OPINION

Familja shqiptare në Ditën Ndërkombëtare të Familjes

07:39 - 15.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Besnik BAKIU




 

Sot është Dita Ndërkombëtare e Familjes, e cila simbolizon anembanë botës përkrahjen e vlerave dhe rëndësinë e familjes në shoqëri. Kjo ditë njihet që nga viti 1993, kur Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli 15 majin si “Ditën Ndërkombëtare të Familjes”, me qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për problemet dhe çështjet e familjes, promovimit të familjes dhe vlerave të saj, nxitjen e barazisë midis grave dhe burrave në familje, mbrojtjen e familjes si njësi bazë e shoqërisë, dhe për të ndihmuar familjet për të përmbushur përgjegjësinë e tyre për komunitetin; si dhe për të ndihmuar që këto çështje të fitojnë rol të rëndësishëm në politikat e shteteve anëtare.

Familja si shtyllë e çdo shoqërie mbrohet nga Kombet e Bashkuara në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut. Institucionet shtetërore, publike dhe OJF-të, në këtë ditë në gjithë botën organizojnë aktivitete në nivel lokal, kombëtar dhe ndërkombëtar, që kanë për qëllim të tregojnë zona të ndryshme të rëndësishme për familjen dhe proceset shoqërore, ekonomike dhe demografike që prekin familjet.

Po familja shqiptare, ku ndodhet?

Familja jonë, e cila dikur ka zëvendësuar edhe vetë shtetin (të cilin në të shumtën e rasteve e ka pasur kundër ose i ka munguar), sot ka humbur dhe po e humb dita-ditës rolin e saj, duke e kthyer shoqërinë në një shoqëri konfliktuale. Për fat të keq (sipas mendimit tim), në morinë e krizave që ka kaluar dhe po kalon shoqëria shqiptare, kriza më e madhe është “defunksionalizimi i familjes”. Me dhimbje mund të themi se familja ka qenë, por nuk është më…

Tradicionalisht, familja ka qenë institucioni që jo vetëm ka garantuar intimitetin, dashurinë dhe dhembshurinë ndaj individit; ajo ka qenë gjithashtu njësia bazë e jetës ekonomike, politike, njësia bazë e strukturave shoqërore, institucioni më i rëndësishëm edukativ, arsimor, kulturor etj. Kurse sot “defunksionalizimi” i familjes ka sjellë shkatërrimin e elementëve më të qenësishëm të jetës sociale të njeriut. Sot familja shqiptare vuan nga: mungesa e edukimit për liri dhe për përgjegjësi (liria pa përgjegjësi është anarki), privatizimi i lidhjeve afektive (punë për mua, mos ndërhy në jetën time private); largësia me familjen (pjesa dërmuese e kohës kalohet jashtë familjes).

Depresioni ka kohë që troket kërcënueshëm në dyert e familjes dhe shoqërisë shqiptare, duke rrezikuar të ardhmen e saj, e cila u gjend e papërgatitur për të përballuar pasojat që solli kalimi i shoqërisë, nga një shoqëri e mbyllur në një shoqëri të hapur. Duket sikur terapinë “shok” që kaloi ekonomia e pësoi edhe familja. Ndërsa ne bëjmë sikur nuk ka ndodhur asgjë, duke u fshehur si struci dhe vazhdojmë me mendësitë komuniste e post-diktatoriale se “familja shqiptare është më e fortë në botë”, duke harruar atë që na ka thënë Emil Zolaja: “Nëse e varrosim të vërtetën, ajo do të rritet nën dhe, derisa të shpërthejë duke shkatërruar çdo gjë që i del përpara”.

Po përpiqem të rendis më poshtë disa nga fenomenet që më bëjnë të ngre alarmin për defunksionalizimin e familjes shqiptare:

  1. Krimi në familje

Tmerri që kemi përjetuar këto kohët e fundit nga krimi në familje të lënë pa frymë dhe pa fjalë. Ngjarje që edhe filmat horror nuk kanë pasur fantazinë t’i realizojnë. Më keq nuk ka! Situata e krimit në familje është agravuar në përmasa të tilla, që pothuaj është duke kaluar çdo kufi njerëzor dhe është vazhdimisht duke u ekstremizuar e shëmtuar qytetërimin tonë. Me dhimbje konstatoj se tipologjia sociale e tij, jo vetëm është larg kufirit të qytetërimit dhe sjelljes humane, por mund të klasifikohet pa frikë si “patologji zoologjike”, ekzistente dhe të pranuara vetëm në botën që është e kundërt me atë njerëzore.

Krimi në familje çdo ditë e më tepër po ulet këmbëkryq në vatrat shqiptare dhe reagimi për ta parandaluar duket i mefshtë. E ndërsa institucionet caktojnë kritere për të përfshirë gratë në vendimmarrje, qindra gra u drejtohen dyerve të policisë dhe gjykatave të nxira e të gjakosura, të dhunuara, të poshtëruara për të kërkuar mbrojtje dhe për të parandaluar një krim të mundshëm familjar.

