OPINION

Politika si profesion dhe demokracia jonë e brishtë, ose topi është i imi dhe penalltinë e gjuaj unë

07:26 - 03.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Valbona NATHANAILI




Në mbyllje të këtij legjislacioni, situata politike e krijuar nga afrimi i zgjedhjeve të reja për Kuvendin e Shqipërisë, sado e turbullt që duket nga dilema e pjesëmarrjes a jo të partisë më të madhe opozitare të radhës, duket se bëhet zi fare po të reflektosh në lidhje me deklaratat që dëgjohen nga shumë ish-deputetë të së majtës, të cilët të lënë jashtë listave për deputetë (lexo, punë) të punëdhënësit të tyre, kush më gjatë e kush më shkurt, me apo pa mllefe, me apo pa mallëngjim, po japin deklaratat a porositë e fundit. Por pavarësisht notave emocionale, e vetmja gjë që i bashkon të gjitha bashkë është mënyra se si konceptohet të qenit deputet në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, – një lloj marrëdhënieje e krijuar si ndërmjet një punëdhënësi e një punëmarrësi, ku punëmarrësi është deputeti dhe punëdhënësi kryetari i partisë. Dhe kontrata e punës është individuale: unë dhe ti, tamam si në një kompani private, vetëm se në rastin e kompanisë janë në lojë interesat e biznesit të një pronari, të cilat t’i bën të qarta çdo ditë e më shumë, në rastin e partisë është e gjithë Shqipëria dhe të gjithë ata njerëz që i mban ende shpresa se këtë radhë të zgjedhurit do të jenë më të mirë, se do punojnë më shumë për ata dhe më pak për veten e tyre. Gënjeshtra!

Mallëngjimi pas njëzet e shtatë, apo dhjetë, apo pesëmbëdhjetë vitesh për shërbimin në atë detyrë, dëshira për të lënë pasardhës një të ri a një të re, frika se mos zëvendësohen nga ndonjë hajdut pulash janë shumë jo për të na qartësuar se si kanë vegjetuar me heshtjen e bindjen e tyre për vite me radhë ndaj kryetarit të radhës, por shumë për të na këputur edhe fijen e fundit të dyshimit se kryetari i partisë është ai që heq e shton emra në lista, pa asnjë procedurë demokratike në një institucion, që me statut e ka që lufton për instalimin e demokracisë. Dhe ata ikin të mallëngjyer që punuan si deputetë për një kohë të gjatë. Kanë keqardhje që nuk do të ulen në të njëjtën karrige që janë ulur për vite me radhë. Që nuk do ngrenë dorën për të votuar me unanimitet çdo ligj që u rrit pagën a pensionin, që u fal kreditë e marra në bankë a u siguron një shtëpi. Që nuk do shikojnë nga dritarja se si ky vend rrënohet përditë e më shumë, vetëm që të fitojë dikush dhe ata të licencojnë fitimin e atij, me kusht që t’u mbetet edhe ndonjë kockë për vete. Në një vend ku përditë pushohen njerëz nga puna sepse janë të djathtë për të majtët dhe të majtë për të djathtët, për një status në “Facebook”, për një shikim vëngër të një politikani, ose thjesht për hiçmosgjë. Në një vend ku dikush që gdhihet në një burg të Francës a Italisë, ngryset në karrigen e deputetit a të këshilltarit, a të ministrit në Shqipëri. Ku ka humbur çdo moral për t’i thënë një të riu mëso dhe puno që të ecësh përpara, sepse të thotë se nuk merr vesh nga jeta. Ku modeli më i suksesshëm është fshatari që mbjell drogë, fermeri që i mbyt prodhimet me hormone, krimineli që bëhet politikan dhe politikani që bën biznes me të ardhmen e këtij vendi. Dhe të kesh shqetësim se nga kush do zëvendësohesh? Të kesh ndonjë dyshim? Radha është gati, – dikush me merita të veçanta për kryetarin, që ka zanat buzëqeshjen dhe karakter heshtjen, që ka dhënë prova se është besnik, se nuk flet po fitoi edhe për vete diçka. Ja kush…

Topi është i imi dhe do e gjuaj unë penalltinë, – në fakt është një shprehje që kishte dëshirë ta përdorte një ish-koleg, kur i referohej pronarit të vogël të një kompanie të madhe ku punonte i biri, huazuar nga filmi i famshëm realizuar në kohën e diktaturës. Kryetarët e partive, monarkët e rinj të Shqipërisë janë edhe më arrogantë se ai pronari i vogël i kompanisë së madhe, që kishte punësuar djalin e kolegut tim. Sepse as nuk përpiqen ta gjuajnë penalltinë, sikur edhe sikur. Aq të qetë e të patrazuar janë në lojën e tyre brenda partisë. Aq të qetë e të patrazuar janë në lojën e tyre me gjithë Shqipërinë. Shndërrimi i politikës në profesion në një vend me probleme me demokracinë e me zhvillimin, të bën po aq fajtor sa edhe hajduti i pulave. Mos ikni jo se do mallëngjehemi bashkë me ju, por kthehuni që të justifikoni ato që keni marrë duke qëndruar në atë vend. Ne e dinim se ju kishim votuar të luftonit për ne me mënyra demokratike, me fjalën, qëndrimin dhe veprimin tuaj.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. ….ose, partite politike ose thjeshte , oligarkite politike gjitheshqiptare te lidhura ngushte me biznese të pista sipas asaj , ti mua-une ty , ” gjeten shesh, me bo pershesh ” … sepse , ne jemi shendrue ne popull hazergjij…dikush tjeter me na veshe, e me na mbathe, me na ushqye, me na clirue nga zgjedha serbe kurse ne , ne vetem jemi ketu me dhene mendime ” të medha ” … jemi ketu vetem me shite mend..!
    Por , a dilet keshtu nga ky qorrsokak ku kane hy shqiptaret..?
    Sigurishte se jo…jo , sepse ne vete i ngritem keta politikaj qe sot na perfaqesojne dhe , per të dale nga ky rethe vicuoz se pari duhet nisur nga vehtja jone..
    kjo eshte rruga, rruge tjeter nuk ka..rruga eshte , të mesosh nga gabimet tua
    Po cili ishte gabimi…gabimi i madh ishte ne ffillim … nji grusht horash na mashtruan dhe tani po i vuajme pasojat e atij mashtrimi…besimi të madh qe patem ne ta
    “por, …nuke e pati fajin sepata qe e preu malin , fajin e patem ne , kure sepates ia vume bishtin ( voten) “

    Përgjigju ↓