OPINION

Pse dhuna ndaj grave nuk ndalon edhe pas urdhrave mbrojtës?!

07:00 - 08.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Ben ANDONI

 

Të vrasësh një grua në Shqipëri nuk është se përbën më ndonjë risi në fenomenin, që mban të ngërthyer objektin e shumë organizatave. E vret bashkëshorti, e vret rëndom i dashuri, i vëllai, e prindërit nuk mbeten aspak më pas. Por vrasjen më të madhe ia bëjnë shoqëria dhe mekanizmat e pamundshëm mbrojtës të shtetit shqiptar, që ratifikon e nënshkruan memorandume dhe harton drafte për të mbrojtur shoqërinë.

Duhej që bashkëshorti i saj këtë herë të dënohej realisht dhe të përfundonte pas hekurave. Por, nuk ndodhi kështu. Dhe, nuk mund të ndodhë kurrë kështu në Shqipëri. Gruaja me emrin Hava, edhe pse prej gjykatës kishte urdhër për t’u mbrojtur nga dhuna e bashkëshortit, e fali dhunuesin e saj dhe madje vazhdon të jetojë në të njëjtën shtëpi me të, kërcënuar verbalisht, por edhe fizikisht prej tij. Kur dhuna u bë e padurueshme, atëherë 35-vjeçarja shkoi sërish në gjykatë për të marrë mbrojtje, tashmë jo thjesht për vete, por për fëmijët. Njësoj si ajo, një numër i madh grash nën urdhër mbrojtjeje (UM) janë vrarë nga partnerët, dhe kjo e ka bërë ligjin për mbrojtjen nga dhuna në familje të sjellë nevojën që të rishikohet.

Në fakt, nëse pyet gazetarët e kronikës, ata e kanë humbur tashmë kujtesën e rasteve prej shpeshtësisë së tyre, ku urdhrat mbrojtës jo vetëm nuk zbatohen, por rezultojnë fatalë.

Përgjigjja e të gjitha të dhunuarave mbetet e njëjtë: Ku të shkojmë?! Shqipëria i ka kaq të përhapura këto raste, saqë jo vetëm nuk i mbulon dot si duhet për sa i përket aspektit gjyqësor, por më shumë akoma i stimulon prej kushteve të vështira sociale.

Qendra për Nisma Ligjore Qytetare (QNL), që asiston gratis rastet e femrave që janë nën dhunë, por edhe shumë rasteve të tjera sa u përket dhunimeve, por edhe ekzekutimeve të vendimeve gjyqësore, në një konferencë të madhe zhvilluar në Tiranë ka prezantuar realitete dhe shifra shqetësuese për këtë realitet. Konferenca “Ekzekutimi i vendimeve gjyqësore – si kusht për mbrojtjen nga dhuna dhe respektimin e të drejtave ekonomike në familje” ka nxjerrë të dhëna dhe realitete të frikshme. Kështu, gjatë gjithë vitit 2015 në Zyrën e Përmbarimit, Tiranë, janë regjistruar gjithsej 78 çështje me objekt ekzekutimin e urdhrave të mbrojtjes dhe urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes (UMM). Nga këto, gati 78% e tyre janë pa veprimet e duhura. Me shkaqet dhe faktorët e një vakumi të tillë, Qendra për Nisma Ligjore Qytetare ka shpalosur disa konkluzione dhe sugjerime, të cilat u adresohen Zyrave të Përmbarimit, si dhe aktorëve të tjerë, lidhur me ekzekutimin e këtyre vendimeve.

Paradoksi

Është një grup jo i vogël femrash të dhunuara që konform strukturës së shërbimit social në vend janë të strehuara në qendra të posaçme, por në fakt pjesa më e madhe e tyre vijojnë të bashkëjetojnë me dhunuesin, ndërkohë që gjykata urdhëron zakonisht distancimin e agresorit në jo më pak se 500 metra. Fatkeqësisht, për shkak të kushteve sociale dhe pamundësive ekonomike, por edhe pafuqinë e shtetit shqiptar të zgjidhë problemin, ligji i sotëm duhet ta rregullojë paradoksin që dhunuesi edhe viktima të mos jetojnë të paktën në të njëjtën çati, pasi kjo e bën viktimën që të mësohet me gjendjen e dhunës verbale. Dhe, ajo që është referuar nga vetë gjykata është e dhimbshme. Kryetarja e gjykatës së Tiranës Enkelejda Hajro, pak kohë më parë, duke folur me gjuhën e statistikave ka pohuar se: “Unë shoh statistikat dhe vërej se për 3-mujorin e parë të 2016, nga 165 janë pranuar 45, dhe 105 janë pushuar. Për 2017 janë pranuar 41 kërkesa dhe pushuar 134 kërkesa”.

