DOSSIER

“Nuk këndoi për Sigurimin”, si u ndëshkua këngëtarja e estradës së Fierit

10:18 - 09.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




DASHNOR KALOÇI

“Shkrimtarët dhe artistët nën diktatin komunist e intrigat e njëri-tjetrit” është libri më i ri, i cili vjen së shpejti dhe që rrëfen një kapitull mbi jetën nën diktaturën komuniste. Po zbulojmë diçka nga përmbajtja e këtij libri, duke veçuar një dokument që mban datën 23 prill 1973.

Është një raport-informacion i Mantho Balës, (i cili asokohe mbante funksionin e zv.ministrit të Arsim-Kulturës dhe njëkohësisht edhe atë të kryetarit të Komitetit të Kulturës dhe Arteve që kishte varësi direkte po nga ajo ministri, ku titullar ishte Thoma Deliana), që ia dërgon Komitetit Qendror të PPSH-së, dhe në krye të asaj letre me germa kapitale shkruhet: “INFORMACION MBI DISKUTIMIN E FJALIMIT TË SHOKUT ENVER HOXHA TË 15 MARSIT 1973 NGA KOLEKTIVI I TEATRIT DHE ESTRADËS SË FIERIT”.


LEKA BUNGO

Gjithçka bëhej në kuadrin e fjalës që kishte mbajtur Enver Hoxha në aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor (më 15 mars të po atij viti), ku tema kryesore ishte: “Shfaqjet e huaja borgjezo-revizioniste dhe ndikimi i tyre në art, kulturë, letërsi dhe gjithë jetën e vendit”.

Në këtë kontekst të zhvillimit të ngjarjeve të asaj kohe, edhe në të gjitha institucionet kulturore dhe artistike të Tiranës e gjithë rretheve, u bënë mbledhje pas mbledhjesh, duke analizuar e trajtuar fjalën e sekretarit të Parë të Komitetit Qendror të PPSHsë, Enver Hoxhës, fjalë e cila ishte mbajtur vetëm pak ditë pas përfundimit të Festivalit të 11-të Kombëtar të Këngës në Radiotelevizion (dhjetor 1972-janar 1973), që ishte dhe prologu i një furtune të madhe, e cila i parapriu goditjes së një numri të madh shkrimtarësh e artistësh, që më pas u shkarkuan nga puna dhe u dërguan në zonat më të thella malore të Shqipërisë nga Jugu në Veri, e që mjaft të tjerë u internuan apo përfunduan burgjeve të regjimit komunist.

Siç do të shikojmë më tej, raport-informacioni në fjalë që publikohet në këtë kapitull të librit merr në analizë Teatrin dhe Estradën e qytetit të Fierit, që asokohe kishin si regjisorë Leka Bungon dhe Pëllumb Kullën, të diplomuar me brezin e parë të studentëve të Institutit të Lartë të Arteve (më pas të specializuar edhe për Regjisurë), të cilët konsideroheshin si mjaft të talentuar, por për probleme biografike të dy ishin dërguar në rrethe.

Madje, Leka Bungo kishte provuar me sukses edhe një rol si aktor në një film që pati mjaft sukses (oficer gjerman te filmi “Ngadhënjim mbi vdekjen”), i cili u shfaq dhe u prit me bujë të madhe për vite me radhë edhe në Kinën e largët Popullore.

Po kështu, Leka Bungo ishte një emër mjaft i njohur edhe në elitën e re intelektuale të atyre viteve në Tiranë, jo thjesht për paraqitjen e jashtme dhe mënyrën e jetesës, por edhe për shkak të anekdotave me përmbajtje politike që ai nxirrte dhe i përhapte në rrethin e tij shoqëror kundër regjimit komunist në fuqi, që kishte bërë që Leka me bashkëshorten e tij (e bija e një diplomati të njohur të atyre viteve) të ishte edhe objekt, apo më saktë personazh i shkrimtarit të njohur Ismail Kadare në librin e tij “Dimri i vetmisë së madhe”.

Gjë të cilat janë të njohura edhe nga libri i avokatit dhe politikanit tashmë mjaft të njohur, Spartak Ngjela, në një nga tri vëllimet e librit të tij voluminoz, “Përkulja dhe rënia e Tiranisë” (Botim i UET PRESS).

