DOSSIER

‘Kujtimet’ e Greblleshit Kadare: Shkrimtari i ndaluar e një libër nga gremina

23:30 - 12.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 





Fatmira Nikolli

Do të mbeten të pashlyera në kujtesën e kryeqytetasve bordurat e Bulevardit të madh të Tiranës, kur fill pas rënies së komunizmit u shfaqën radhët e pafundme të librave që shiteshin drejt e në rrugë, prej njerëzve të rastit. Që në pamjen e parë binte në sy se ato libra ishin fryt i gjetjeve po aq të rastit. Libra të gjetura nëpër bodrume. Të dhëna nga familjarët, nga miqtë ose të njohurit. Disa herë nga gardianët e burgjeve. Me emrin e shokut të qelisë. Madje të hetuesit! Një kronikë e tërë njerëzore, dramatike si rrallëherë. Libra të ndaluar. Ende të palejuar për qarkullim”. Ismail Kadare nxjerr nga hirnaja e harresës një emër, gjurmët e të cilit u zbehën e u mbuluan. E nis me ç’mban mend. Kujton, se kahera, bordurat e bulevardit, patën qenë ‘rafte librash’ që dilnin nga harresa e ndalimi, e prej mohimit, me endje, kalimtarë që dikur i patën kërkuar mes pëshpërimash, tani, i kishin parasysh. Mbi to, gjendeshin copëza jete, “me shënime zakonisht jo fort të qarta: Burgu i Burrelit. Këneta e Maliqit. Muaji i mjaltit, Durrës”.
Nga mesi i mjegullës, Kadare, “thërret” njërin prej tyre. “A është ai atje autori i një romani të ndaluar, që lexonin vajzat e gjimnazit duke e kaluar fshehtazi dorë më dorë? Gremina e dashurisë, në mos gaboj?” “Është pikërisht ai, Mustafa Greblleshi – thotë Kadare – që po del nga mjegulla me këtë libër të bukur dhe të fismë. Nxjerrja nga mjegulla e letërsisë së lënë në harresë, përveç anës emocionale, në rastin shqiptar është pjesë e një akti madhor të dorës së parë në krejt historinë e kombit.
NGA NJË SHKRIMTAR PËR NJË SHKRIMTAR
Një ravijëzim i godinës së hotel “Dajtit”, në bardhezinë e një lapsi, një automobil, mbështetur mbi të cilin, një burrë me duar në xhepa hedh shikimin tutje në të majtë. Përballë tij shtrihet bulevardi, mbase i boshtë, me kujtesën e shpëlarë të një brezi që për të, pak di, a hiç. Vargonj mosdije ndajnë shikimin e përhumbur, ndërsa hapat tanat, shkelin mbi gjurmët që i fshinë.
Mustafa Greblleshi “Kujtime 1939-44”. Është hera e parë që dalin në dritë, në një botim të fisëm që mban logon “Çabej”. Parathënia është e Ismail Kadaresë, nga një shkrimtar për një shkrimtar, ky rikthim i “të ndrojturit” të mënjanuar, bëhet me i sigurt. Ajo lehtësi e papërballueshme e qenies, do thoshte Kundera.
“Mendimi letrar shqiptar përherë e më tepër do t’u jetë mirënjohës studiuesve që janë përpjekur e vazhdojnë të përpiqen për daljen nga harresa të shkrimtarëve shqiptarë të shekullit që porsa shkoi”, shënon Kadare në atë parathënie, duke u kujdesur të vërë në dukje se “harresa në letërsi është e pashmangshme, madje renditet si një nga dukuritë e domosdoshme të saj, ajo që quhet përzgjedhja e vlerave. Falë kësaj të fundit, letërsia përgatitet për jetën e saj të vërtetë, atë të ardhmen, shekulloren. Këtu nuk bëhet fjalë për këtë harresë të natyrshme, por për harresën e dhunshme, shkaktuar prej egërsisë së një epoke, prej cinizmit, burgjeve dhe prangave të saj”.
Kadare vëren se nëpërmjet këtij libri (Kujtimet 1939-44) të Mustafa Greblleshit, për lexuesin e sotëm bëhet e qartë se përse kjo periudhë kaq pasionante e letërsisë shqipe (vitet ‘30) ka qenë jo vetëm e padashur për regjimin që shkoi, por mbetet ende sot në gjysmëhije. “Mustafa Greblleshi nuk renditet ndër kolosët e kësaj periudhe: Poradeci, Migjeni, Noli, Pasko. Por, ai është një shkrimtar tipik, nga ata që edhe duke qenë vazhdimisht në hije, kujtesa i kërkon dhe më në fund i gjen. Shkurt, ashtu siç ndodh në disa letërsi europiane, edhe duke mos u renditur tek shkrimtarët më të rëndësishëm, ai pa droje mund të përmendet tek të paharrueshmit, një cilësim që letërsisë si shumëçka tjetër i lejohet. Regjimi komunist nuk e ka pasur lehtë me letërsinë e viteve ‘30. Ai i provoi gjithë egërsitë dhe dinakëritë e tij për ta nxjerrë jashtë jetës shqiptare, duke nisur nga kërcënimet e rrallëherë marrjet me të mirë, gjer tek torturat mizore”, – shkruan Kadare.
