KULTURË

Aleksandër Meksi: Mbishkrimet e rralla osmane, nga Ali Pasha te Sulltan Sulejmani

10:00 - 16.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Aleksandër MEKSI

Botimi i Korpusit të mbishkrimeve osmane nga Shqipëria dhe Mali i Zi nga Profesor Mehmet Tütüncü përbën një kontribut për studimet shqiptare e veçanërisht dhe për studimin dhe vlerësimin e ndërtimeve të kësaj periudhe jo të shkurtër të historisë sonë. Merita është e tij dhe e “Qendrës kërkimore për botën turke dhe arabe” (SOTA) në Holandë, por edhe e shqiptarëve që e ndihmuan në këtë sipërmarrje jo të lehtë.
Korpusi ka 311 faqe dhe 174 ilustrime 132 mbishkrimesh në monumente e gurvarresh. Ai është menduar në tri pjesë nga të cilat dy të parat i takojnë Shqipërisë ndërsa e treta Malit të Zi. Pjesa e parë – “Periudha e parë e sundimit osman” përfshin 24 mbishkrime të viteve 1447-1670; Pjesa e dytë – “Mbishkrime nga qytetet” paraqet 90 mbishkrime nga vitet 1732-1913 dhe Pjesa e tretë – “Mbishkrime nga Mali i Zi” ka 18 mbishkrime si dhe 4 nga Koleksioni Marubi. Veç tyre, Korpusi paraprihet nga një hyrje që tregon objektin dhe kriteret e studimit dhe paraqitjes së mbishkrimeve, si dhe ka në fund bibliografinë e literaturës së përdorur dhe abstrakte të shkurtra në gjuhët shqipe, serbo-kroate e turqisht.
Secili mbishkrim që përfshihet në Korpus paraqitet me një skedë të njësuar, ku jepet përshkrimi i vendndodhjes dhe tabela e identifikimit me numrin në Katalog, prejardhjen, vitin sipas Hijri, vitin sipas kalendarit Gregorian, emrat e përmendur, materialin, gjendjen e sotme të mbishkrimit, gjuhën e përdorur, bibliografinë, pamje, tekstin, përkthimin në anglisht dhe përfundon me komentarin. Pra, një skedë e plotë shkencore, që nuk le vend për keqinterpretime të materialit të paraqitur.
Nga 24 mbishkrimet e periudhës së parë 17 prej tyre nuk janë më. Nga to 14 na i jep udhëtari i njohur Evlia Çelebi, prej të cilave 12 ndërmjet viteve 1608-1730, i njohim vetëm prej tij dhe Autori i jep ato sipas origjinalit duke na treguar se interpretimi i tyre nga Çelebi është i saktë. Nga periudha e dytë mbishkrimet vinë nga 14 qytete të Shqipërisë, çka ndihmon dhe për të studiuar historinë dhe zhvillimin e tyre. Në Korpus janë përfshirë dhe mbishkrime nga ndërtesa të kultit si dhe nga gurvarre e studime për to, veç atyre që përmend Çelebiu, të botuara nga Franz Babinger, Vexhi Buharaja (material arkivor) dhe Machiel Kiel. Kjo e bën të plotë Korpusin, të përditësuar me njohjen e derisotme të këtyre dëshmive, që është një ndihmesë për studiuesit vendës.
Për nga funksioni i tyre, autori dallon në qenien e tyre të ndryshme dy grupe: mbishkrimet ndërtimore dhe ato të gurvarreve (gjithsej 52, nga të cilat 11 në Muzeun arkeologjik të Tiranës dhe 15 nga qyteti i Shkodrës). Duhen përmendur për vlerën dhe rëndësinë e tyre historike 6 mbishkrime sulltanore (dy të Sulltan Mehmetit të Dytë dhe tri të Sulltan Sulejmanit). Kështu mbishkrimet ndërtimore janë dokumente me rëndësi të dorës së parë për vendosjen në kohë të ndërtesave. Ato siç tregon autori, lidhen me data, personalitete e deri dhe me shkruesit e tyre. Disa prej tyre janë dëshmi e ndërtimeve të zhdukura ndërkohë. Ndërsa gurvarret, më i vjetri nga të cilët vjen nga Berati është i vitit 1569/70, japin të dhënë për familje e personalitete, por që gjithnjë duhen verifikuar me të dhëna të tjera. Vlen të shënojmë se 5 nga mbishkrimet ndodhen në Stamboll dhe i takojnë Ali pashë Tepelenës dhe djemve të tij, që duke qenë se janë pjesë e historisë sonë me të drejtë janë përfshirë në këtë Korpus.
