EKONOMI

FMN, Jens Reinke: Zgjatja e krizës rrezikon ekonominë

08:17 - 12.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Fondi Monetar Ndërkombëtar apelon partitë politike për gjetjen e një konsensusi, duke vlerësuar se zgjatja në kohë e krizës politike do të ketë efekte të pashmangshme tek ekonomia. Në një intervistë për “News 24”, përfaqësuesi i FMN në Tiranë, Jens Reinke deklaron se ata që rrezikohen të parët janë investitorët. FMN mbetet e hapur për të bashkëpunuar me qeverinë që do të dalë nga zgjedhjet e 18 qershorit. Kreu i FMN nuk komenton premtimet elektorale që bëjnë partitë referuar kongresit të socialistëve dy ditë më parë, por shpreh gatishmërinë e Fondit Monetar për të diskutuar me qeverinë e re me letra të hapura dhe mbi baza reale të gjendjes së ekonomisë.

INTERVISTA:

Z.Reinke, keni ju një mesazh për situatën kritike politike që po kalon vendi dhe cili është impakti që do të ketë në ekonomi?

Patjetër që pasiguria politike ka gjithmonë rrezikun që të ndikojë në ekonomi. Deri më tani duket sikur ekonomia ka shkuar mirë dhe nuk është ndikuar, por padyshim që zgjatja e pasigurisë politike mund të bëjë që individët dhe firmat të rishikojnë vendimet e tyre për investime.

Nga informacionet që ju keni, a ka pasur sinjale të tilla që mund të jenë frenuar për shkak të kësaj pasigurie, që duket se do të zgjasë edhe disa muaj?

Sigurisht që të dhënat ekonomike kërkojnë një farë kohe. Periudha ka qenë mjaft e shkurtër për të dhënë një numër konkret. Gjërat deri tani duket se janë në rregull, po ecin ashtu siç pritej, por gjithmonë ekziston rreziku që zgjatja mund të ketë ndikim.

Keni një apel konkret për këtë situatë?

Mendoj se do të ishte mirë që shqiptarët të merrnin vendime të mençura qoftë në aspektin politik, qoftë në aspektin ekonomik.

Jemi njohur me programin e PS për hapjen e vendeve të reja të punës dhe rritjen e pagave, a mendoni se ky është një program i realizueshëm?

Nuk dua të komentoj në fakt për platformat elektorale që partitë zgjedhin të shfaqin gjatë kësaj kohe. Është detyra e publikut shqiptar që të gjykojë mbi platformat e partive. Ne presim që të bashkëpunojmë me qeverinë që do dalë pas zgjedhjeve dhe atëherë do diskutojmë për politikat ekonomike.

FMN po bashkëpunon me Ministrinë e Financave për të hartuar formulën për llogaritjen e taksës së re të pronës. A ka një draft-propozim si do zbatohet taksa mbi vlerën e tregut dhe kur pritet të implementohet?

Reforma në taksën e pronës ka qenë pjesë e programit tonë me qeverinë, ne kemi ofruar asistencë teknike në këtë fushë. Ka sigurisht edhe partner të tjerë të përfshirë në të, por për momentin është ende në hapat e saj fillestare. Tani autoritetet janë duke punuar për krijimin e një baze të dhënash dhe do të jetë detyra e qeverisë së ardhshme ta vazhdojë këtë reformë. Është akoma shpejt për të folur për specifikat.

Projekti i prezantuar nga qeveria disa kohë më parë është 1 mld dollarë. Si e shihni këtë projekt, a ka risk për vendin dhe a mund të implementohet?

Qeveria ka siguruar që edhe në kuadrin e këtij projekti do të ndiqen procedurat standarde. Do të bëhet vlerësimi i projekteve të investimeve, do të bëhet analiza e kostos, përfitimit dhe në aspektin e angazhimit do të respektohen tavanet që ekzistojnë. Edhe në këtë aspekt nuk është se ka një ndryshim në politikë, për të cilën ne mund të komentojmë. Ne padyshim e nxisim qeverinë që të zbatojë standarde kontabiliteti më të avancuara dhe të tregojë angazhimet afatgjata në të dhënat fiskale dhe të borxhit, përsa i përket PPP.

A ka pasur një konsultim mes FMN dhe qeverisë për uljen e TVSH-së së turizmit, nëse po, çfarë argumentesh bindëse parashtroi qeveria?

Ne kemi diskutuar për një periudhë të gjatë për këtë masë si me qeverinë, edhe me grupe të ndryshme lobimi. Ne kemi qenë kudër kësaj, sepse së pari minon sistemin e TVSH-së, i cili është një nga të ardhurat kryesore në buxhet, gjithashtu nuk është se ka ndonjë përfitim ekonomik, sepse sektori i turizmit është duke u rritur në një mënyrë të kënaqshme. Nga ana tjetër, pagesa e taksave në këtë sektor nuk është shumë e lartë dhe këtu ndoshta duhej të ishte fokusuar vëmendja.

Sot kemi një niveli të lartë të kredive të këqija, çfarë nuk funksion?

Plani i veprimit për zgjidhjen e kredive me probleme nuk është zbatuar deri në fund. Akoma është një punë në proces, ka pasur masa ligjore, por që ato të kenë impakt duhet të kalojë kohë. Gjithashtu, kohë kërkon edhe procesi i ristrukturimit të kredive apo i likuidimit të kompanive. Puna vazhdon dhe zgjidhja e këtij problem kërkon kohë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.