Sociologët e arsyetojnë realisht këtë lëshim. Gratë tërhiqen nga kërkesa për të marrë urdhër mbrojtjeje, pasi janë të kërcënuara realisht për jetët e tyre dhe të fëmijëve, por më shumë s’kanë mbështetje ekonomike. Në një shoqëri si jona, ku mungon kujdesi nga individëve në nevojë, gratë e ndjejnë realisht sesa e pamundur është ndihma për to, ndaj apelet dhe një lloj orientimi për fuqizimin e tyre ose riintegrimin e tyre në kurse profesionale, po merr fuqi.

Çfarë mund të bëhet për mbrojtjen?!

Kjo çështje varej para të pranishmëve të konferencës së pak ditëve më parë, organizuar nga Qendra për Nisma Ligjore Qytetare. Vetë prof. Aurela Anastasi në rolin e drejtoreshës së QNL, që moderoi një panel ku kishte përfaqësues nga PNUD, Ministria e Drejtësisë, Gjykata, Shoqëria Civile, Kooperacioni për Zhvillim i Suedisë, Bashkia, Përmbarimi, Dhoma e Avokatisë etj., ndan shqetësime të mëdha. Andaj, konkluzionet u bashkuan realisht në faktin se jo në pak raste, në dispozitivin e vendimit, Gjykata nuk përcakton qartë aktorët përgjegjës që do të realizojnë ekzekutimin e vendimit duke iu referuar LDh. Nga ana tjetër u sugjerua se masat mbrojtëse që urdhërohen nga gjykata, duhet të kenë parasysh edhe kushtet ku jetojnë palët, si edhe faktorë të tjerë ekonomiko-socialë në mënyrë që vendimi gjyqësor të jetë realist. Vetë gjykatat kanë nevojë të funksionojnë më mirë, por edhe t’u dërgojnë kopje të vendimit gjyqësor aktorëve përgjegjës për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, brenda afateve të parashikuara në LDh. Ashtu si përmbaruesi gjyqësor duhet të nisë kryesisht procedurat e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore të UMM/UM. Jo pa faj kanë rezultuar edhe aktorë të tjerë, ku është kërkuar që në rast të mosmarrëveshjeve me palën debitore, duhet të rritet bashkëpunimi i Zyrës së Përmbarimit me komisariatet e Policisë në mënyrë që kjo e fundit të asistojë dhe të ndihmojë në ekzekutimin e shpejtë të vendimit gjyqësor.

E kur mendon se sa e vështirë është për gratë, atëherë llogarit për fëmijët e pambrojtur! Kështu është kërkuar të ketë parashikime të ndërhyrjes së organeve neutrale të ndjekura nga psikologët. Këta të fundit bashkë me punonjësit socialë është sugjeruar të kenë module të unifikuara dhe me detyra të mirëpërcaktuara në lidhje me rolin e tyre gjatë procesit të ekzekutimit. Rëndësia e këtij aktiviteti, por më shumë vështirësia ku po hasen sot, gratë e dhunuara, duhet të kuptohet më së miri nga angazhimi i aktorëve që e mundësuan këtë konferencë në formë apeli. Ku QNL-ja, falë fondeve dhe angazhimit prej PNUD-it, strukturave të qeverisë së Suedisë, dhe Programit të Granteve të Vogla të Komisionit për Demokraci të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, apeluan ndaj shtetit, që të jetë realisht i kujdesshëm për këtë kategori.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. I dashur Beni! Ne kete vend, jane çmendur njesoj:Si burrat, edhe grate. E ç`rendesi ka se kush çmendet i pari ne nje çift? Rendesi ka qe ai patjeter çmend doemos edhe tjetrin. Sidoqofte, per fat te keq,do te vonoje shume, qe grate dhe femrat shqiptare ne pegjithesi, te (ri)fitojne te drejtat qe u dha dikur(jo dhe aq larg),Fjalimi Historik ne Plenumin e rrethit te Matit!… Per fat te keq, e perseris….

    Përgjigju ↓