OPINION

Bashkimi Shqipëri-Kosovë nuk prish kufijtë e rajonit

18:00 - 01.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Shaban MURATI

 

Djajtë antishqiptarë janë ringjallur në Ballkan dhe një ofensivë e paparë diplomatike dhe propagandistike ruso-serbe po fryn një histeri rajonale kundër Shqipërisë, kundër Kosovës dhe kundër kombit shqiptar. Rusia mendon se me këtë ofensivë do të dobësojë lidhjet perëndimore në rajon dhe do të forcojë ndikimin e saj të mënjanuar nga integrimi euroatlantik. Serbia mendon se me këtë ofensivë do të eliminojë faktorin shqiptar në Ballkan dhe do të fitojë rolin e shtetit drejtues të rajonit. Në të katërta anët e Ballkanit po dalin kryeministra dhe ministra të Jashtëm, (edhe nga shtete me të cilat Shqipëria ka nënshkruar Traktate Miqësie), të cilët befas kanë zbuluar se rreziku shqiptar qenka më i madh se rreziku rus në Ballkan.

Teza kryesore e përpunuar dhe e fokusuar e diplomacisë dhe e propagandës ruso-serbe është ajo që Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët po përpiqen të ndryshojnë kufijtë në rajon dhe me këtë strategji po rrezikojnë shpërthimin e një konflikti rajonal. Ministria e Jashtme e Rusisë, e cila i ka shndërruar komunikatat antishqiptare në një sport të përditshëm, në deklaratën e saj të datës 21 prill dilte me apelin ndërkombëtar që: “Komuniteti ndërkombëtar duhet të bashkohet t’i tregojë Tiranës dhe politikanëve shqiptarë në shtetet e tjera ballkanike se është e papranueshme të avancosh rivendikime territoriale dhe të diskutosh revizionimin e kufijve në rajon”.

Është një tezë e pabazë dhe një deformim i asaj, që shqiptarët si komb aspirojnë dhe kërkojnë brenda vetes së tyre lidhur me të ardhmen e tyre. Kombi shqiptar ka kërkuar dhe kërkon të drejtën e patjetërsueshme për bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës, gjë që nuk ka të bëjë dhe nuk është aspak e ashtuquajtura “Shqipëri e Madhe”, e cila në fakt është gjë krejt tjetër dhe nuk është as projekt shqiptar.

Bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës nuk është “bashkimi i gjithë shqiptarëve në një shtet”, një kontruksion propagandistik i Beogradit, i cili devizën e njohur millosheviçiane “gjithë serbët në një shtet”, po kërkon ta shesë në Bruksel si produkt shqiptar. Asnjë qeveri e Shqipërisë apo e Kosovës dhe asnjë parti politike shqiptare në Tiranë, në Prishtinë e në Tetovë nuk kanë dalë kurrë me këtë parullë tipike serbe, që përbën boshtin e programit dhe të platformës së nacionalizmit serbomadh.

Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të pavarura, të cilat kanë të drejtat e plota, që rrjedhin nga ligjet dhe kartat ndërkombëtare për subjektet e pavarura të së drejtës ndërkombëtare, që të zgjedhin apo të krijojnë aleanca e bashkime dypalëshe me njëri-tjetrin. Bashkimi midis Shqipërisë dhe Kosovës, si dy shtete shqiptare, nuk është aspak prishje e kufijve në rajon.

Së pari, bashkimi midis Shqipërisë dhe Kosovës nuk është prishje dhe as revizionim i kufijve të rajonit. Një bashkim i Shqipërisë me Kosovën nuk prish asnjërin prej kufijve ekzistues të Shqipërisë dhe të Kosovës me shtetet e tyre fqinje. Nuk prishet kufiri as me Serbinë, as me Maqedoninë, as me Malin e Zi dhe as me Greqinë. Kufiri midis Shqipërisë dhe Kosovës është kufi i brendshëm midis dy shteteve shqiptare dhe nuk është kufi rajonal. Kjo do të thotë që në fund të fundit është një çështje e brendshme e dy shteteve shqiptare dhe e drejtë e tyre se si do ta konsiderojnë këtë kufi, i cili me marrëveshje midis tyre, nga kufi shtetëror mund të kthehet lehtë në kufi administrativ, pa pasur asnjë lidhje dhe asnjë pasojë në statusin e kufijve të shteteve të tjera ballkanike dhe as të rajonit.

