OPINION

Angela – The show must go on

07:50 - 17.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Monika Shoshori STAFA




Të dielën e fundit kristiandemokratët e kancelares gjermane Angela Merkel, shënuan një fitore të papritur në zgjedhjet lokale që u zhvilluan në rajonin e Nordreinh Westfallen, duke vënë në pikëpyetje objektivin e socialdemokratëve të Martin Schulz për ta dëbuar gruan më të pushtetshme të botës prej zyrës ku gjendet që prej vitit 2005.

Shifrat ishin ambicioze që prej fillimit të numërimit të votave dhe u duk qartë që në krye të herës diferenca mes palëve. Ajo çfarë nuk ishte parashikuar ishte pikërisht fitorja e saj e plotë nëse do mundemi të risjellim në kujtesë të njëjtat zgjedhje pesë vite më parë, kur socialdemokratët e fituan këtë zonë me gati 5% më shumë në avantazh. Zgjedhjet e së dielës sipas ekspertëve të analizës, në rajonin me dendësi më të madhe popullsie në Gjermani, shihen gjerësisht si një tregues kyç i humorit të përgjithshëm të gjermanëve para zgjedhjeve federale që pritet të mbahen në shtator. Pas kësaj Martin Schulz, një prej liderëve kryesorë të Europës së Bashkuar, do të ndërmerrte një detyrë jashtëzakonisht të pakëndshme mëngjesin e së hënës në Berlin: si do t’ua shpjegonte grupit të tij se përse partia që ai kryesonte kish humbur zgjedhjet mu në zemër të bastionit të saj tradicional. Përgjigjja e tij prej një gladiatori, megjithatë nuk e ndërroi humorin brenda partisë së tij. “Ndonjëherë, një boksier i mirë edhe mund të qëllohet me një grusht të fortë, – i pohoi Schulz një turme njerëzish që po qëndronin para selisë së SPD-së, – por kjo nuk do të thotë se rivali i tij do të fitojë me domosdo raundin tjetër”. Por problemi i socialdemokratëve të Schulz nuk ishte te forca e grushtit apo goditjes dhe nga erdhi ajo. Ky ishte i treti raund zgjedhjesh mes landesh që u zhvillua në Gjermani dhe ku në secilën prej tyre SPD e Schulz rezulton e humbur. Ndaj ky nuk është një rezultat shpresëdhënës për ta për ngjarjen e madhe të zgjedhjeve federale të vjeshtës. Si dhe ndodh në çdo disfatë, humbësi prej këtej pritet t’u rikthehet edhe një herë draft-propozimeve për rajonin, elaborimit të mëtejshëm të pikave kyçe të programit të tij politik, por natyrisht edhe një detaji që shumë prej liderëve të fundit modernë të Europës e neglizhojnë, njohjen e temperamentit shpirtëror të banorëve të zonës. Për hir të së vërtetës, kuotat e socialdemokratëve shënuan një rritje të konsiderueshme në sondazhe në muajin janar, kur u njoftua se Martin Schulz, Presidenti i Parlamentit Europian do të ishte kandidati i saj kryesor kundër kancelares së hekurt Angela Merkel, duke shkëndijuar papritmas idenë e një “efekti Schulz” në politikën gjermane. Por duket se kjo gjetje e re nuk arriti të sjellë entuziazëm në fushëbetejën politike të socialdemokratëve. Pas tre disfatave me radhë për të gjithë ata që i kanë ndjekur kurset politike të landeve gjermane, Angela Merkel, bija e pastorit luterian vendoset në një pozicion të favorshëm në sprintin e fushatës përfundimtare përpara zgjedhjeve federale të vjeshtës së parë. “Koha e… zgjedhjeve ndër lande ka mbaruar, – tha Merkel pasditen e së hënës në një fjalim prej selisë së CDU-së, dukshëm tepër vitale në paraqitjen e saj para opinionit publik. – Tani një fazë e re beteje ka nisur”.

Vetëm pak orë pasi Schulz kish folur në selinë e socialdemokratëve në Berlin për disfatën e tij, kancelarja gjermane po prej selisë së partisë së saj kish marrë fjalën e saj në pritje të mbarimit të kundërshtarit. Cila do të ishte përmbajtja e fjalimit të saj? Ajo që sot në botën e globalizuar përbën një çështje hotspot të të rinjve; si do të nxisë partinë e saj për investime në krijimin e “vendeve të punës në të ardhmen më të afërt”. Por a mund të mendojmë se ka arsye të tjera përse Merkel ia del të fitojë gjithmonë? Përse kjo e ashtuquajtur “lider de facto” e Europës mund të qëndrojë ende në detyrë edhe për një mandat tjetër në vjeshtë? Në një kohë kur jo më pak se një vit më parë ajo u kryqëzua për shkak të dyerve të hapura ndaj refugjatëve të Sirisë, Afganistanit etj., por edhe presionit të vazhdueshëm që ushtronte ndaj vendeve të tjera më të fuqishme të Europës për pritjen e tyre? Jo, në të vërtetë askush nuk do ta besonte. Por koha po tregon se me gjithë këto handikapë, timoni i anijes së Europës është në anën e saj. Madje më shumë akoma, se na duhet të pranojmë se ka shumë shans që Angela Merkel të jetë një kancelare e gjithhershme e Gjermanisë. Ai që paraqitet, në fakt, si i vetmi rival i saj në aspektin e jetëgjatësisë politike në skenën botërore është presidenti rus, Vladimir Putin, i cili sigurisht nuk ka ndërmend t’i nënshtrohet asfare sistemit demokratik që ofron graviteti politik. Ndërsa Merkel, nga ana tjetër thuhet se ka sfiduar kaq shumë ligje të tilla gjatë karrierës së saj, saqë është e vështirë të mësohet nëse ka mbetur ende ndonjë akt ligjor që të mund të aplikohet kundër saj, duke përfshirë edhe atë më themelorin; ligjin e kohës dhe ndjesinë e lodhjes që mund të sjellë qëndrimi i saj i gjatë në pushtet te publiku i gjerë.

