SPORT

Daja: Në Kukës për fitore, rikthimi i Salihit na gëzon

10:00 - 19.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Jeton SELIMI

Skënderbeu në Kukës për të fituar duke rigjetur Hamdi Salihin. Sulmuesi është rikthyer dje në stërvitje me bardhekuqtë, pasi iu nënshtrua kurës së fizioterapistes së njohur Mariana në Beograd. Riaftësimi i shkodranit përpara një ndeshjeje të tillë shihet me sy pozitiv edhe nga trajneri Ilir Daja, që në Kukës është i ndërgjegjshëm se skuadra e tij luan një finale për titullin ndaj një kundërshtari të pamposhtur në Superiore. “Është një transfertë shumë e vështirë sepse Kukësi është rivali direkt. Kukësi nuk e njeh humbjen dhe ne jemi të detyruar të shkojmë vetëm për fitore. Besojmë se dhe ne kemi shanset tona. Vijmë nga nëntë fitore rresht, kemi gjithë kontingjentin përveç Lilajt. Sot (dje) është rikthyer dhe Salihi pas kurimit jashtë Shqipërisë dhe kjo na i rrit shpresat dhe shanset.”

Gjithsesi marrja e 3 pikëve nuk do të thotë domosdoshmërisht presion për ekipin, pasi Daja kërkon qetësi, duke kujtuar se edhe me një barazim çështja e titullit do të mbetej e hapur deri javën e fundit. “Nuk është i vetmi rezultat fitorja, pasi ka edhe një javë tjetër, duhet të jemi të qetë. Do ta kërkojmë fitoren, por jo me dozë emocionale, por me qetësi.” Trajneri i korçarëve beson se Salihi ka shumë mundësi që të jetë i gatshëm që nga minuta e parë për transfertën e Zeqir Ymerit, ndërkohë që i diferencuar është stërvitur dhe Liridon Latifi, që ka marrë një goditje në ndeshjen e fundit të kampionatit. “Kemi praktikën e Osmanit që dëmtimin e kishte më të rëndë se Salihi, por pas kësaj terapie ishte i gatshëm. Mendoj dhe shpresoj që Salihi të jetë i gatshëm.”

Në fund dhe çështja e gjyqtarit, me FSHF që rrëzoi kërkesën e Skënderbeut për arbitër të huaj, me Dajën që beson gjithsesi se kjo përballje do të jetë jo vetëm një mundësi për të dyja ekipet për të treguar se sa vlejnë, por edhe për gjyqtarin gjithashtu, duke dashur të besojë te gjyqtarët shqiptarë. “Unë nuk e dija që nuk do të merrej parasysh, dhe përpara kësaj kam thënë që dhe gjyqtarët tanë mund ta mbajnë këtë ndeshje. Ajo që e bënte më të lehtë me arbitër të huaj është që do të ishin me ton më të zbutur. Jam i bindur se çdo gjyqtar që do të gjykojë këtë ndeshje do të ketë një bonus edhe për karrierën e tij.”

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.