Familja sot është streha më e pasigurt për gratë dhe vajzat shqiptare, pasi është kthyer në vendin ku ndaj tyre ushtrohet dhunë më shumë se kudo. Të njëjtën krisje kanë pësuar edhe marrëdhëniet ndërmjet brezave, duke përfshirë ato prind-fëmijë dhe ato që kanë të bëjnë me brezin më të vjetër.

Krimi në familje është kthyer në një fenomen të frikshëm, dhe kjo ndikon negativisht jo vetëm në integritetin fizik, psikologjik, ekonomik dhe social të pjesës më të ndjeshme të shoqërisë (grave, fëmijëve dhe të moshuarve), por edhe në stabilitetin e familjes tradicionale, pasi shoqëria shqiptare nuk i ka ende instrumentet e duhura për ta përballuar krizën e familjes.

Raportet zyrtare tregojnë se fenomeni i krimit në familje rritet vit pas viti. Burri që vret gruan, gruaja që vret burrin, babai që përdhunon të bijën, vëllai që rreh motrën, fëmija që vret prindërit, vëllai që vret vëllanë, prindër që detyrojnë vajzën të prostituojë, nëna që braktis foshnjën etj.

Për vite me radhë dhuna mes partnerëve në familje është konceptuar si problem privat, që duhet zgjidhur nga vetë partnerët ose me ndihmën e rrethit të ngushtë familjar, për të ruajtur “fytyrën e familjes”. Kjo është njëra anë, pasi problem mbetet raporti i ligjit me zbatueshmërinë e tij. Me gjithë ekzistencën e ligjeve që mbrojnë viktimat e dhunës në familje, fatkeqësisht ato kanë fatin e shumë ligjeve të tjera në shtetin tonë, të shkruara bukur dhe me standarde euroatlantike, por të pazbatuara. Po të shikojmë politikat dhe qëndrimet proaktive të shtetit dhe shoqërisë shqiptare, rezulton se: është krijuar një strukturë e posaçme për mbrojtjen e fëmijëve dhe viktimave të dhunës në familje; janë bërë përmirësime ligjore në këtë drejtim; janë kryer trajnime të vazhdueshme për punonjësit që janë të angazhuar drejtpërdrejt në parandalimin e dhunës në familje, por gjithçka vijon të mbetet si më parë. Pra pushteti vendor, autoritetet shtetërore, shërbimet sociale, shkollat, gjykatat dhe policia, deri tani janë treguar të pafuqishme për të frenuar këtë dukuri masive në familjen dhe shoqërinë shqiptare. Dhuna në familje nuk mund të zgjidhet vetëm nga Policia e Shtetit (e cila duhet të përshëndetet, se po kryen si kudo edhe detyrat e agjencive të tjera apo shoqërisë civile), por duhen marrë masa të gërshetuara nga shumë institucione, duke përfshirë edhe ndihmën ndaj dhunuesit që të përmirësohet, edhe ndihmën ndaj fëmijëve, që dhunohen bashkë me nënat në familje, e që rrezikojnë të bëhen përsëritës të dhunës vitet e ardhshme.

Nga ana tjetër, mediat tona i pasqyrojnë ngjarje të tilla në media pa kriter, duke qenë më të interesuara për të mbushur kronikat e zeza nëpër faqet e gazetave, sesa për të kuptuar problemin në thellësi ose për të ndërmarrë iniciativa ndaj këtij fenomeni. Kjo e rëndon akoma më shumë psikikën tonë dhe atmosferën në jetën e qytetarit të thjeshtë. Jo rrallë media është kthyer në media-violencë. Dhuna që jepet në to, jo vetëm ka rritur potencialin dhe shfaqjet agresive e antisociale, por ka nxitur imitimin, modelin për t’u ndjekur: atë të heroit agresiv, kriminal, të dhunshëm dhe të pashpirt.

  1. Tkurrja e familjes

Të dhënat tregojnë se familja po tkurret dhe zvogëlohet nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, po përjeton një proces pothuajse degradues, duke shfaqur prirjen e shpërbërjes. Numri i personave për familje ka zbritur nën 4 persona, pra çiftet nuk po riprodhojnë as vetveten. Ndërkaq, shtimi marramendës i divorceve me një rritje vjetore dyshifrore jo rrallë nxit konflikte e krime në familje. Këto nuk janë shenja, janë provat e tronditjes së thellë të marrëdhënies sociale.

Një raport i fundit nga INSTAT-i shumë i detajuar sjell të dhëna për dinamikën e popullsisë së vendit. Sipas të dhënave, shihet që numri i lindjeve është ulur me 8.5%, ndërsa abortet i janë rikthyer rritjes. Nga ana tjetër, martesat që shkuan në divorc janë rritur me 24%.

