OPINION

PS-PD, pse kaq fyerje dhe egërsi?

07:30 - 29.04.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Sulejman MATO

 

(Vazhdimi i luftës së klasave në kapitalizëm)

Pse kaq fyerje dhe kaq egërsi? Ky nuk është shqetësimi im. Ky është një shqetësim i gjithë shoqërisë sonë në këto vite demokracie. Ky është dhe shqetësimi i miqve tanë të huaj që nuk e njohin mentalitetin dhe temperamentin shqiptar, Kush mund të na e shpjegojë? Cili analist mund ta analizojë këtë fenomen shqiptar, në plan shoqëror dhe psikologjik? A mund ta quajmë ”Vazhdim i luftës së klasave në kapitalizëm.” Me sa duket kemi importuar luftën e klasave dhe po e zbatojmë atë në kushte të reja të një shoqërie të re. Lufta e klasave ka qenë forma më djallëzore, më denigruese dhe më e sofistikuar që krijoi dhe aplikoi sistemi socialist. Qysh në ditët e para të çlirimit, Partia Komuniste, e porsa dalë nga lufta, modeloi parullën marksiste: “Diktatura e proletariatit”. Kjo diktaturë e re, e ashtuquajtur e proletariatit, pa proletariat, u aplikua në një vend gjysmë feudal e të varfër si ky yni, duke e konsideruar kundërshtarin “armik”, “kolaboracionist” dhe “klasë e përmbysur” .

Përmbysja e klasës së pasur, dhe krijimi i një klase të re, e ardhur në pushtet me grykën e pushkës, ishte një ngjarje jo vetëm epokale, por edhe një eksperiment i madh, shpresëdhënës. Në praktikë, së paku në gjysmën e ekzistencës së sistemit socialist, koha tregoi se ky sistem ekonomik nuk do të ishte afatgjatë. Arsyeja e varfërimit gradual dhe e rrëzimit të tij, politikisht ishte “Lufta e ashpër klasore”, ekonomikisht ishte mohimi i ligjit natyral të konkurrencës së lirë.

Qysh në ditët e para të çlirimit në vend, klasa fitimtare, klasën e përmbysur e konsideroi armike të pushtetit të ri. Duhet pranuar se, pasuria e tyre e shtetëzuar ishte një pasuri kombëtare e vënë me mund dhe djersë. Konfiskimi i pasurive dhe burgjet ishin një zbatim në praktikë i modelit sovjetik, në një vend të varfër si Shqipëria. Mund të shtetëzohej një pjesë e pasurisë, por nuk kishte arsye të persekutoheshin, të fyheshin, të përbuzeshin e të poshtëroheshin, ish- tregtarët, në fillimet e veta të ndërtimit të kapitaleve, përfaqësues të një kapitalizmi të ri, në rritje.

Pronarët u futën nëpër burgje, pronat e tyre u konfiskuan, vetë ata u quajtën kulakë dhe borgjezë. Për dyzet e pesë vjet nuk e morën dot veten. Pati prej tyre që u pushkatuan, u internuan dhe iu nënshtruan torturave më çnjerëzore, për më tepër, po të mendosh se një pjesë e mirë e tyre ishin të shkolluar jashtë vendit dhe ishin patriotë të vërtetë. Disa prej atyre të ashtuquajtur kulakë dhe borgjezë, i kam njohur dhe i kam vërejtur me kujdes. Kam qenë i ndjeshëm ndaj fateve të tyre, dhe të fëmijëve të tyre.

Kam jetuar midis tyre, i kam dashur, jam kujdesur për ta dhe kam shpresuar se do të vinte dita kur kjo shtypje dhe ky diskriminim do të merrte fund. Do të vine doemos dita e shumëpritur që ta kuptonim të gjithë, se ai lloj socializmi që deshëm të ndërtonim pati një përfundim të hidhur. Cilat ishin shkaqet? Mund të flasim pa fund për shkaqet, por arsyet ishin dy: mungesa e ligjit natyral të konkurrencës dhe lufta e klasave. Kjo luftë klasash e formës së ftohtë, vazhdon dhe sot, pas 27 vjetëve, në forma të kamufluara.