Ajo që bie në sy të analizës e punës që i bëhet Teatrit dhe Estradës së Fierit (gjithnjë duke pasur parasysh dokumentet arkivore që kemi në dispozicion), raportinformacionit të Mantho Balës, i cili disa kohë më pas do të dënohej dhe vetë nga regjimi komunist, i paraprin një informacion i Feçorr Shehut, zv.ministrit të Brendshëm dhe njëkohësisht drejtorit të Sigurimit të Shtetit të atyre viteve, që specifikon me detaje punën e regjisorit Leka Bungo për vënien në skenë të dramës “Historia e një vajze”. Dramë e cila, në njëfarë mënyre, fillimisht u bë dhe shkaku kryesor që Leka Bungo u godit dhe u dërgua si punëtor në prodhim pranë Uzinës Mekanike Ballsh.

Kjo (pra raporti i Feçorr Shehut, që publikohet në kapitullin në vijim) me shumë gjasa ka bërë që raport-informacioni i Mantho Balës jo vetëm që të binte në dorë të Petro Dodes, Hysni Kapos dhe Ramiz Alisë, por deri tek Enver Hoxha, i cili, ashtu si dhe vartësit e tij, ka vënë shënimet përkatëse me shkrimin e tij në dokumentin në fjalë që po publikojmë më poshtë në këtë shkrim.

Dhe pas gjithë këtyre problemeve, Leka Bungo do të ndiqej e survejohej rregullisht nga Sigurimi i Shtetit deri në vitin 1990, gjë e cila pasqyrohet edhe në kapitullin në vijim dhe faksimilet përkatëse. (Po të njëjtin “fat”, pra ndjekjen dhe survejimin nga Sigurimi i Shtetit, do të kishte dhe Pëllumb Kulla, që është e njohur prej kohësh edhe nga dokumente arkivore që ka publikuar vetë regjisori i njohur dhe jo vetëm). Ashtu si dhe pjesa më e madhe e dokumenteve të tjera të publikuara në faqet e këtij libri, edhe ky publikohet i plotë, pa asnjë shkurtim.

INFORMACION MBI DISKUTIMIN E FJALIMIT TË SHOKUT ENVER HOXHA TË 15 MARSIT 1973 NGA KOLEKTIVI I TEATRIT DHE ESTRADËS SË FIERIT

Kjo mbledhje e zhvilluar tri ditë me radhë në një atmosferë luftarake, nëpërmjet kritikës dhe autokritikës parimore. Aty u analizua e gjithë puna e këtyre dy kolektivave në frymën e fjalimeve të fundit të shokut Enver, duke u përpjekur që të evidentohet mirë gjëndja e trupave artistike dhe lufta kundër ndikimeve moderniste e liberale.

Si diskutantët, ashtu dhe të deleguarit që merrnin pjesë në këtë mbledhje, vunë në dukje se, me gjithë punën e mirë që është bërë këtu, kanë dalë mjaft probleme si ai i uljes së vigjëlencës revolucionare, i punës së pamjaftueshme dhe spontane për ngritjen ideo-profesionale të trupës, i ndikimeve direkte të artit borgjez dhe revizionist, i spontanitetit në zgjedhjen e repertorit, i nivelit të ulët artistik të disa shfaqjeve (e sidomos të atyre që jepen për fshatin), i mungesës për kritikën dhe autokritikën në kolektiv dhe njëfarë familjariteti e ndjenjë oportuniste që ekziston aty, i mosorganizimit të mirë të punës dhe i shkeljes së disa normave të punës (nuk bëhen diskutime me masat, këshilli artistik është formal, nuk analizohen premierat dhe shfaqjet etj.), i lëshimeve që bën drejtori Llazar Moja në zbatimin e disiplinës socialiste në punë, në mirëmbajtjen e pronës socialiste, në mungesën e organizimit të punës dhe të kërkimit të llogarisë.

Në të tëra këto drejtime nuk është ndier roli udhëheqës i organizatës bazë të partisë. Kjo ka ndodhur edhe për faktin se ish-sekretari i Komitetit të Partisë së rrethit, Ismet Cibaj, e ka eliminuar rolin drejtues dhe ka pasur lidhje familjariteti të sëmurë me regjisorët Leka Bungo e Pëllumb Kulla, të cilët janë marrë nga Vlora pa i shqyrtuar biografitë e tyre (të dy nuk kanë biografi të pastër, kanë njerëz të dënuar e të implikluar me reaksionin.

Për Leka Bungon në karakteristikën që i erdhi nga Vlora thuhet se “ka koncepte borgjeze” dhe “është mëndjemadh”). Në frymën e lëshimeve dhe të dobë- simit të vigjëlencës u shfaq drama e Kleanthi Dushës “Historia e një vajze”, që përshkohet nga nota nihiliste në trajtimin e problemit të dashurisë.

