OPINION

Shtet që të “vret”

07:40 - 12.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Xhevat MUSTAFA




 

Ka rreth 26 vjet që klasa politike dhe qeverisjet e saj të periudhës së pluralizmit, në garë të ethshme dhe të paskrupullt oratorie, fantazie, hipokrizie dhe demagogjie u premtojnë zgjedhësve të tyre dhe të gjithë popullit krijimin e një shteti ligjor, modern dhe të efektshëm në të gjitha drejtimet. Por, deri sot e kësaj dite gjithçka na ka dalë një përrallë. Ashtu si shumica e përrallave me të cilat na kanë mashtruar, vënë në gjumë apo tallur për rreth një çerek shekulli. Edhe këto ditë, kur nga maja e piramidës së “Rilindjes” flitet dhe shkruhet “për nisjen e motorëve të fushatës së re elektorale” për gjasme zgjedhjet e 18 qershorit 2017, me opozitë të sajuar si kukullat nga plastelina apo si njerëzit prej bore, kjo përrallë po vlerësohet dhe përdoret si njëra nga kartat më të forta të shtabit të saj elektoral. Duket dhe kuptohet se kryeministri Edi Rama e ka më për zemër dhe nëpër gojë e duar. Natyrisht nuk mund t’i ndalohet e drejta të vazhdojë të ëndërrojë, të premtojë, të bëjë demagogji apo të përrallisë për shtet modern dhe funksional. Por, sinqeriteti dhe besueshmëria e tij vihen ndjeshëm në dyshim kur shihet dhe kuptohet se shteti i “Rilindjes” është i projektuar dhe mbështetur më së shumti mbi supet dhe paratë e pista të bosëve të trafiqeve dhe të krimit të organizuar, me shumë emra nëpër dosjet e drejtësisë të vendeve të ndryshme. Krahas tyre, nëpër zyrat e shtetit të “Rilindjes” gjen me bollëk vajza e djem, që mund të dinë shumë mirë anglishten, por jo në të njëjtin nivel shqipen dhe ABC-në e detyrave dhe të punëve, që u janë ngarkuar. Prandaj nuk përbën diçka të papritur e të pazakontë kur shikon drejtues dhe nëpunës që pjesën më të madhe të orarit zyrtar e kalojnë me celularë e kompjutera, duke bërë ‘selfie’, ‘like’ dhe ‘share’. Apo që të hedhin sytë e bëjnë punë vetëm kur shikojnë dhe marrin zarfet e rëndë. Kryeministri mund ta dijë më mirë sasinë e saktë të telefonatave apo të mesazheve që i janë drejtuar atij për ndihmë dhe ndërhyrje nga qytetarë hallexhinj, të sorollatur me muaj dhe vite nëpër zyrat e ministrive, të drejtorive të përgjithshme, bashkive… Kjo mund të “përkthehet” edhe si mbulim apo fshirje prej tij e “pisllëqeve” të shtetarëve të tij të të tria niveleve…