Qysh herët e kemi kuptuar se “Pushteti popullor” nuk u bë kurrë pushteti i vërtetë i popullit . Për këto gjëra kemi biseduar në intimitet, midis shkrimtarësh  Ditët e fundit të vitit 1990 ishin ditët e fundit të këtij pushteti dhe ditët e fundit të persekutimit të pronarëve legjitimë. Të gjithë ne, të majtë dhe të djathtë, i pritëm me brohori këto ndryshime, madje dhe morëm pjesë në këto ndryshime. Fillimi i një jete të re i ngjan fillimit të një tregimi, kur të torturon gjetja e fjalisë së parë. Fillimi i proceseve demokratike nisi mbrapsht. Nuk u kërkua falja e madhe dhe nuk u bë pajtimi i madh, Prona nuk shkoi tek i zoti. Ligji famëkeq 7501 i quajti pronarët “Ish- pronarë” dhe zaptuesit e trojeve i pajisi me certifikata pronësie. Ka shumë gjëra për të thënë e për të treguar, se si u kuptua ky ndryshim. Kush i privatizoi ndërmarrjet e Tiranës? Kush i privatizoi uzinat dhe fabrikat e Tiranës? Kush i privatizoi pronat e të tregtisë ushqimore dhe industriale? Sa u shit metri katror i tokës truall në qendër të Tiranës (8 dollarë metri katrorë) dhe çfarë katrahure u bë me pronat e ashtuquajtura shtetërore? Unë jam një dëshmitar okular i atyre ditëve tranzicioni, pasi kam qenë anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Bijtë dhe bijat e klasave të përmbysura, vinin vërdallë para dyerve të bashkisë dhe Partisë Demokratike, me shpresë se mos kjo parti do t’i mbronte interesat e tyre, ndërkohë që disa ish- socialistë, të mësuar me pushtet, disa “ish- specialist” u konvertuan në kapitalistë të rinj. Fëmijët e të përmbysurve iu ngjitën nofkën, “kokë palarët”. Ishin ata, “kokë palarët” që në ato ditë  me tapi në duar, duke kërkuar njohjen e pronave të tyre të shtetëzuara.

Fëmijët e klasave të përmbysura, pas nëntëdhjetës, edhe pse u rreshtuan te elektorati i djathtë, mbetën sërish të varfër dhe të persekutuar. Në mitingje, edhe pse mbanin në duar pankarta të djathta, ekonomikisht mbetën ekstremisht të majtë. Ndërkohë që të majtët, me pankarta të majta në duar, po konvertoheshin në të djathtë realë, me pronat e pasurisë socialiste.

Ish anëtarët e partisë dhe ish sigurimsat pushtuan të djathtën. Ka fakte. Ka emra që qysh në fillim ia prishën të djathtës imazhin. U përzje gruri me egjrën. U përzje orizi me melin. U përzje rrjedha e burimit të pastër me llumin e shirave dimërorë. U përzje e kuqja me blunë dhe e bardha me të zezën. Ndodhi ajo që nuk duhet të ndodhte. Ndërkohë që inatet dhe mëritë e kundërshtarëve nuk u shterën. Reshtën pak kohë (2002-2007) për të humbur vigjilencën dhe kujtesën historike.

Ajo çka u ndërtua me aq mund dhe përkushtim në dyzet e ca vite nuk mund të shkrihej si brymë qysh në vitet e para të tranzicionit. Shprehja “jemi të gjithë bashkëfajtorë” i shkonte vetëm Çekisë dhe Vasllav Havelit. Kërkesa për hapje dosjesh i shkonte vetëm një shteti të konsoliduar demokratik, si Gjermania. Shqipërisë i shkonte për shtat shprehja “Never forget” Shqiptari, në vet mentalitetin e vet fal, por nuk harron. Të mos harrosh do të thotë të mos falësh, por të presësh hakmarrjen me drejtësi. Kur mbarojnë rregullat e lojës skuadrat kundërshtare kthehen në origjinë. Unë edhe pse isha pjesë e palës fitimtare, ndjeja keqardhje për ata që, gjatë 45 vjetëve ishin keqtrajtuar politikisht dhe ekonomikisht dhe ishin burgosur dhe syrgjynosur nëpër kampe përqendrimi. Viti 1990 bijtë e tyre i gjeti të varfër dhe të pashkolluar, të, të papërgatitur për fitoren. Aq të papërgatitur ishin ata, saqë arriti t’i përfaqësonin në grupin e PD-së disa ish anëtarë të PP-së dhe bijtë e tyre.

Me përjashtim të Pjetër Arbënorit, nuk mbaj mend të jenë ngritur në postet qeveritare nga kjo shtresë.  Në dyert e PD-së mbaj mend se si hynin e dilnin komunistë dhe të burgosur politikë, të internuar dhe ish- persekutorë. Kështu nisi kjo histori luftë-klasash, me shpresën se dikush do të falte dhe dikush do të ulte kokën. Nuk ndodhi as njëra as tjetra. Ndodhi të krijohej një strategji e re luftë klasash. Në sytë e të dy palëve kam vënë re se si përgatitej një ndeshje në formën e një lufte të ftohtë. Të kuqtë dhe blutë fillimisht dukeshin si dy konvencione partiake, që ecnin  nën flamujt e konvertimit. Më të aftë dhe më të sigurt dukeshin të majtët. Ata ishin dhe të shkolluarit, por edhe më të egrit, më dinakët dhe më përçmuesit. Ata, të mësuarit me privilegje, e njihnim mirë forcën dhe dobitë e pushtetit ekonomik. Kishte ndër ta që nuk e kishin flakur ende teserën e kuqe të partisë mëmë.

