OPINION

Zgjidhja e vetme

07:58 - 11.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Sulejman MATO




Kompromis për themelet do të thotë dorëzim  – M. Gandi

 Kompromisi bazohet në marrje dhe dhënie, por themelet nuk mund të jepen dhe as të merren.  – M. Gandi

Edhe pas koalicioneve partiake dhe fitores të së majtës, e cila gjithsesi ishte e parashikuar, dy partitë kryesore gjenden në pozicionet e katër viteve më parë. Asnjë ndryshim në Kodin Zgjedhor. Analistë vendas dhe të huaj, njerëz të thjeshtë, politikanë dhe intelektualë, duket sikur i kanë shteruar opsionet rreth një zgjidhjeje të mundshme, mirëpo koha kërkon një zgjidhje urgjente.

Gjatë këtyre muajve kam ndjekur me kujdes disa debate të zjarrta televizive, duke vlerësuar opsionet e të dyja palëve për një tavolinë të përbashkët ku do të zgjidhej ky ngërç i tejzgjatur. Meqë kërkohet një pjesëmarrje e intelektualëve në këtë debat, unë do të mendoja që zgjidhja më e mundshme (ndoshta e vetmja), janw zgjedhjet elektronike dhe; administrimi i tyre nga gjykatës e prokurorë, një propozim i hedhur para dy vjetëve në zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, nga Sali Berisha. Ky opsion do të ishte më i drejti, më i padyshimti dhe në përmbushje me kërkesat e të dyja partive kryesore.

Nuk bëhet fjalë për kompromis, as tolerancë. Të dyja palët kanë detyrimin të ndreqin imazhin e zgjedhjeve të krijuara, pasi vetë këto parti e kanë gatuar këtë strategji elektorale. Gjatë këtyre dy muajve është folur shpesh edhe nga të huajt për një farë kompromisi. Nganjëherë kompromiset janë të nevojshme, por jo gjithmonë. Sidomos kur bëhet fjalë për çështje kryesore. Kompromiset mund të bëhen kur nuk preken kërkesat kryesore. “Kompromisi, – ka thënë Mahatma Gandi, – bazohet në marrje dhe dhënie, por themelet nuk mund të jepen dhe as mund të merren. Kompromisi për themelet është dorëzim. Sepse është krejt dhënie dhe hiç marrje.”

Zgjedhjet janë zgjedhje. Në luftë nuk shkohet gjithmonë për të fituar. Forcat politike duhet të llogarisin edhe humbjen, ndonëse humbësit e vërtetë të zgjedhjeve të fundit ishin “partitë” e vogla. Mbase të gjithë kemi qenë dakord për t’i larguar nga skena politike disa “partiza” parazitare, të cilat jo vetëm i kushtojnë disa miliona buxhetit të shtetit, por edhe se, në disa parti të tilla vegjetojnë elementë të dyshimtë, karrieristë, pragmatikë dhe pa reputacion, të cilët iu janë ngjitur si shushunja dy partive kryesore për përfitime paszgjedhore. Vendi ynë ka arritur atë pjekuri politike që të përfaqësohet vetëm nga dy parti politike si PS e PD, kështu që, në zgjedhjet e ardhshme partitë kryesore do të krijonin mundësi koalicionesh, në rast rezultatesh tepër të ngushta.

Le të kthehemi te çështja. Situata e krijuar kërkon një zgjidhje emergjente dhe largpamëse. Kompromis do të thotë “mirëkuptim” për hir të një fryme të re në politikën shqiptare, që përkthehet; të kemi zgjedhje dhe zgjidhje të vërteta, pa humbës dhe fitues. Ulja në një tavolinë të përbashkët dhe diskutimi “si të barabartë midis të barabartëve” qenka një vështirësi e madhe. Nuk duhet menduar që nismëtari është gjithmonë fitimtar në sytë e popullit; fitimtar është ai që kundërshtarit politik i zgjat dorën i pari.

