OPINION

Një ‘bojaxhi’ për fasadat e Rilindjes

07:43 - 12.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Eleina QIRICI




 

Tani që fasadat politike, demagogjike, partiake dhe qeverisëse u hirnosën, Rilindja kërkon “bojaxhinj”, me apo pa stazh politik, e rëndësishme është që fasadave të rrjepura t’u kalohet një bojë dhe monizmit t’i jepen ngjyra pluraliste, mes një multipartizmi, ku parti që u ngjajnë më shumë shoqërive “të miqve”, i atashohen partisë qendrore. Dhe për ironi të fatit, procesit të traumatizuar zgjedhor, monist në thelb të tij, i afrohen “bojaxhinj” dhe “zanatçinj” që sfidojnë demokracinë dhe pluralizmin në Shqipëri, me parulla dhe citate politike, me pretendimin se vijnë të prirur për të shkërmoqur sistemin, duke i vënë stëngëza dhe paterica, Partisë Socialiste që shkatërroi sistemin qeverisës, jo vetëm në ideologji dhe funksion, por edhe duke cenuar procesin dhe formën e zgjedhjes për përfaqësim.

Kë sfidon “bojaxhiu”, fasadën e hirnosur, apo veten? Sepse demokracinë dhe pluralizmin nuk mund ta sfidojë kurrsesi një parti politike, që sot përkrah zgjedhje jo legjitime, një farsë elektorale për të instaluar një neo-diktaturë dhe për të përmbushur dhe mbrojtur interesa individuale, me një pseudo petk komunitar, individësh që vijnë që të zhbëjnë një sistem dhe të ndërtojnë një tjetër. Por si dhe kë sistem do të ndërtojnë këto parti “sfidante”? Këtë përgjigje nuk mund ta japin “bojaxhinjtë” e rinj dhe “zanatçinjtë” e vjetër partiakë, që janë bërë sot pjesë e një loje të shëmtuar, por mbi të gjitha janë bërë pjesë e një procesi zgjedhor antikombëtar dhe antishqiptar, antidemokratik dhe antieuropian. “Partia” është një koncept i rëndësishëm, një nyjë që ndërlidh popullin me administrimin qeverisës, sipas Shkencave Politike dhe veçanërisht sipas Sociologjisë Politike. Sakaq, strukturimi i këtij koncepti ka qenë historikisht shumë herë i paplotë, në shumë raste të shqyrtuara dhe studiuara nga akademikë të shkencave politikë. Në Shkencat Politike klasike (institucionale) “partia politike” përshkruhet ose me terma të “rregullimit ligjor” (ku partia është një union personash, me një ideologji të përbashkët, që synon marrjen dhe ushtrimin e pushtetit), ose “partia politike” përshkruhet në terma “funksionimi” (ku partia kryen funksionet për harmonizimin e interesave në kuadër të qeverisjes, ngritjes së strukturave shtetërore dhe administrative, si dhe ndërlidhjes së popullit, shoqërisë, komunitetit me shtetin). Në sa më sipër, ku e gjejnë veten partitë e “bojaxhinjve” dhe “zanatçinjve”? E megjithatë, “partia politike” është një koncept shumë më kompleks. Lidhet në mënyrë direkte me teorinë e përfaqësimit dhe të marrëdhënieve social-ideologjike, që organizohen në brendësi të vetë strukturës së “partisë politike”. M. Weber e ka përkufizuar në formë edhe më energjike dhe sinergjike, duke e cilësuar “partinë politike” si prodhuese të së drejtës së përbashkët elektorale, që shoqëron shtrirjen e demokracisë përfaqësuese dhe të nevojës për të sjellë pranë simpatizantë, anëtarë dhe mbështetës. Për rrjedhojë, “partia politike” është pikë së pari një krijesë politike marrëdhëniesh përfaqësimi. Marrëdhënie që burojnë nga shkaqe historike dhe riprodhohen në kushte rivaliteti social dhe politik.

Në sa më sipër, ku e gjejnë veten partitë e “bojaxhinjve” dhe “zanatçinjve”? Kriza e sotme politike në Shqipëri nuk është krizë ekzistenciale partish politike, që mbartin në vetvete misionin e konsolidimit të demokracisë përfaqësuese. Aspak! Kriza politike sot në Shqipëri është tendencë për të goditur vertebrën e sistemit demokratik pluralist, është revansh për të rrënuar themelet e sistemit elektoral pluralist, mes së cilit shtetasit gëzojnë të drejtën e përzgjedhjes dhe përfaqësimit politik. Në këtë rrezik të cenimit të sistemit, ku monopartizmi po bëhet qëllim në vetvete për Partinë Socialiste dhe lidershipin e saj, vijnë dhe shfaqen aktorë (në dukje politikë), parti hibride pa përkatësi ideologjike, pa platforma dhe strategji, apo krijesa makinacionesh dhe manovrash politike të dirigjuara për të sfiduar demokracinë e vërtetë dhe qytetarët, nën petkun e të ashtuquajturës “së resë” në politikën shqiptare (me kryetarë dhe drejtues të vjetër, por edhe të korruptuar), për të kamufluar para Europës dhe Botës qëllimin e vërtetë, atentatin që duan t’i bëjnë demokracisë përfaqësuese në Republikën tonë Parlamentare. Fasadat kanë rënë! “Bojaxhinj” dhe “zanatçinj” nuk e bëjnë dot monizmin të plurtë në Shqipëri. “Bojaxhinj” dhe “zanatçinj” nuk e mbulojnë dot të zezën e krimit dhe mavinë e errët të korrupsionit, me astarin e partive njëpërdorimshe. Sfidë sot është ai akt politik që të bën të tejkalosh veten!

* Autorja është deputete e PD

 

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Eshte vertet turp.By bojaxhi,ka qene minister ne kohen e PD.tANI ME PATURPESINE ME TE MADHE KERKON TE BOJATISE RILINDJEN.TURP PER KETA NJERES

    Përgjigju ↓