Populli ynë beson lehtë. Besoi dje në një ideal .Besoi te një shoqëri e re, pa pronarë e pronë. Besoi në një shoqëri ku do të sundonte ligji dhe barazia. Ajo shoqëri u realizua vërtet, por nuk rezistoi gjatë.  Qysh në ditët e para të ndryshimeve u ndje kjo luftë e ftohtë klasash. Për të gjithë ish-sigurimsat, ish- drejtorët, ish-anëtarët e Partisë së Punës, ish- të privilegjuarit e sistemit, ishte koha për të kërkuar një falje. Falja nuk u bë. Pati një çast amullie, kur u duk se do të harrohej e kaluara, por ajo nuk ndodhi. Ishte mundësia për një reflektim mbarë popullor, por ai nuk ndodhi. Populli ynë beson lehtë, por inati nuk i ikën shpejt. Kjo gjë vihet re dhe në tifozërinë sportive. Mëritë e akumuluara në vite bënë që në votimet e para kundërshtarët të inkuadroheshin te dy partitë e mëdha PS – PD. Ky do të ishte sinjali i parë i asaj që palët jo vetëm nuk do të pajtoheshin, por, lufta e ftohtë klasore do të vazhdonte dhe në një shoqëri pluraliste. Kjo gjë nuk ka ndodhur me shtetet e tjera. Përjashto ata, të cilët ruajnë në kujtesën e tyre diskriminime dhe padrejtësi, masa e gjerë popullore nuk ka pse të vazhdojë të jetë kaq e ekstremizuar në luftën partiake, pasi, të dy partitë e mëdha, PS-PD, janë pjellë e një populli të shumëvuajtur. Nuk ka ndryshime esenciale. ”Për ne Shqipëria është kuq e zi.”-thotë Edi Rama në mitingun e Kavajës. Kjo duhet të ndodhte. Bëhet fjalë për një tifozllëk të prirur nga një mentalitet i trashëguar. Njeri thotë: “Kam pasur babanë socialist dhe do të ndjek rrugën e tij”. Tjetri thotë:” Kam pasur një xhajë me ballin ndaj do të votoj PD-në.” Ajo çka më shqetëson mua është ky mentalitet partiak, brenda dhe jashtë qenies së çdo njeriu prej nesh, është kjo ndarje kuq e blu dhe bardhë e zi, që vazhdon të mbysë atmosferën e shoqërisë sonë. Unë e kuptoj fort mirë luftën partiake, luftën për pushtet dhe përfitimet e gjithsecilit nga kjo luftë për pushtet, por nuk kuptoj se çfarë fiton dhe çfarë humb populli nga ky tifozllëk partiak kaq i ashpër.

Populli ndjehet i përçarë. Ai ka humbur sensin e kritikës ndaj partive që ka votuar. Qytetarët duhet të ngrihen në këmbë kur shohin se si u rritet çmimi i energjisë elektrike dhe i disa produkteve të tjera ushqimore ose kur vëren se nuk pritet si sovran në zyrat e pushtetit. Armiku i kuqe bluve është shteti i korruptuar. Miku i qytetarëve është shteti që punëson rininë, që ul çmimet e ilaçeve dhe rrit rrogat e pensionet.

Të dashur vëllezër Kuq e blu! Krijimi i një shoqërie të re, socialiste në vendin tonë ka qenë dhe mbetet një ngjarje e madhe, epokale. Kemi kaluar vite entuziaste, ku rinia shkonte në punë vullnetare me lopata dhe kazma në krah duke kënduar: “Hajde, këndojmë, botën të ndryshojmë, se ndërtojmë Shqipërinë e re”. ”Ka pasur vite ku fshatarësia fali pronën e vet blegtorale dhe bujqësore, me bindje dhe vetëdije se e ardhmja, do të ishte më e mirë. U hapën shkolla të mesme e të larta, akademi e institute studimi. Klasa punëtore ngriti uzina, kombinate dhe hidrocentral. Ne, brezi i vjetër i kujtojmë me nostalgji ato vite, por, ama, nuk mund të harrojmë as radhët e qumështit, të mishit, vajgurit, nuk mund të harrojmë varfërinë e madhe dhe talonet. Kështu, ne jemi ndarë njëherë e përgjithmonë nga kjo e kaluar.

U largua sistemi që shpiku luftën e klasave nga ne, por nuk u larguam ne nga sistemi që shpiku luftën e klasave. Kujtesa nuk vdes kurrë. ”Falim, por nuk harrojmë”, ishte motoja e ditëve të para të ndryshimeve demokratike. Ka ende shumë egërsi.

A do të ndodhë një ditë pajtimi kombëtar kuq e blu? Koha do ta zbehë kujtesën. Unë mendoj se i takon partiakëve socialistë të shtrijnë dorën e pajtimit. Ju takon atyre që të jenë më pak agresivë dhe më tepër reflektivë, pasi dhe arsye ka. Arsyet qëndrojnë të mbyllura në dosjet e sigurimit dhe në dosjet e atyre mbledhjeve të organizatave të partive në qendrat e punës. Arsyet janë regjistruar në memorien e shumë personave të fyer dhe të persekutuar nën etiketën “lufta e klasave”. Në një komb të varfër, të vuajtur dhe të persekutuar si ky yni, ka shumë arsye për zgjatje duarsh dhe nuk ka asnjë arsye për mëri të kota partiake.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.