(Pas këtij paragrafi, anash, ka një shënim të Hysni Kapos dhe të firmosur prej tij, ku shkruhet: “Nuk është çështje te nihilizmi për dashurinë (Ç’kuptim ka kjo?!) Themelori është se ajo pjesë paraqet krejt shtrembër konceptin mbi moralin tonë. Ajo propagandon shthurjen morale të rinisë).

Por, siç u vu re, gabime dhe ndikime liberale janë dukur edhe në shfaqje të tjera (vitin e kaluar u shfaq nga teatri komedia “Dhëndri”, e K. Priftit, që lufton konservatorizmin nga pozita liberale, në olimpiadën e grupeve teatrale që po zhvillohet tani në Fier janë inkuadruar drama me gabime si “Historia e një nate”, e Minush Jeros, “Një copë rrugë” e Loni Papës dhe dekori i festivalit të këngës në Fier kishte ndikime moderniste, ndërsa në shfaqjen e estradës profesioniste “Në skenë e në sallë” u përdor një dekor formalist i Ali Osekut dhe u vunë re manjerizma në interpretimin e këngëve nga Engjëllushe Daja ka pasur një spostim të këngëve popullore në estradë dhe mbivlerësim të ritmit të muzikës së lehtë, për të cilat mban përgjegjësi regjizori Pëllumb Kulla.

(Te ky paragraf, anash, ku përmëndet emri i Minush Jeros, po Hysni Kapo ka shkruar: “Akoma ky element armik livadhis me veprimet e tij nëpër skena?).

Mbledhja goditi me ashpërsi konceptet borgjezo-liberale të Leka Bungos. Ai mban përgjegjësi të plotë për shfaqjen e dramës “Histori e nbjë vajze”, sepse ka punuar mbi të për shumë kohë dhe e ka mbrojtur gjer në fund, duke iu kundërvënë me mëndjemadhësi diskutimit të masave dhe instruktorëve të Komitetit të Partisë (ai u thoshte atyre me ironi: “Mos doni të trajtojmë edhe problemin e të lashtave në Levan?!”, ose “Kjo dramë do kuptohet pas dhjetë vjetësh”). Për këtë shfaqje ai doli me kërkesa “novatore” e “moderniste” për t’iu kundërvënë te atrove të tjera. Për këtë përpunoj së bashku me piktorin Ali Oseku një dekor formalist.

Për praktikën e zhvillimit të debatit në Fier ai dizinformoi edhe disa shokë të Ministrisë, duke e trajtuar atë si një presion burokratik. Por egocentrizmi regjizorial i Leka Bungos, ndikimet dhe konceptet e tij liberale e kanë bazën e nisjes që në punën e tij në teatrin e Vlorës, ku vuri në skenë dramën “Në plate” të Fatos Arapit, ku lufta Nacional-Çlirimtare shihet nga pozita sentimentaliste; dramën “Lindi një vajzë” të Sheri Mitës, ku pasqyron ide regresive e konservatore, si dhe trajtoi në frymë formaliste dramën “Dritat” të Mimika Lucës. Leka Bungo u konsiderua si miop ideologjik, intelektualist, mospërfillës me eprorët dhe me vartësit, që ka në kokë paqartësi politike.

Ai ka bërë dhe krahasime të tilla të poshtra: “Më lehtë është të gjendet sekretari i Parë i Komitetit Qëndror, sesa inspektori i skenës” etj. Është maskuar nën ombrellën e aktorëve dhe ata i kanë bërë lëshime. Në autokritikën e vet, Leka Bungo vuri në dukje papjekurinë e tij ideologjike që kur ishte në shkollë dhe minimizimin që i ka barë rrezikut të liberalizmit.

Tha se ka qenë i influencuar nga shfaqjet e huaja televizive e kinematografike, se nuk është nisur nga realiteti ynë, se ka koncepte liberale. Ismet Cibaj, tha ai, më krijoi një vetësiguri ideologjike. Kundërvëniet dhe thëniet e tij të gabuara ai i motivoi si nxitim, mëndjemadhësi dhe naivitet. Pranoi gabimet që ka patur në shfaqjet e Vlorës dhe qëndrimet liberale në punë. Vlersoi mbledhjen dhe pranoi vendimin e organizatës bazë të partisë dhe të kolektivit për të punuar në prodhim, ku do të vërë në vënd atë që ka humbur.

Në këtë mbledhje u kritikuan edhe qëndrimi liberal të këngëtares Engjëllushe Daja. Ajo ka babanë të arratisur dhe vëllanë në burg. Sillet keq në punë dhe thyen rregullat. Refuzoi të këndojë në koncertin për festën e Sigurimit të Shtetit. Ka pasur ndikime moderniste në interpretimet që u ka bërë disa këngëve të muzikës së lehtë dhe nënvleftësim të muzikës popullore. Organizata bazë e Partisë dhe kolektivi propozon që ajo të shkojë në prodhim për t’u riedukuar.

