EKONOMI

Qato: 520 pronarët që duhet të plotësojnë dokumentet për të marrë paratë

09:55 - 18.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela MANJANI




Agjencia e Trajtimit të Pronave bën të ditur se çeli dje procedurat për kompensimin e pronarëve që u është zënë toka nga ndërtimet pa leje. Pronarët që përfitojnë kompensimin duhet të aplikojnë në Agjencinë e Trajtimit të Pronave duke plotësuar formularin-tip dhe dorëzuar gjashtë dokumente. Kostoja e aplikimit është 2 mijë lekë, ndërsa afati i shqyrtimit të kërkesës është 90 ditë. Grupi i punës, brenda 60 ditëve nga pranimi i kërkesës verifikon dokumentet, ndërsa Drejtoresha e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, brenda 30 ditëve nga verifikimi firmos pagesat. Subjektet përfituese, kërkesa e të cilave nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarifë shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.


Aplikimi
“ATP-ja fton të gjitha subjektet e interesuara, emrat e të cilëve janë miratuar me VKM Nr. 395, datë 03.05.2017, “Për kalimin e së drejtës së pronësisë për parcelat e objekteve të legalizuara dhe kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken prej tyre” të paraqiten pranë zyrave tona për dorëzimin e kërkesës për kompensim nga fondi i ALUIZNI-t”, – thuhet në njoftimin e firmosur nga drejtoresha e ATP-së, Sonila Qato. Referuar këtij vendimi, lista e pronarëve që duhet të plotësojnë dokumentet ka 520 përfitues dhe publikohet e plotë nga “Gazeta Shqiptare”. “ATP-ja ka ngritur grupin e punës, i cili do të kryejë pranimin dhe regjistrimin e kërkesave të subjekteve të interesuara. Të gjitha subjektet e interesuara mund të paraqiten në Agjencinë e Trajtimit të Pronave, me adresë: rruga ‘Muhamet Gjollesha’, Nr. 54, Tiranë, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, çdo ditë, nga e hëna në të premte, ora 09:00 – 12:00”, -thuhet në njoftimin zyrtar.
Pranimi i kërkesave
Procesi i regjistrimit apo pranimit të kërkesave për kompensim fillon 5 ditë pas datës së njoftimit publik. Me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të ATP-së ngrihet grupi i punës për pranimin dhe shqyrtimin e kërkesave, me objekt shpërblimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private që preken nga ndërtimet informale dhe shpërndarjen e fondit përkatës. Grupi i punës, brenda 60 ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës për kompensimin e pronës, kryen verifikimet e duhura. Drejtori i Përgjithshëm i ATP-së, brenda 30 ditëve nga data e përfundimit të procesit të verifikimit nga grupi i punës, nxjerr vendimin me emrat e subjekteve që përfitojnë nga kompensimi dhe urdhëron publikimin e listës së subjekteve që kompensohen. Gjithashtu, ai njofton edhe aplikantët që nuk përfshihen në listën e subjekteve që kompensohen, duke përcaktuar arsyet e mospërfshirjes.

Dokumentet
1.    Kërkesa-tip që vihet në dispozicion nga grupi i punës pranë ATP-së, e plotësuar sipas rubrikave;
2.    Dëshmia e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial, të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi (në rast se subjekti përfitues ka vdekur);
3.    Prokura e posaçme, e nënshkruar nga të gjitha subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronar apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer, paguhet tarifë shërbimi në vlerën 2.000 (dy mijë) lekë, pavarësisht se i përket së njëjtës pasuri të paluajtshme;
4.    Vërtetimi origjinal i lëshuar nga një bankë e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare dhe IBAN-in përkatës;
5.    Fotokopja e dokumentit të identifikimit;
6.    Certifikata familjare e kërkuesit/aplikuesit;
7.    Mandatpagesa për shumën 2.000 (dy mijë) lekë për çdo aplikim të veçantë.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Eshte mire te mbyll I kestet e vendimene qe kane dale qe ne vitin 2009,se vetem keshtu mund ti jepni te drejten e pronesese atyre qe Duan te legalizihen . Zbatoni kompesimi sipas Dates se VKM

    Përgjigju ↓