Edhe si lakuriqësim i paaftësisë dhe korrupsionit të tyre. Gjithashtu, prej kohësh nuk përbën risi dhe befasi fakti se jo pak prej zyrtarëve të shtetit të “Rilindjes” janë me dëftesa dhe diploma të blera. Ata janë “nxënës” për të bërë detyrat e veta dhe për të zgjidhur hallet e qytetarëve, por edhe “profesorë” për pasurimin vetjak, për të vjedhur pasuritë kombëtare dhe qytetarët taksapagues me tenderë dhe koncesione, për të shitur shtrenjtë vende pune, shërbime, leje, licenca… Jo pak prej tyre janë bërë të njohur, të përfolur dhe të urryer edhe si njerëz të paskrupullt, që u nëpërkëmbin vartësve dhe njerëzve hallexhinj nder, dinjitetet, integritet, vota, të drejta… Duke u përpjekur për të menduar dhe për t’u shprehur si shumica e qytetarëve do të përpiqem të vërtetoj me disa fakte se ky soj shteti që kemi është shumë larg atij ideal që kemi ëndërruar dhe që është funksional në Zvicër, Danimarkë, Suedi, Norvegji, Finlandë, Islandë, Irlandë, Austri, Gjermani, Francë, Britani të Madhe, Holandë, Belgjikë… Ky model shteti që kanë sajuar “arkitektët” e tij shqiptarë është i pashpirt. Përgjithësisht nuk të vdes e të vret në vend e në çast, por ta merr shpirtin ngadalë e tmerrsisht gjatë.                                                                                                                                                Shteti “ynë” na vret çdo sekondë me ajrin dhe ujin e ndotur, deri në nivele disafish më të larta se sa minimalja e lejueshme. Na sëmur dhe shkurton jetën me misrin, grurin, elbin, orizin e lashtësuar nëpër depot e Rusisë, Ukrainës, Serbisë, Kinës, Indisë, Italisë, Egjiptit… Edhe me një vështrim të shpejtë në një thes mjafton për të kuptuar se pjesa më e madhe e këtyre mallrave është e mykur, e krimbur, e përzier me kakardhiqe dhe urinë minjsh. Po nga shteti ynë, që bën ose tregtarin dhe ortakun, ose spektatorin dhe indiferentin, kalojnë nëpër gojën dhe stomakët tanë me mijëra tonë mishëra viçi, lope, kau, derri, pulash, sallamrash, qumështi të lëngshëm e pluhur, djathërash, gjalpi, vezësh, produkte të konservuara mishi dhe peshku, lëngje frutash, kakao, çokollata, biskota, kikirikë, bajame, lajthi… Përgjithësisht, në vendet e origjinës së prodhimit, si Rusia, Ukraina, Serbia, Maqedonia, Kina, Vietnami, Bangladeshi, Brazili, Argjentina, Greqia, Turqia… janë me afate të skadencës të kapërcyera prej muajsh apo vitesh e të planifikuara për groposje, sepse përmbajnë nivele të larta rrezikshmërie për shëndetin dhe jetën e njerëzve. Por prodhuesit, magazinuesit dhe tregtarët nga këto vende i shpëtojnë nga telashet dhe shpenzimet e transportit dhe të groposjes disa tregtarë shqiptarë. Na i falni ose na i shisni neve me çmim minimal, – u propozojnë ose u luten, sepse ne shqiptarët kemi trashëguar nga koha e komunizmit nivel të lartë imuniteti ndaj shumë mikrobeve dhe sëmundjeve… U ndryshojmë ambalazhimin, kohën e prodhimit e të skadencës dhe gjithçka është në rregull. Aq më tepër që kemi një shtet sylesh apo që blihet… Ndërsa ata realizojnë pasurimin e tyre më të madh e të shpejtë, nga ana tjetër ndodh shtimi i vazhdueshëm i ushtrisë së qytetarëve që dynden spitaleve publike dhe private. Këtu i presin jo pak mjekë, që nuk i prekin me dorë ose hedhin sy pa u dhënë shuma të larta në lekë, euro, sterlina, që i rrënojnë ekonomikisht si familje… Jo pak kanë fat edhe më të keq, vdesin dhe mbipopullojnë varrezat, ku familjarët mezi u gjejnë apo blejnë një varr. Tek shteti dhe qeveritë duhet të kërkohen dhe gjenden lehtësisht përgjegjësitë dhe autorësia edhe për vrasjen e ngadalshme, por të pandalshme që po na bën nëpërmjet pagave, pensioneve dhe asistencës sociale në shuma të ulëta si dhe nëpërmjet niveleve të larta të korrupsionit, kriminalitetit, trafiqeve të drogërave, të çmimeve, taksave dhe të tatimeve… Jo pak njerëz po vdesin dhe po vriten pareshtur, pa kuptuar dhe pa sensibilizim, nga “shteti i tyre” nëpërmjet papunësisë, varfërisë, sëmundjeve të shumta nga kequshqyerja, nga stresi dhe depresioni, nga pamundësia për të blerë ilaçet e duhura e të paskaduara me çmime tejet të larta, për të mbledhur shumat e mëdha të parave që u duhen dhe kërkohen nëpër klinikat e spitaleve… Po nga ky shtet, nga lart dhe poshtë tij vijnë edhe dramat dhe tragjeditë me burime konkurrencën e pandershme; pamundësinë për shlyerjen në kohë të kredive në banka dhe të borxheve tek shokë e miq; falimentimin, rrënimin ekonomiko-financiar, psikologjik e moral individual dhe jo rrallëherë, edhe familjar… Shteti ynë “i dashur” apo “armik” na vret pareshtur edhe duke na shtuar stresin dhe depresionin nëpërmjet bombardimit televiziv, radiofonik, gazetaresk me kronika të zeza e të përgjakshme krimesh sa ordinere, aq edhe monstruoze. Përgjithësisht emisionet informative dhe faqet e para të gazetave mbushen me lajme vrasjesh me armë zjarri e të ftohta, edhe në mes të ditës dhe të qyteteve, në formë larjeje të hesapeve të vjetra e të reja, të sherreve dhe konflikteve, sidomos të lidhura me trafikun e kanabisit dhe të drogave të tjera; të vetëvrasjeve, aksidenteve,  aborteve… Nuk mund të harrohet se ky shtet, për 105 apo 26 vjet në “fazën e krijimit” po vret vetveten dhe qytetarët e tij edhe nëpërmjet papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit, mercenarizmit dhe misionarizmit, destruktivitetit dhe konfliktualitetit kryesisht për motive dhe interesa ngushtësisht individuale, karrieriste apo pasurimi, të shumicës së klasës politike dhe të ekipeve qeverisëse. Ky vend dhe ky shtet mund të quhen ferr për shumicën e qytetarëve dhe parajsë për shumicën e politikanëve dhe të qeveritarëve. Këtu injoranti, diplomablerësi, trafikanti, krimineli, i korruptuari, imorali… bëhet shumë më shpejt e shumë më lehtë se kudo çfarë t’i shkojë ndërmend e t’i dojë qejfi. Duke u bërë shok, mik dhe ortak me kryetarë partish dhe politikanë të tjerë me peshë të rëndë, jo pak prej tyre janë bërë kryebashkiakë, deputetë, drejtorë të përgjithshëm, shefa në komisariate të policisë… Shprehur ndryshe, janë bërë bosë për pasuri dhe për miqësira e për ndikim në majën e piramidave partiake dhe qeverisëse. Kjo dukuri është një nga shkaqet e shumta pse në vendin dhe shtetin tonë jeta e njeriut kushton më lirë se kudo. Ekipi politik, qeverisës dhe elektoral i “Rilindjes” nuk resht duke e lavdëruar vetveten për “mrekullitë” që kanë bërë gjatë mandatit të parë. Pra, edhe për forcimin dhe modernizimin e shtetit. Por, jo shumë larg tribunave elektorale, realiteti është krejt tjetër. Shqipëria e sotme vazhdon të jetë një shtet ku njerëzit vriten për një fjalë goje, për një gërvishtje të lehtë veture, për një vend parkimi, për një mur ndarës, për një çerek metri sipërfaqe banimi apo toke, për një degë peme mes tyre, për një sherr fëmijësh, për harresën nga nusja të kafesë së mëngjesit për vjehrrin dhe… për t’i puthur e larë duar e këmbë… E kam shkruar edhe rreth dy vjet më parë. Ne jemi një vend dhe një shtet pa… shtet të vërtetë, normal, funksional, modern. Jo sepse nuk e duam dhe nuk dimë ta bëjmë në këtë standard. Por, sepse më së shumti kështu u leverdis disa fqinjëve tanë dhe disa miqve të fuqishëm të tyre në Lindje dhe në Perëndim. Të dyja palët nuk reshtin duke investuar dhe duke na vënë gurë e drurë në këtë rrugë, edhe nga kryeqytetet e tyre, edhe nga Tirana. Duke i kërkuar gabimet, fajet dhe përgjegjësitë edhe tek vetvetja, nuk është e vështirë të kuptohet se nga klasa politike dhe qeverisjet shqiptare të të dyja ngjyrave apo krahëve, edhe tani pas 105 vjetëve pavarësi dhe 26 vjetëve pluralizëm, kemi një shtet që më shumë të vret, të merr e të shfrytëzon se sa të jep, mbështet dhe mbron. Kjo të shtyn të kujtosh dhe të marrësh në konsideratë edhe thënien apo faktin se çdo popull, në fund të fundit ka qeverisjen dhe shtetin që meriton. Për të përforcuar opinionin personal apo idenë se shteti që na premton dhe po krijon prej 4 vjetësh Edi Rama nuk është ai që u duhet dhe u shërben shumicës së qytetarëve, po risjell të përmbledhur një histori të shkurtër. Ma tregoi për humor, ndërsa pinim kafe, një miku im socialist me bindje dhe me votë, saktësisht aty nga ora 11 e dt. 10 maj 2017. Në një nga ditët e pranverës 2013, një biznesmen italian rreth 50-vjeçar ishte marramendur nga bollëku i vajzave të reja e të bukura nëpër lokalet e “Bllokut”. Kur kishte ardhur pas një viti me shpresën se do të kënaqte sytë përsëri, kishte mbetur i befasuar dhe i zhgënjyer që kishte shumë më pak. Kishte pyetur për këtë fakt partnerin e tij shqiptar në biznes dhe që e shoqëronte.