Kush na solli në këtë gjendje? Në këtë gjendje na solli roli i njëshave, si dhe drejtimi vertikal, jo vetëm i dy partive, por edhe më gjerë, i institucioneve dhe shoqatave të shumta, ku roli i njëshit është jo vetëm dominues, por edhe i dhunshëm. Drejtimi vertikal dhe i gjatë i ka krijuar terren “një grupi mendjesh të zgjuara”, kryetarë partish, të mëdha e të vogla, e kryetarë shoqatash, të cilët e konsiderojnë postin si pronë dhe nuk i luan as topi nga kreu i vendit, thua se partitë, institucionet, shoqatat, madje dhe mendimi intelektual është privatizuar prej këtyre mendjeve të zgjuara. Kanë qenë dhe do të mbeten përjetësisht të njëjtët, që i shohim të kalojnë nga njëri krah në tjetrin, për të mos humbur përfitimet që iu garanton pushteti.

Populli sheh dhe hesht. Populli flet me votë, por vota i jepet atij që ka caktuar partia. Votën e kërkon një pjesëtar i klanit. Sa shumë është folur “në emër të popullit” e për sovranin popull, i cili përfillet vetëm një ditë në katër vjet e më pas kalon në harresë. Atij ia servirin partitë dhe ligjet dhe listat e deputetëve. Nga ky këndvështrim vota e popullit nuk është vjedhur, por besimi i popullit është i tradhtuar, pasi elektoratet ndihen të përjashtuara nga pjesëmarrjet në ndërtimin e ligjeve dhe nga drejtimi i shtetit. Deputetët puthadorë, nuk janë të besueshëm, pasi janë deputetë listash. Në platformën e re të zgjedhjeve duhet pasur parasysh se nuk ka më kthim prapa. Ka ikur koha e zgjedhjeve pa kundërshtarë. Opozita erdhi si një vlerë e cila ia shton dhe vlerat kundërshtarit politik.

I kthehemi edhe një herë problemit. Ndërkohë që pozicionet e të dyja palëve kanë ikur larg dhe kërkohet një kthim drejt qendrës. Mirëpo, siç thamë edhe më lart, kompromiset bëhen në formë, jo në përmbajtje.

Një fenomen tjetër është ushtrimi i sofistikuar i dhunës verbale.

Të mos pranosh humbjen, edhe kjo është një lloj dhune që ushtrohet mbi shtetin dhe fitimtarin. Nga ata tjetër, të dhunosh kundërshtarin me dhunë verbale, nuk është etike. Fitimtari i ka të gjitha mundësitë për të qenë më pak agresiv se humbësi. Moralisht, dhuna është diçka që ndihet, përflitet; një dhunë instiktive, verbale dhe joverbale, komplekse, e lindur, dhe që ndikon shumë në opinionin shoqëror. Dhunë mbi popullin e thjeshtë kanë kaq kohë që bëjnë edhe mediat televizive përmes debateve të zjarrta simpatizantësh të të dyja partive, por pa opsione zgjidhjeje. Po t’i shikosh në këtë aspekt të dy liderët partiakë, edhe pse kanë elementë dhune, kanë diferencime të dukshme. Lulzim Basha, i konsideruar deri dje nga kundërshtarët si një lider në hije, respekton rigorozisht parimet e një lideri demokratik, po të përjashtojmë dhunën etike të kohëve të fundit ndaj kundërshtarit të vet. Ndërsa Rama, mendoj se dhunën e ka mënyrë të menduari. Ai duhet ta kuptojë drejt propozimin për nevojën urgjente të futjes së zgjedhjeve elektronike si dhe futjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në këtë aksion të rëndësishëm. Zhurma që bëhet gjoja rreth një ‘vetingu’ që do presë koka politikanësh, konsiderohet si shantazh i së majtës ndaj së djathtës. “Një rrenë nuk bëhet e vërtetë përmes arsyes së propagandimit të shumëfishuar, thotë Gandi,- as e vërteta nuk bëhet rrenë pse askush nuk e sheh atë.”

 

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Pranoj analizën dhe admiroj analistin, por zgjidhjen nuk e shoh te magjistratët, pasi kanë borxhe dhe druaj se ato borxhe do të përpiqen t’ua shlyejnë kreditorëve të tyre me vota të paqena.

    Përgjigju ↓