SPORT

Starova: Shpëtim Duro, miku im i ngushtë, nuk jeton më! Uroj të rrijë gjatë në Vlorë që mos t’i kemi rivalë

11:40 - 17.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Trajneri i Partizanit, Sulejman Starova, pohoi se skuadra që ai drejton nuk është dorëzuar për titullin kampion, ndonëse flitet se “demat” janë jashtë loje. Sipas Starovës, gjersa ekzistojnë mundësitë matematikore, Partizani do të luftojë deri në vërshëllimën përfundimtare për ta arritur titullin.

Ndaj ai kërkon që ekipi t’i vlerësojë maksimalisht dy ndeshjet e mbetura duke marrë pikët e plota. Shpresat e titullit të Partizanit lidhen me një fitore të mundshme të Skënderbeut në Kukës, ose në një barazim në këtë takim dhe në një disfatë të verilindorëve në fund në Gjirokastër.

“Më habit fakti që të gjithë e shikojnë Partizanin të dorëzuar për titullin kampion. Kjo nuk është aspak e vërtetë, pasi gjersa matematikisht ekziston mundësia, ne do të punojmë dhe shpresojmë që ta arrijmë deri në sekondën e fundit. Ndonëse dëshira është e madhe për të na quajtur të dorëzuar, Partizani mbetet i përkushtuar për ta arritur synimin, pasi i kemi mundësitë për ta arritur këtë gjë”, u shpreh fillimisht trajneri i Partizanit.

STAROVA PËR DURON

Pas barazimit në Vlorë, ish-trajneri i Partizanit, aktualisht i pari i pankinës vlonjate, pohoi se të kuqve u ka mbetur ora aty ku e la ai para dy sezonesh. “Shigjetat” e Duros ishin për stafin teknik dhe tregon se ku e humbi Partizani titullin. Starova, në prononcimin e tij për “Panorama Sport”, Duron e konsideron si një shok të ngushtë që nuk jeton më dhe sipas tij Shpëtimi u bë trajner me mik te Flamurtari.

“Është histori e mbyllur me të. Ai ka shkuar në Vlorë me miqësira dhe jo me CV. Mezanin do ta qajë Vlora. Uroj që ai të rrijë gjatë në Vlorë që mos ta kemi Flamurtarin konkurrent. Partizani ishte dhe është skuadra më e mirë e momentit në Shqipëri dhe nën drejtimin tim, duke humbur modestinë, është fakt që sa kam vënë këmbën në pankinë, i kam mundur të gjithë kundërshtarët, përfshi edhe trajnerin aktual të Vlorës, të cilit nuk dua t’i përmend emrin.

Shpëtim Duro, shoku im i ngushtë, nuk jeton më. Ai është transformuar në njeri tjetër për shkak të karrierës. Sa për kujtesë, Partizani nuk e humbi kampionatin në Shkodër, pasi në atë ndeshje na ndëshkoi gjyqtari Meta me urdhër të Dukës. Ne nuk prisnim favore në ndeshjen e fundit në Vlorë.

Të gjithë e panë që u luajt me një portë dhe mund të kishim fituar duke parë edhe penalltinë që nuk na u dha. Kishte thënë se unë çdo javë këtë punë kam, që të ankohem për gjyqtarët. Sa për kujtesë, a ishte ky trajner që para një jave në Kukës u shpreh për gjyqtarin, se kishte mësuar para kohe zanatin? Besoj se kaq mjafton”, u shpreh Starova për trajnerin e Flamurtarit, Shpëtim Duro. /PanoramaSport


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.