– Aha! – i ishte përgjigjur ai. Shumicën e atyre femrave të reja e të bukura Edi Rama na i ka bërë shefe dhe drejtoresha.

Kjo histori ishte edhe për një dozë të lehtë humori në mbyllje të një tabloje me doza të forta skepticizmi dhe pesimizmi.

 

 


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Përgëzime zoti Mustafa! Si gjithnjë, i saktë dhe objektiv ndryshe nga mjaft të tjerë të racës mercenare në gazetari që pozicionohen sipas interesit dhe përfitimit duke u bërë kështu pjesë aktive e gjithë kësaj tabloje tragjike dhe që të vret.

    Përgjigju ↓
  2. Realitet i hidhur i nderuari Xhevat, por mua me duket se ky stil jete qe pershkruani ju per qarqe te larta eshte shtrire deri tek tabani popullor. Te varfër dhe te mashtruar mua me duken vetem te ndershmit qe tashmê përbejnë pakicën kombëtare, te.cilët quhen budallenj, të paaftë apo teveqela. Sigurisht se stili mashtrues i kultivuar nga qarqet e larta frymëzon shtresa tte tjera te popullit për shtrirjen e gjerë të këtij grami helmues. Shkrimi juaj nje pasqyre e këtij realiteti tragjik.

    Përgjigju ↓