Së dyti, bashkimi i Shqipërisë me Kosovën nuk përbën ndonjë novacion të veçantë dhe as të pandodhur në sistemin ndërkombëtar të shteteve, sepse kemi një praktikë të njohur ndërkombëtare, të vjetër dhe të re, që sanksionon të drejtën e shteteve të pavarura si për bashkim apo për ndarje. Marrëdhëniet ndërkombëtare të pas Luftës së Dytë Botërore njohin edhe praktikën e bashkimit të shteteve, edhe praktikën e ndarjes së shteteve. Shembulli më klasik i së drejtës së bashkimit të dy shteteve është bashkimi i Gjermanisë Perëndimore me Gjermaninë Lindore në vitin 1990. Ishin dy shtete gjermane të ndara, që i përkisnin të njëjtit komb gjerman. Njësoj si Shqipëria dhe Kosova. Askush nuk e atakoi të drejtën e kombit gjerman për bashkim dhe askush nuk foli se po prisheshin kufijtë e rajonit apo të Europës. Edhe Rusia ishte dakord me bashkimin e dy Gjermanive. Ai bashkim nuk preku aspak kufijtë me shtetet e tjera, por ishte thjesht një ndryshim statusi i kufijve midis dy shteteve gjermane. Po kështu, kemi edhe shembuj të ndarjes së shteteve, siç është rasti i Çekosllovakisë në vitin 1993, e cila u nda në dy shtete të pavarura, pa prekur kufijtë me shtetet e tjera. Askush nuk e quajti ndarjen e Çekosllovakisë dhe krijimin e dy shteteve të pavarura si prishje apo revizionim i kufijve rajonale. As Rusia nuk e kundërshtoi ndarjen e Çekosllovakisë.

Shqipëria dhe Kosova kanë të drejtën që të ndjekin praktikën e bashkimit të dy Gjermanive dhe ngjashmëria është e plotë, si historike dhe juridike, ashtu edhe kombëtare. Shqipëria e sotme është në fakt Shqipëria Perëndimore dhe Kosova e sotme është Shqipëria Lindore, të cilat në mënyrë të natyrshme kanë plotësisht të drejtën dhe bazën juridike e kombëtare të një bashkimi.

Së treti, një bashkim i Shqipërisë me Kosovën është bashkim i natyrshëm i dy pjesëve të trashëguara të një shteti dhe kombi të përbashkët. Kjo Shqipëri e përbashkët ka qenë në kohën e Rilindjes Kombëtare, kur Naimi i Madh e klasifikonte në shekullin 19-të: “Ti Shqipëri më jep nder”. Ka qenë në kohën e shtetit të Skënderbeut, etj. Pushtimi i Kosovës nga Serbia në luftërat ballkanike të fillimit të shekullit të kaluar dhe dhënia nga fuqitë e mëdha e pjesëve të territorit shqiptar shteteve fqinj si Serbia, Greqia dhe Mali i Zi, nuk mënjanojnë të drejtën e dy shteteve shqiptare për një bashkim midis tyre.

Së katërti, nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës si dy shtete shqiptare dhe të të njëjtit komb është pjesë e së drejtës së popujve për vetëvendosje. Nëse një komb është i ndarë në dy shtete, si populli shqiptar në Shqipëri dhe populli shqiptar në Kosovë, i lind e drejta e vetëvendosjes për ecurinë e statusit të tyre shtetëror. Pra, lind e drejta e vetëvendosjes, që e përmban edhe Karta e Kombeve të Bashkuara dhe ata kanë të drejtën të vetëvendosin që të bashkohen me vullnet të lirë dhe kombëtar.

Në ndryshim me insinuatat e diplomacisë dhe të propagandës ruso-serbe, bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës respekton kufijtë e shteteve të tjera dhe sovranitetin e shteteve të tjera në rajon. As Shqipëria dhe as Kosova nuk kanë pretenduar revizionime historike dhe as rivendikime territoriale ndaj shteteve të tjera, as ndaj Serbisë, as ndaj Maqedonisë, as ndaj Malit të Zi dhe as ndaj Greqisë. Ata shqiptarë, të cilët fati historik iu caktoi predestinimin që të jetojnë si pakica në Serbi dhe në Mal të Zi, nuk mund të pretendojnë të drejtat, që kanë Shqipëria dhe Kosova për bashkim. Disa idiotë të dobishëm të Serbisë në radhët e shqiptarëve, që dalin jo rastësisht në këtë kohë me patriotizmin e tyre të dyshimtë dhe me pretendimet idiote për të përfshirë në bashkimin e Shqipërisë dhe Kosovës edhe territoret që ndodhen në kufijtë e Serbisë apo të Malit të Zi, me dashje apo pa dashje janë në sintoni me strategjinë serbo-ruse. Bashkimi i Shqipërisë dhe Kosovës nuk ka të bëjë me territoret e asnjë shteti tjetër, që është në kufi me Shqipërinë dhe me Kosovën. Kam dëshirë të përsëris një paralajmërim, që e kam bërë shpeshherë në analizat dhe në librat e mi: “Ruhuni nga superpatriotët, që kërkojnë tokat ilire”.

