëpunësuarve në bujqësi, ndërkohë që kur personi i interesuar ka lënë shtetësinë shqiptare, mund të bëjë sigurim vullnetar vetëm për periudhën nga 01.01.1994 deri në datën që ka lënë shtetësinë shqiptare.

Kontributet

Masa e kontributit, që duhet të paguhet për sigurimin vullnetar nga personi i interesuar, është e barabartë me masën që paguhet për degën e pensioneve, sipas pagës minimale të miratuar në periudhën kur bëhet pagesa. Kuota mujore e sigurimit vullnetar për vitin 2017, është 4 752 lekë, që i korrespondon pagës minimale mujore (22 000 lekë x 21.6%). Ndërkaq, për pagesat paradhënie aplikohen zbritje në varësi të kohës kur kryhet pagesa. Kështu, nëse do të parapaguani për vitin në vijim në fillim të periudhave, do të ketë zbritje: 6% mbi shumën për një pagesë vjetore (me kusht që pagesat të realizohen brenda muajit janar); 3% mbi shumën për një pagesë 6-mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 6-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar) dhe 1.5% mbi shumën për një pagesë 3 mujore (me kusht që pagesat të realizohen përpara fillimit të periudhës 3-mujore, që do të mbulohet me sigurim vullnetar). Pagesat e vitit korent mund të bëhen edhe me shumëfishin e kuotës minimale mujore, 4 752 lekë, deri në kufi të pagës maksimale. Ndërkaq, pas rritjes së pagës minimale për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore kuota mujore e sigurimit vullnetar pritet të shkojë 5 184 lekë ose 432 lekë më tepër se aktualisht. Ndërkaq, në tabelën bashkëngjitur shkrimit “Gazeta Shqiptare” publikon të plotë procedurën që duhet të ndiqni për të paguar sigurimin vullnetar si dhe përfitimet që lindin nga kjo skemë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.