Publikuar : 19/05/2017

Erozioni nga lumi Drin, rrezikojnë shembjen 40 banesa në “Bahçallëk”

Bej share
Tags

Senad Nikshiqi

Brenda pak viteve, ujërat e lumit Drin kanë gërryer një pjesë të madhe të tokës, duke rrezikuar shtëpitë e lagjes “Bahçallëk” të Shkodrës. Të alarmuar nga situata e krijuar, banorët pohuan se, nëse nuk merren masa urgjente, banesat e tyre mund të shemben për shkak të erozionit. “Masat duhet që të merren sa më shpejt për të shpëtuar këtë lagje, ndërsa është e domosdoshme të investohet për ndërtimin e një argjinature, ose në të kundërt shtëpitë tona do shemben nga gërryerja e tokës”, – tha Nasir Bushati, njëri prej banorëve të “Bahçallëkut”. Ndërkaq, Bashkia e Shkodrës ka dijeni prej kohësh për gërryerjen e tokës në lagjen në fjalë. Nënkryetari i bashkisë, Arben Gjuraj u shpreh për dje për “GSH” se përgjegjësinë e kanë Bordi i Kullimit dhe Ministria e Bujqësisë.

BANORËT
“Është një problem që faktikisht nuk është i sotshëm, por tashmë situata është shumë kritike. Lumi Drin ka degraduar në atë mënyrë sa po nuk u morën masa shpejt, është e vështirë pastaj për të ndaluar dëmet që mund të bëjë. Këtu rrezikohen rreth 40 banesa, dhe shtëpia më e largët është 20 m nga lumi Drin”, – u shprehën banorët e “Bahçallëkut”. Sipas tyre, lumi Drin është bërë problem për tërë lagjen. “Në këtë gjendje siç është sot lumi Drin nuk ka qenë asnjëherë. Ai ka marrë një kthesë të çuditshme dhe godet me rrjedhën e tij komplet pjesën e tokës dhe po u afrua edhe më shumë, atëherë di t’ju them se për një muaj nuk shpëton lagjja jonë”, – pohoi Nasir Bushati. Ndërsa, Fahri Mustafa tha se “gjithmonë lumi Drin ka qenë rrezik për ne dhe vazhdimisht na ka përmbytur. Një problem më i madh është gërryerja e tokës që po i bën. Vite më parë shteti ka marrë disa masa, por kanë qenë të pamjaftueshme për ta zgjidhur tërësisht problemin. Jemi shumë të rrezikuar, pasi mund të humbim gjithçka që kemi”. Nisur nga rreziku që u kanoset, banorët e “Bahçallëkut” kërkojnë ndërhyrjen e institucioneve shtetërore, për të bërë të mundur ndërtimin e një argjinature për të mbrojtur dhe siguruar shtëpitë që të mos ua marrë rrjedha e lumit. “Kërkojmë një argjinaturë që të jetë e qëndrueshme dhe të na mbrojë. Ne jemi ankuar disa herë, por ka disa vite që askush nuk ka ardhur këtu për të parë se sa të rrezikuar jemi”, – tha banori i lagjes, Hamdi Mustafa. Edhe më përpara, banorët e “Bahçallëkut” e kanë ngritur këtë shqetësim për gërryerjen e tokave nga lumi Drin, por deri më tani nuk është gjetur asnjë zgjidhje.

BASHKIA
Burime zyrtare nga Bashkia e Shkodrës deklaruan se prej shumë vitesh, “Bahçallëku” është një nga zonat e nxehta për shkak të erozionit dhe gërryerjes së tokës nga ujërat e Drinit. “Është një kërkesë e bërë prej kohësh nga banorët dhe e kanë paraqitur edhe në Bashkinë Shkodër. Ne, sigurisht që kemi kërkuar mbështetjen e institucioneve që kanë përgjegjësi në ngritjen e veprave mbrojtëse, siç janë: Bordi i Kullimit, Ministria e Bujqësisë dhe Agjencia për Zbatimin e Reformës Territoriale, për të mundësuar ndërhyrjen sa më të shpejtë, për shkak se erozioni jo vetëm dëmton tokën bujqësore, por me kalimin e kohës kostot për ndërhyrje vetëm sa vijnë dhe rriten”, – pohoi nënkryetari i bashkisë së kryeqendrës së veriut, Arben Gjuraj. Sipas tij, ekzistojnë projektet te Bordi i Kullimit për mbrojtjen e banesave në “Bahçallëk” nga erozioni, por ajo që mbetet problem është mungesa e fondeve për të investuar.

Shkruaj nje koment

Kalo te paneli