EKONOMI

Tiranë/ 250 administratorë të rinj licensohen, ja si dënohen ata që nuk zbatojnë shërbimet

19:52 - 15.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Mariglen Mërtiri

 

Ashensori, pompa, ndriçimi, shkalla, gjelbërimi janë disa nga problemet që hasen rëndomtë në pallatet e ndërtuar rishtazi por edhe ata të vjetrit në Tiranë, ku banorët më së paku nuk bien dakord për një numër shërbimesh. E teksa dëgjojnë politikën e madhe për plane strategjike, besueshmëria se problemet që i shqetësojnë çdo ditë mund të marrin një zgjidhje vjen dhe ulet.

Por Bashkia e Tiranës prej 6 muajsh bazuar në ligjin e 2009 të bashkëpronësisë ka riorganizuar 1800 kryesi dhe asamble dhe ka zgjedhur dhe certifikuar rreth 250 administratorë pallatesh për t’u marrë me shqetësimet e përditshme të banorëve.

“Projekti ka mbaruar brenda Unazës se Mesme të Tiranës, tani që flasim është shtrirë jashtë Unazës së Mesme të Tiranës dhe po punohet në Dajt, Farkë dhe Kashar në zonën e urbanizuar. Janë zgjedhur 1800 kryesi dhe asamble. Administratorët, sot që flasim janë rreth 600-700 administratorë por të certifikuar nga bashkia e Tiranës janë 250 administratorë”, deklaroi Admir Abrija, Drejtor për administrimin e njësive administrative.

Megjithëse masa e detyrimit për shërbimet e kryera caktohet nga vetë banorët ka prej tyre që nuk pranojnë të paguajnë. Një ndër ta është edhe kategoria e qiramarrësve të cilët e përjashtojnë veten nga ky detyrim. Por administratori ka dy mënyra për të mbledhur tarifat për shërbimet e kryera.

“Nëse një person që është i detyruar ta paguajë tarifën dhe nuk e paguan për 3 muaj, atëherë administratori mund t’i drejtohet gjykatës Administrative dhe kthehet në titull ekzekutiv. Ose administratori mund të bëjë një ankesë pranë njësisë administrative e cila e përfaqëson në gjykatën administrative për të mbrojtur interesat e tyre”, shtoi Abrija.

Deri sot pallatet e vjetra kanë një tjetër tarifë pasi edhe shërbimet janë më të pakta ndërsa tek pallatet e reja ky çmim varion deri në 1500 lekë çdo muaj. Por nëse një administrator është i detyruar të taksohet detyrimisht do të rritet kostoja e tarifës për banorët. Por ky shqetësim është marr parasysh nga Ministria e Zhvillimit Urban.

“Deri tani ka qenë 600-900 lekë tarifë administrimi në pallatet e vjetra ndërsa në të rejat nga 100-1500 lekë por varet nga paketa e shërbimeve që kërkojnë kryesitë. Subjektet juridike paguajnë taksa sipas ligjit ndërsa personat fizik nuk kanë nevojë për ‘NIPT’, pasi thirren në punë nga kryesitë e asambleve dhe paguajnë detyrimet që u takojnë mbi pagën që marrin”, sqaron Abrija.

Teksa puna vijon për formalizmin e kryesive dhe vendosjen e administratorëve Bashkia e Tiranës është e vendosur që brenda këtij viti Tirana qytet do të përmbyllë këtë proces dhe shpreson të rikthejë qetësinë dhe harmoninë mes banorëve të një komuniteti.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Si veprohet ne raste kur te vete-quajturit ” administratore” jane vendosur nga investitori i cili nuk ka qene aspak korrekt me kontraktuesit ( banorete pallatit) dhe qe nuk ka ka nje kryesi asamble dhe as mbledhje te tilla nuk jane zhvilluar, a do te konsiderohet si administrator nje i tille?

    Përgjigju ↓