Parathënia e Kadaresë merr përsipër edhe të na njohë me Greblleshin shkrimtar e njeri, kur njëzetvjeçar botoi shkrimet e para dhe fill pas tyre romanin “Gremina e dashurisë”, që siç thotë Kadare, fitoi aty për aty një famë të papritur, epoka e fashizmit në Shqipëri po merrte fund, për t’ia lënë vendin asaj të rendit komunist.
“Shkrimtari i ri, plot pasion për letrat dhe artin, duhet ta ketë kuptuar se koha ishte e gabuar pikërisht për letërsi dhe art. Veprimtaria antifashiste që kishte pasur nuk e ndihmoi të shihej me sy të mirë nga regjimi i ri, ndonëse ai nuk dha ndonjë shkas. Në të vërtetë shkaku ishte, por i fshehur: romani ‘Gremina e dashurisë’. Ndonëse ishte një roman i bukur dashurie, pikërisht ngaqë ishte i tillë, romani krijonte bezdi. Të gjitha përpjekjet e sinqerta të Greblleshit për t’u futur në jetën e përditshme artistike dhe shoqërore do të ndeshnin në ftohtësinë e regjimit, gjersa në vitin 1947, si shumë intelektualë të tjerë, do të arrestohej, pa shkak. Pas daljes nga burgu, jeta e tij do të ishte një ankth, në të cilin ai nuk arrinte të kuptonte për ç’shkak nuk burgosej prapë, e aq më pak për ç’arsye mund të lirohej, në qoftë se kjo ndodhte”, shkruan Kadare. Sipas tij, Greblleshi ende djalosh, plot energji e me një njohje letrare të madhe, e ka kuptuar, me sa dukej, se ishte pikërisht letërsia që po e merrte më qafë. “Si rrjedhim, ai jo vetëm u detyrua të heqë dorë nga punët që lidheshin me kulturën, për t’u bërë vite me radhë thjesht bojaxhi, por e shpalli këtë më 1963, duke botuar librin me tregime ‘Albumi i një bojaxhiu’. Është një nga shembujt më tronditës për atë që është quajtur ‘taksë për të qenë shkrimtar’. Duhet thënë se as kjo nuk e ndihmoi për t’u bërë pjesë e asaj bote që e donte aq shumë, por që me sa dukej, jo rastësisht, lidhej me fjalën greminë”, – shkruan Kadare.
Ai kujton mandej se Mustafa Greblleshi nuk u përmend më asnjëherë si shkrimtar gjersa vdiq i harruar më 1986. “Ndaj homazhi që i bëhet me këtë botim, nën kujdesin e Anna Shkrelit, tridhjetë vjet pas ndarjes së tij nga jeta është dyfish prekës e meriton gjithë vëmendjen e mirënjohjen tonë. Në ëndërrimet e tij, me siguri letërsia do të ketë qenë e pranishme, në format dhe përfytyrimet më të larmishme. Veçse vështirë se kjo mund të shfaqej aq bukur, aq mrekullisht, siç ndodhi vërtet pas rënies së komunizmit, te bordurat e Bulevardit të madh të Tiranës, atëherë kur lexuesi i parë ka ndalur hapat për të pyetur: ‘Mos e keni romanin Gremina e dashurisë? Në kohën time ka qenë aq i njohur…”, thotë në fund Ismail Kadare.
I lindur në Tiranën e 1922-it, Grebleshi në vitet 1942-1944 pati një veprimtari të gjerë letrare e publicistike, çka dëshmohet nga shtypi i kohës e ku përfshijmë edhe ndonjë novelë, a satirë ku me pseudonim shfaqej në revistat “Njeriu” e “Bleta”. Nuk mbeten jashtë vëmendjes as përkthimet e tij, ku veçohen novelat e Pirandelos a përrallat arabe “Një mijë e një net”, etj. U shua, më 22 maj të 1986-ës, si shkrimtar i harruar, i kthyer në bojaxhi.
Këtë maj, në të 16-ën ditë të tij, në hotel “Dajti”, ky libër kujtimesh do të promovohet mes një rrethi miqsh e lexuesish të letërsisë, qoftë ajo e ardhur nga greminat.

