KULTURË

Kronikë nga fshati i harruar

09:10 - 02.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Fatmira NIKOLLI

Dy shekuj më parë, Edward Lear shkruante se “duket si të jetë vënë mes qiellit e reve”. Sot, Piluri është rreth 45 minuta larg nga qendra e Himarës. Për të mbërritur në fshatin e njohur si ballkoni i bregut, përshkohet një rrugë që gjarpëron në shpate kodrash. Pjerrësia e vështirësia të kujton Llogaranë, veçse rruga në më të shumtën e saj është e pashtruar. Emri i fshatit përmendet që më 1432, mandej del në dokumentet ku flitet për rezistencë ndaj osmanëve; ai del herë si pjesën e nahijes së Sopotit e herë si pjesë e Sanxhakut të Delvinës. Shekuj më vonë e gjen në letrat dërguar Papa Gregorit të XIII më 1577, careshës ruse Elisabetë më 1759 a perandorit austriak Franc Jozefi i dytë më 1786. Një gurore që ka nisur të ndryshojë peizazhin është veçse një stacion drejt fshatit, që fshihet matanë reve. Si në legjenda ka male që duhen kaptuar në ‘rrugë dhensh’ për të mbërritur atje. Së pari të shfaqet një kodër me gjurmë shtëpish të rëna, mandej me një uniformitet karakteristik, të dalin para banesat e sotme – me hyrje të ndërtuara me harqe, janë pothuaj të njëjta me ato të fshatrave të Bregut, një a dykatëshe, me kthina ku vendin kryesor e zë oda e miqve. Lidhja mes shtëpive bëhet përmes rrugicash të kalldrëmta dhe në lartësinë me të madhe të fshatit është kisha, rrethuar nga një kurorë lisash. Qendra e fshatit është megjithatë, një shesh me rrap në mes. Ka të dhëna jete që në prehistori, me vendbanime të shekujve VII-VI, ndërsa pranë kodrës së Kolzës ndodhet një nekropol antik i njohur prej vendasve si Varret e Jelimëve.
South Outdor Festival
Për natyrën e ashpër, për ‘rrugët e dhenve’ dhe për të risjellë në vëmendje fshatin e harruar prej ku duket megjithatë bregu i Himarës, në datat 29 prill-1 maj, në Pilur u mbajt South Outdoor Festival, një projekt i GIZ në bashkëpunim me Shqipërinë. Qendra e veprimtarive ishte pllaja e Vanovës, që mblodhi turistë nga Shqipëria e jo vetëm, për tri ditë, duke e bërë Pilurin, Himarën, Dhërmiun e zonat përreth mikpritëse të të ardhurve dhe hapësirë për sporte të ndryshme të aventurës. Makina të GIZ-it gjerman ngjiteshin në fshat e zbrisnin në Himarë në frekuenca të shpeshta, me gjithë faktin që turistët qenë shumë më tepër se parashikimet. Në Vanovë ishte menduar për gjithçka, nga ushqimet, mbledhja e mbeturinave pas çdo vakti, e deri tek tualetet e lëvizshme, forca private të sigurisë, forca policore e deri tek ndihma e shpejtë.
Veç zjarrit të ndezur në mes të fushës dhe kashtës së grurit në vend të ulëseve, Vanova ofroi kamping e parkim për qindra të ardhur. Prodhimet e Pilurit qenë baza e kulinarisë për të cilën u kujdes shefi Sokol Prenga, ndërsa zona e Himarës u bë baza e të gjitha sporteve që u ushtruan në det, tokë e ajër. Qëllimi i festivalit ishte promovimi i rajonit jugor, duke evidentuar potencialet natyrore (deti e mali), zgjatjen e sezonit turistik dhe rritjen e të ardhurave për popullsinë vendase. Aktivitetet sportive ‘outdoor’ (ecje malore, çiklizëm malor, yoga, kanoe, parashutizëm, zhytje e shumë të tjera u shoqëruan me aktivitete kulturore, muzikë live dhe iso-polifonike, kinema e hapur dhe panair i produktesh artizanale dhe produktesh lokale. Gjatë gjithë festivalit u shijua vetëm kulinaria tradicionale vendëse me produkte të zonës. Nisma e qeverisë gjermane, mbështetur nga Ministria e Ekonomisë e Turizmit si edhe ajo e Energjetikës, synoi të rrisë të ardhurat përmes turizmit e kulturës duke i paraprirë sezonit turistik veror.
Për shkak të terrenit blegtoria është më e përhapur se bujqësia dhe banorët njihen për produktet e mishit dhe ato të qumështit përgatitjen. Kuzhina piluriote njihet për mishin e pjekur të qengjit, kecit, lopës; për byrekun “ksirogjak” – që njihet si përvëlak dhe lakrat e egra të ziera; për qullin e trashë të njohur si këmbëkuqe e lloje të ndryshme byrekësh, reçelra, turshi, etj.
Qindra turistë që morën pjesë provuan kombinimin e turizmit malor dhe turizmit të aventurës, e nën moton jo vetëm det, Piluri e fshatrat e tjerë të Himarës u bënë strehë të një festivali, që u mbajt për herë të parë. Në forumin me gazetarët, mbajtur të dielën, ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, premtoi energji elektrike në sezonin turistik dhe një rrugë të shtruar për drejt fshatit, po për ironi, e diela pat gdhirë pa drita. Mandej, ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi foli për rëndësinë e aktiviteteve si festivali “South Outdoor” dhe foli për turizmin e qëndrueshëm. Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve, dy ministrat dhe kreu i Bashkisë Himarë e Vlorë, premtuan në këtë parafushatë elektorale se këtë vit, qytetet bregdetare do jenë të pastra, pasi kanë nisma të reja e investime për plehrat. Në fund të festivalit, fshati mbi Himarë, rikthehet në mjegull, duke ruajtur shpresën për një event që rivjen vitin tjetër.
E siç kishte parashikuar Hans-Jurgen Cassens, drejtor Rajonal në GIZ “prezantojmë fshatrat me shpresën se do të kuptohen asetet e tyre në aspektin e trashëgimisë kulturore. Kombinimi i aktiviteteve ‘outdoor’ me kulturën e traditën mund të ndikojë në përhapjen e fjalës përmes turistëve. Kështu, pas festivalit do të kemi më shumë njerëz që do të flasin për vlerat e jugut, e shpresoj që festivali të kontribuojë në arritjen e këtij qëllimi”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.