(Pas këtij paragrafi, anash ka një shënim me shkrim dore të Hysni Kapos dhe të firmosur prej tij, ku thuhet: “Të shkojë menjëherë, dakort”).

Në autokritikën e saj Engjëllushe Daja i motivoi gabimet si rezultat i mosthellimit në materialet e Partisë dhe mëndjelehtësisë. Ajo tha se është rritur nga partia dhe se prindërit nuk i ka njohur, se ka kënduar edhe këngë të mira, por ka rrëshqitur edhe në ndikimet e huaja, është dakort me vendimin për të shkuar në prodhim, ku do të korrigjojë gabimet.

Në mbledhje bën autokritikë për qëndrime liberale e lëshime në punë edhe regjizori Pëllumb Kulla, drejtori i te atrit, Llazar Moja dhe sekretari i organizatës së partisë, Stefan Spiro. Shoku Miho Gjini inspektor i Ministrisë, i ngarkuar nga organizata e Partisë dhe udhëheqja e Ministrisë shkoi në këtë mbledhje për të bërë autokritikë.

(Pas këtij paragrafi, anash, ka një shënim të Hysni Kapos me shkrimin dhe firmën e tij, ku thuhet: “Por, Miho Gjini jo një herë ka bërë pelivanllëqe të tilla. Duhet të hiqet nga Ministria dhe të shkojë në një rreth me punë”).

Mbasi e ka parë shfaqjen “Historia e një vajze”, e aprovoi atë dhe shkroi edhe në gazetën “Drita”. Autokritika e tij nga ana e jonë dhe e kolektivit të Teatrit të Fierit është konsideruar në përgjithësi e mirë. Ai kritikoi edhe specialistët e tjerë nga Tirana si Kujtim Spahivogli, Kudret Velçën, Bujar Kapexhiun, Mario Ashikun, Mezin Pajon etj., të cilët e aprovuan këtë shfaqje dhe nuk paraqitën asnjë shqetësim. Shoku Matish Shestani (shef i seksionit të arsimit dhe kulturës në Komitetin Ekzekutiv të K.P. rrethit Fier), nxorri përgjegjësinë që ka seksioni për gjendjen e krijuar dhe për lëshimet liberale që janë bërë. Shoqja Naunka Bozo (sekretare e Komitetit të Partisë së rrethit), pasi vlerësoi frymën edukative të mbledhjes dhe vuri në dukje përgjegjësinë e Komitetit të Partisë, shtroi një sërë detyrash për përmirë- simin e mëtejshëm të punës.

Në fund u aprovua me unanimitet vendimi që Leka Bungo e Engjëllushe Daja të shkojnë në prodhim që të riedukohen, me afat të pacaktuar.

(Pas këtij paragrafi, anash, ka një shënim me shkrim dore të Petro Dodes, ku thuhet: “Duhet hequr edhe Pëllumb Kulla”.)

Nga mbledhja dolën gjithashtu një varg detyrash për përmirësimin e disiplinës në punë, për njohjen sistematike dhe të thelluar të materialeve të partisë, për ndërtimin e një sistemi ideo-profesional unik për edukimin kolektiv e individual të artistëve, për rritjen e rendimentit në punë, për rritjen e rolit drejtues të organizatës bazë të partisë dhe për forcimin e një drejtimi unik e të centralizuar në këto institucione, për të kaluar në veprime dhe aksione konkrete, për përmirësimin e përbërjes së këshillave artistike e për një konsultim më të efektshëm me masat, për shtimin e vigjëlencës ideologjike kundër ideologjisë borgjezo-revizioniste, në mënyrë që të shkohet në Pleniumin e Komitetit Qëndror të Partisë të qershorit me rezultate konkrete.

ZV/MINISTRI Tiranë, më 23.04.1973 (Mantho Bala)

Shënimi i Enver Hoxhës

Ç’konkluzione nxjerr vetë Ministria (Komiteti i Kulturës), për këto gabime? Apo vetëm mjafton autokritika që ka bërë Miho Gjini pse aprovoi këtë pjesë?

Enver

 

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Leka Bungon e kam njohur ne New York dhe them se zor se mund te gjesh nje pseudo intelektual pa vlera dhe njeri te degjeneruar kaq shume sa ky shqipfoles torollak dhe me mend ne koke.

    Përgjigju ↓