Pjesë nga kujtimet/ Mustafa Greblleshi: Njohja me Ibrahim Kodrën, kur më thoshte ‘jeta s’është aq e keqe sa mendohet’
Në faqen e tretë të gazetës ‘Tomori’, redaktor i së cilës ishte shoku im Nexhat Hakiu, kisha botuar një tregim të përkthyer nga italishtja dhe frëngjishtja. Një ditë më thirri në zyrën e tij kryeredaktori i gazetës, kritiku i njohur Vangjo Nirvana, i cili dy vjet më vonë u mbyt në Adriatik. Duke më dhënë një vëllim të Pirandellos, më tha:
– Dua të krijoj një lëndë rezervë për faqen e tretë të gazetës. Prandaj përkthe ato tregime që kam shënuar me laps të kuq dhe m’i dorëzo një e nga një. Gjej edhe një piktor për ilustrimet. Përkthimi i një tregimi paguhet dhjetë franga, ndërsa skicat shtatë franga.
Kritiku Vangjel Koça nuk e bëri këtë për të krijuar lëndë rezervë, por për të më ndihmuar mua materialisht. Sepse tregimet e Pirandellos që përktheva unë dhe që ilustroi piktori Ibrahim Kodra nuk u botuan në gazetë. Është për t’u habitur, se pas njëzet vjetëve, më 1962, tregimet e Pirandellos m’i dha për t’i përkthyer drejtori i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, poeti Drago Siliqi, i cili më ka dashur shumë dhe më ka përkrahur sa ka mundur.
Mora vëllimin me tregime dhe nxitova në kino “Nacional”, ku punonte shoku im, Ibrahim Kodra, i cili bënte një pllakat për reklamimin e çdo filmi. Këtë pllakat e shëtiste një person i paguar nga Hysen Aga, pronari i kino “Nacionalit”.
Ibrahim Kodra, sot piktor shumë i njohur, i mbetur në mërgim, ishte një djalë shumë i mirë dhe me shumë talent. Temperament i heshtur dhe i mbyllur, por me një botë të pasur shpirtërore. Ai ishte gjithë ndjenja. E donte shumë letërsinë dhe pikërisht dashuria për letërsinë na kishte bërë shokë të mirë. Në atë kohë ishte shumë keq nga gjendja ekonomike. Megjithatë, e donte shumë jetën.
– Jeta nuk është aq e keqe sa mendohet, – më thoshte, – se po të ishte aq e keqe, nuk do të ishin aq të paktë ata që vrasin veten.
Ibrahimin e gjeta duke vizatuar me laps karboni një vajzë “liberale”, nga ato që shoqëroheshin shumë me italianët. Vizatime të tilla i bënte rëndom në atë depo kinemaje, të cilën e quante “studio”. Ibrahimi nuk thoshte dot “jo”. Nuk ia prishte kurrkujt.
– Lëre atë punë, – i thashë, – se kam gjetur një punë më me leverdi dhe më me dinjitet.
Dhe i fola për marrëveshjen që kisha bërë me kryeredaktorin e gazetës. U gëzua shumë. Filluam menjëherë nga puna. Përktheja një tregim në ditë. Ibrahimi bënte skicat. Dorëzuam të parin. Kryeredaktori mbeti i kënaqur edhe nga përkthimi, edhe nga skicat. Çdo ditë merrnim unë dhjetë franga dhe Ibrahimi shtatë franga. Dhe çdo mbrëmje shkonim në restorantin e Bim Kuranit “Pëllumbi i bardhë”, ku pinim nga një gotë birrë dhe hanim nga një panine me dy qofte. Ne shkonim te “Pëllumbi i bardhë” se aty mblidheshin të gjithë ata që merreshin me art dhe me gazetari. Bim Kurani porsa ishte kthyer nga Spanja, ku kishte luftuar në brigadat revolucionare dhe ne habiteshim se si mund të tërhiqte zjarri i luftës një njeri si Bimi, që ishte aq i dhënë pas argëtimeve.
Mbas shumë vitesh, Ibrahim Kodra u bë në dhe të huaj piktor i njohur dhe i pasur. Kur hapi një ekspozitë në Paris, Picasso i vlerësoi shumë punimet e tij me këtë shprehje figurative: “Ky nuk është Ibrahim Kodra. Ky është Ibrahim Kobra”. Kur erdhi në Shqipëri si turist, kërkoi të takohej me mua, por për rrethana të ndryshme nuk u takuam dot. Në një bisedë intime me shokë të tij të vjetër piktorë, ai ishte shprehur kështu:
– Më ka rënë rasti të shijoj gjellët e restoranteve më të përmendura të Europës, por shijen e qofteve që kam ngrënë me Mustafa Greblleshin në restorantin “Pëllumbi i bardhë” nuk e kam ndeshur gjëkundi.
Qoftet te “Pëllumbi i bardhë” ishin me të vërtetë shumë të shijshme, sepse kuzhinieri i Bim Kuranit ishte artist në zanatin e tij. Por asokohe unë dhe piktori Ibrahim Kodra ishim gjysmë të uritur.
Nga piktori Ibrahim Kodra më ka mbetur një klishe. Është klisheja e një karikature me të cilën ilustroja artikujt e shkruar në dialekt të Tiranës, të nënshkruar me pseudonimin Liu i Cakut. Ky është i vetmi kujtim që më ka mbetur prej tij.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Nje roman i mrekullueshem.E kam lexuar ne vitin 1957,blere tek nje bukinist ne Rrugen B.Curri,perballe ish- Muzeut te Luftes,lexohej fshehtas,quhej liber i verdhe dhe si i tille ishte i ndaluar.Libri kaloi dore me dore tek shoket e mi deri sa me humbi,nuk ma kthyen,me ka ngele peng qe nuk e kam ne bibloteken time. Me nostalgji,lexuesi Petro Collaku,Sarande.

    Përgjigju ↓