  1. Ndryshimi i familjes tradicionale shqiptare

Në vitet e fundit, koncepti i familjes, por edhe vetë familja shqiptare është duke kaluar një krizë të madhe. Një krizë, e cila ia ka ndryshuar përgjithmonë fytyrën familjes tradicionale shqiptare. E kaluar është familja me gjysh, gjyshe, kushërinj e kushërira. Tashmë familja përgjithësisht përbëhet vetëm familja e ngushtë konjugale nga prindërit dhe fëmijët, duke harruar “familjen e zgjeruar” nukleare, pjesë e së cilës janë edhe dajat, hallat, xhaxhallarët, tezet, kushërinjtë dhe farefisi, të cilët, pavarësisht se shkencat sociologjike i trajtojnë si pjesë të familjes, ne i kemi përzënë nga parajsa familjare dhe takohemi vetëm në raste vakie.

Shndërrimi i shoqërisë, nga një shoqëri tradicionale dhe e mbyllur në një shoqëri të hapur kapitaliste, si dhe ndryshimet rrënjësore sociale e ekonomike, kanë krijuar një model të ri të familjes, i cili nuk ngjan pothuajse në asgjë me vite më përpara. Sipas studimeve të kryera kohët e fundit nga sociologë të ndryshëm, kjo krizë ishte e pritshme dhe e pashmangshme. Pretendimi i tyre se këto fenomene, nuk janë vetëm shqiptare, por mbarëbotërore, janë rrjedhojë e modernizimit të familjes, se shoqëria perëndimore duket sikur e ka “vrarë familjen tradicionale”, duke u organizuar në mënyrë të tillë që individi ta ketë të mundur ekzistencën edhe jashtë gjirit të familjes; është vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër është se këto shoqëri e kompensojnë këtë boshllëk me progresin e bërë nga shoqëritë perëndimore në drejtim të sigurimeve shoqërore dhe të përkrahjes sociale të njerëzve, i cili synon plotësimin e zbrazëtisë së krijuar nga kriza e familjes: njeriu e humb familjen, por shoqëria i gjendet me krijimin e disa kushteve duke mos e lënë në mëshirën e fatit. Kurse shoqëria shqiptare është ende larg krijimit të kushteve të tilla, dhe kjo është arsyeja pse kriza e familjes shqiptare bëhet edhe më e mprehtë.

Në Ditën Botërore të Familjes, apeli më i mirë është rritja e vëmendjes ndaj familjes, duke zbatuar një politikë strehimi tepër lehtësuese për familjet e reja, lehtësi në punësimin e tyre si dhe ndihma direkte për shkollimin e fëmijëve për familjet në nevojë. Për ta nxjerrë shoqërinë nga problematika e ditëve të sotme, është e nevojshme që familjet në nevojë të trajtohen me lehtësira financiare. Të hapen rrugë dhe perspektiva për to, të reduktohet varfëria, të luftohen krimi, droga, të parandalohen dhe të luftohen sëmundjet seksualisht të transmetueshme etj.

Procesi i rimëkëmbjes së familjes, është një proces që ecën paralelisht me proceset e tjera të zhvillimit ekonomik, social e kulturor, atij juridik e ligjor, atë të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar e ordiner. Ky proces duhet parë si një betejë me të keqen e madhe, ku hapi i parë duhet të jetë ai i pranimit të realitetit; se deri më sot shteti shqiptar, me gjithë organizmat politikë e shoqërorë, ka dështuar t’ia dalë për të frenuar fenomenin e “rrënimit” të familjes. Ky nuk do të ishte vetëm hapi i parë, por edhe një pikë kthese, një lëvizje që do të ndizte dritëzën e shpresës për frenimin e shkatërrimit të bërthamës së shoqërisë shqiptare, familjes.

Kërkohet që ndërhyrjet e efektshme në rastet e dhunës në familje të bëhen nga të gjitha agjencitë e ngarkuara me ligj, si dhe të institucionalizohen procedura që: vendosin në qendër sigurinë e viktimave, përmirësojnë llogaridhënien e autorëve të dhunës, dhe ndryshojnë mjedisin komunitar, që të mos tolerojë dhunën në familje.

Në përfundim dua të risjell në kujtesën e të gjithëve apelin e Papa Françeskut në fjalimin e Krishtlindjeve në Vatikan në vitin 2014: “Të kujdesemi. Të kujdesemi për shumë gjëra… Por sidomos, kujdesuni për familjen! Familja është thesar, fëmijët janë thesar. Luani me fëmijët: është kaq bukur! Kjo do të thotë të mbjellësh farën e së ardhmes”.


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Bravo, ja vlen te shkruash per gjene me te bukur ne bote. Vetem me nje gje nuk jam dakord. Sistemi qe lam pas dhe qe kishte ne themel dhunen, e kishte prezent ate dhe ne familje. Ne ditet e sodit nuk eshte se eshte rritur dhuna, thjesht eshte bere me dukshme dhe me e raportushme, fale ndergjegjesimit te opinionit publik.

    Përgjigju ↓