Autori i analizon veçmas secilin nga mbishkrimet dhe në rastin e atyre që jep Çelebiu ballafaqon dy prej tyre që ruhen në Vlorë dhe Elbasan dhe bindet për saktësinë e tij. Gjithashtu duhet të shënojmë se paraqitja e çdo mbishkrimi bëhet me kritere të mirëfillta shkencore, sipas një skede të njësuar dhe sipas rastit shoqërohet me të dhëna të tjera dhe komentohet duke qenë kjo një kontribut për historinë. Dy raste më shumë se të tjerat e ilustrojnë këtë : mbishkrimi në “çezmen e Evrenoz beut” në Krujë me datën 1447/8 (në fakt ndërtuar nga djemtë e tij), lidhet me Fetihnamenë për marrjen e Krujës në vitin 1478 dhe mbishkrimi i xhamisë i dikurshëm në Portën e Kalasë së Elbasanit i vitit 1466. U munduam të flasim për përmbajtjen dhe veçantitë e Korpusit nga këndvështrimi i një përdoruesi të tij, kusht i domosdoshëm për vlerësimin. Gjykimi ynë është tejet pozitiv për përmbajtjen, paraqitjen e materialit dhe nivelin shkencor të trajtesës. Dëshirojmë të theksojmë se studimeve shqiptare i mungonte, për shumë arsye një punim i tillë, por sot ne e kemi në dorë këtë, falë punës këmbëngulëse të profesor Mehmet Tütüncü. Ne i gjykojmë të mëdha vlerat shkencore të Korpusit, nivelin dhe dobinë e tij.
Autori ka qëmtuar me këmbëngulje në terren dhe në literaturën shkencore, çka ia mundësonte formimi dhe niveli i tij. Sot studiuesit shqiptarë dhe kushdo i interesuar për historinë e vendit ka në dorë një Korpus, që ofron të dhëna të pakundërshtueshme e autentike për krijime, ndodhi, persona e ndërtime deri dje në harresë, ose të shpjeguara me vështirësi për shkak të mangësive për të dhëna të sakta.
Studiuesit shqiptarë duhet ta falënderojnë profesor Mehmetin dhe SOTA-n për këtë kontribut shkencorë që na dha si një instrument për të thelluar, orientuar e saktësuar studimet tona, që do të nxisë për kërkime të mëtejshme për arkitekturën dhe artet e periudhës së sundimit osman, për historinë tonë. Korpusi ishte një domosdoshmëri, sot ai është një “armë” në duart tona, një shembull që duhet ndjekur, e pse jo dhe thelluar me gjetje të reja nga kjo periudhë. Korpusi duhet të jetë dhe një shtysë që më në fund të detyrojë ata, të cilëve u takon, për botimin e studimit përkatës të Vexhi Buharasë, që fle diku për shkak të inercisë dhe indiferencës të atyre që e posedojnë.
Uroj që sa më parë të mundësohet botimi i Korpusit në gjuhën shqipe, e nëse nevojitet edhe i përmirësuar me të dhëna të reja apo të pa përfshira në këtë botim, gjithnjë kjo në gjykimin e autorit. Do të ishte një botim i nevojshëm dhe i tepër dobishëm.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Eh, nuk ke ç’far ti besh, vitet ikin dhe ja na u plak edhe kryministri i pare i demokracise, pavaresisht se emrin “demokraci” e pervehtesuan disa qe ben kariere duke shkateruar Shqiperine. Vertet e shkaterruan, por nuk prish pune, sepse e shkaterruan vertet por ne emer te demokracise ama.!!!!
    Mire behet ta perkthejne z. Meksi, por jo duke bere permiresime me te reja, sepse ngaterohet dun’jaja, po te perziesh ato 500 vjet perpara me keto te sotmet. Apo e kam gabim? Dovleti

    Përgjigju ↓