Çfarë duket të jetë e çuditshme për këtë rekord të Merkelit është fakti se ajo vazhdimisht ka konfirmuar pretendimin se dështimet e politikave janë pjesë e pashmangshme e politikës. Megjithatë misteri i “dritës” me të cilin ajo udhëheq qëndron më pak tek ajo vetë sesa te publiku gjerman ose, më saktë, shkruajnë ekspertët, te njohuritë që Merkel ka për atë që publiku dëshiron dhe pret sigurisht nga politika. Dhe ky lloj vlerësimi i saj tregon mirë për shqisën e hollë të nuhatjes që asistentja e hershme Helmu Kohl, zotëron. Por, mbi të gjitha, flet mirë për situatën e pjekurisë politike në të cilën gjendet sot Gjermania. Nëse do t’i rikthehemi përmbajtjes së fjalimeve të saj, gjithkush që i ka ndjekur ato me ëndje leximtari do të dallojë mes frazave të saj, fjali të urta mbi nevojën “për më shumë Evropë” si dhe frikën e saj prej teorisë së “dështimit të euros”, që për të do të nënkuptonte dështimin e Evropës në tërësi. Atë kohë të pazakontë të Europës, gjatë viteve 2008-2009, fjalimet e saj shkaktonin pakënaqësi dhe zemërim në tribunat europiane. Kritika jo të pakta ndërmori dhe presidenti i Gjermanisë asokohe, Joachim Gauck, i cili e akuzoi publikisht për “mungesë kurajoje për t’u treguar gjermanëve hapur se çfarë po ndodhte në të vërtetë”. Por qëndrimi i berlinezes lindore asokohe, siç është edhe tani në shumë sfida të përfshira brenda në Gjermani dhe jo vetëm, mbetet pothuaj krejtësisht një çështje e personalitetit të saj. Përgjithësisht për të, këshilltarët thonë se kancelarja nuk arrin të ketë një vlerësim të mirë mbi strategjitë që hartohen, çka e bën atë tepër të paparashikueshme në objektivat e punës së saj.

Kancelarja Merkel ka besuar gjithmonë se gjermanët mbi të gjitha, si popull duan që në skenën e tyre politike të udhëhiqen nga politikanë të mençur e të urtë.

Në këto ditë ku jemi, kancelarja Angela Merkel sigurisht e vlerëson që Gjermania është bërë de facto lider i Bashkimit Europian, shkruajnë burime nga shtypi evropian, por ajo gjithashtu nuk e heq aspak nga mendja se shumica e gjermanëve në rast rreziku gjithmonë do t’i jepnin më shumë prioritet rehatisë së shpenguar që sjell një jetesë e sigurt (në kuptimin e një gjendjeje të mirë ekonomike dhe një paqeje mendore) sesa përgjegjësive të ndryshme që vijnë me pushtetet, e në këtë rast me vetë kancelaren.

Mënyra se si ajo ka qeverisur, shpesh është përcaktuar se ka rritur kostot e krizës në të gjithë Evropën (përfshirë Gjermaninë), megjithatë është e vështirë të argumentohet mbi eficencën e punës së saj për të fituar zemrat e gjermanëve. Nëse Merkel sërish i fiton zgjedhjet këtë shtator për të qenë kancelare për të katërtën herë në krye të Gjermanisë, kjo do të jetë pikërisht për shkak të ndikimit të frymës së saj qetësuese ballë një krize të tejzgjatur ekonomike që vazhdon të jetojë Evropa; dhe së dyti, edhe për shkak të refuzimit të saj të gjithhershëm për të pohuar se kjo krizë mund të mos përfundojë kurrë. Edhe me këtë lloj qëndrimi, natyrisht kancelarja vazhdon të provokojë zemërim, madje edhe neveri në ato pjesë të Evropës që po i vuajnë pasojat e saj. Por sigurisht, në fund të ditës palët brenda, por edhe jashtë Gjermanisë, do të duhet të pranojnë se ky lloj lidershipi i kancelares gjermane është, me sa duket, lidershipi i një gruaje që mbart jo vetëm një karizëm populist në sytë e europianëve, por një gruaje thellësisht gjermane, mendja e së cilës ka punuar fort tinëzisht që ta bëjë popullin e saj të besojë se, nëse ndonjë ditë do t’i duhej të hynte në librat e historisë për arritjet e saj, ajo do të ishte aty në atë masë sa vetë gjermanët do të duan ta vendosin… dhe me mençurinë e një të urte, se historia kurrë nuk mund të fillonte asesi me të.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.