Në arenën ndërkombëtare, shteti kundërshtar më i madh i bashkimit midis Shqipërisë dhe Kosovës është Rusia, pra shteti i cili për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore ndërmori një agresion ushtarak për të ndryshuar me dhunë kufijtë e një shteti sovran si Ukraina. Është shteti, i cili në vitin 2014 aneksoi me dhunë gadishullin ukrainas të Krimesë dhe e bashkoi forcërisht me Rusinë. Është shteti, i cili në vitin 2008 me agresion ushtarak kundër Gjeorgjisë ndryshoi kufijtë dhe aneksoi territoret gjeorgjiane të Abhazisë dhe të Osetisë së Jugut.

Djajtë antishqiptarë të kohës së luftërave ballkanike janë rizgjuar dhe ky është një zhvillim, që duhet ndjekur me vëmendje nga shteti i Shqipërisë dhe nga shteti i Kosovës. Atëherë na ndanë, kurse tani nuk duan të na lenë që të bashkohemi.

Rusia dhe Serbia me ofensivën e tyre të tanishme diplomatike dhe propagandistike po përpiqen të trembin edhe Shqipërinë, edhe Kosovën, që të mos ecin në rrugën e ligjshmërisë historike të bashkimit. Por historia do ta bëjë të vetën dhe Shqipëria e Kosova do të bashkohen një ditë, njësoj si Gjermania.


Shfaq Komentet (4)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. … “Atëherë na ndanë, kurse tani nuk duan të na lenë që të bashkohemi”… Vetem nje intelektual i permasave te profesor Shabanit, mund te flase jashte dhembeve dhe me argumente kaq te qenesishme e te fuqishme njeherazi. Pastaj, nga kush te presim nje gje te tille? Nga nepunesit infantile te ketij shteti?!?

    Përgjigju ↓
    1. Ata nuk na ndane Pano Hallko por, na u ndame vete.Ata vetem sa e verejten se gjithe shqiptaret duan te jene binbasha, se ne shqiptaret duam ta sundojme njeri tjetrin pasi te tjeret s kemi as guximin dhe as aftesi ti sundojme, ata verejten dhe bene studime volluminoze per lakmite e shqiptareve te cilet, dikur ishin kerkushi por , nese e ulin koken dhe armiqeve u falin teritore , mund te shperblehen dhe mund te behen dikushi…psh.nga historia me e re .ata e verejten se si Enveri , per tu bere dikushi shume kollaj i tha Titos se, ” shteti shqiptar s eshte i interesuar per ate cope toke (Kosoven ) ”
      Dhe tani , na paskan ndare ne dikur te tjeret kurse , sot s po na lejuakan te bashkohemi , kur ne si popull dhe oligarkite politike , matrapaz te deshiruar politik te Shqipërisë dhe Kosoves s bejne as me te vogelen perpjekje ( per mose ti humbur pozitat , privilegjet e benifitet ) ne drejtim te bashkimit Pano Hallko i nderuar ..?

      Përgjigju ↓
  2. 27 vite tranzicion te pafund ne shqiperi , 18 vite tranzicion te pafund ne kosove, shkaterrime , vjedhje , nepotizem, informalitet, stagnim ne zhvillimin ekonomik te dy vendeve, vareshmeri te dy vendeve nga importet e malleeave te konsumit te gjere…gjitha si pasoje e oligarkive papergjegjeshme politike te shqipërisë dhe kosoves te instaluara dhuneshem ne shqiperi e kosove dhe te cilat per keto vite edhe praktikishte deshmuan se jane aty dhe mbeshteten nga armiqte e shqiptareve per ta penguar misionin e shenjte te bashkimit te shqiptareve – bashkimin e shqipërisë me kosoven aq me reper kur per kete qeshtje te shenjre flete personi i cili as ne familjen e tij nuk i besojne, personi qe formoi nji parti politike ne kosove te cilen e emertoi me Levizje e Bashkuar Demokratike ( LBD ) pa kredibilitet politik sepse ne zgjedhje fitoi vetem 0.47 % ( as 1% ) te votave te elektoratit te kosoves
    E vetmja ” sukses ” qe arriti kjo klase politike ne shqiperi dhe kosove eshte diktatura e instaluar , monopolizimi i dy vendeve nga nji shtrese biznesesh te pista te mbeshtetura po nga kjo politike …!

    Përgjigju ↓