SPORT

Foto Strakosha: Im bir meriton notën 7, mos e krahasoni me Donarumën

14:20 - 19.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Lacio humbi finalen e Kupës së Italisë për ballë Juventusit me rezultatin 2-0, mirëpo në stadiumin “Olimpiko” ka kuptuar përfundimisht se ka fituar një gardian të artë për të ardhmen në kuadrat.

Thomas Strakosha, edhe pse në edicionin e tij të parë në Serinë A dhe pa shumë eksperiencë të mëparshme në elitë, arriti të tregohet vendimtar për bardhekaltrit me disa pritje përballë Higuain & CO.

Por, në “Olimpiko” ka pasur më shumë se një Strakosha. Në shkallët e tribunës ka qenë edhe familja e tij, me në krye Foton, ish-portieri i Kombëtares shqiptare. Në një intervistë për “Panorama Sport”, babai i portierit të Lacios flet për emocionet e të birit në fund të takimit, për përjetimin e tij personal dhe, mbi të gjitha, për një vendim që ai e tregon në lidhje me djalin. Jo vetëm kaq, por Foto Strakosha i vë notë paraqitjes së portierit të Lacios.

Strakosha, urime për paraqitjen e Thomasit, dhe dua t’ju bëj disa pyetje rreth saj…

Ju faleminderit shumë për urimin, por është më mirë që në këto momente të jenë protagonistët që shfaqen në skenë.

E kuptoj, por ju jeni ish-portier i Kombëtares, jo prind i çfarëdoshëm…

Unë me Thomasin kemi ditur gjithmonë të bëjmë një ndarje të gjërave. Patjetër që, si prind, jam shumë i lumtur për hapat e tij dhe atë çfarë po bën “Tomi”, por në bisedat tona për futbollin është i ndarë raporti baba-fëmijë. Në futboll, gjatë diskutimeve tona, as unë nuk lejoj që të flasim në këto raporte, por as ai nuk më pranon që ta këshilloj si baba.

A mund t’ju pyes, ku e ndoqët?

(Qesh…) Nuk kishte ku ta ndiqja tjetër veçse në stadium, bashkë me familjen.

Cili ishte përjetimi i parë i Thomasit pas ndeshjes?

Nuk e di nëse jam në gjendje të mbaj mend fjalën e tij të parë, por atë ndjenjën e tij të parë po: “Vërtet humbja erdhi përballë një kundërshtari shumë të fortë, por mund të bënim diçka më mirë, që mund të kurorëzonim me trofe”.

Pritjet që ai bëri, reflektoheshin me krenarinë e shprehur të tifozëve shqiptarë në rrjetet sociale. Ju personalisht si u ndiet?

Është ndjesi e veçantë. Jo për nga kënaqësia, por për ndjesinë që ndien gjatë një ndeshjeje. Është ndjesia që ndien kur ia di aftësitë dhe e përjeton nga afër për të ardhmen. Janë momente, të cilat, fatkeqësisht apo fatmirësisht, ngaqë e njoh atë pozicion, jam pak më i rreptë dhe kërkues ndaj tij.

Edhe pas asaj paraqitjeje të tij ishit kërkues?

Jam gjithmonë i tillë. Ma ka dhënë këtë të drejtë, jo vetëm njohja e pozicionit, por edhe aftësitë e “Tomit”. E ndiej dhe besoj sesa mund të ecë ai. Puna është se bindjen që ma ka treguar, të jetë me këmbë në tokë dhe i ftohtë me veten, pra gjithmonë kërkues, e ka shprehur edhe vetë ai. Atë ndjesinë që di t’i menaxhojë situatat, pozitive apo jo.

Ju personalisht, keni djersitur më shumë në këtë finale, apo në debutimin e tij kundër Italisë?

Hmmm… Janë që të dyja të frikshme dhe të tmerrshme për ana e emocionit. Debutimi me Kombëtaren është një përgjegjësi e madhe dhe unë e kam të drejtën që ta di se çfarë do të thotë për atë që ishte në fushë, ndaj për nga emocionet që më dhanë, të dyja ishin me plot ngarkesë. Të dyja janë të rëndësishme dhe të veçanta.

Si debutimi me Kombëtaren, por edhe kjo kundër Juves, ku besoj e dini se çfarë do të thotë të luash një finale në “Olimpiko” përballë 65000 spektatorësh, ku kurorëzohet i gjithë viti dhe ecuria e mirë e ekipit dhe ai mendon se duhet të japë më të mirën që ekipi të fitojë kupën. Ndaj, për të, besoj se të dyja janë momente të rëndësishme.

Mediat italiane e kanë përshkruar në fillimet e këtij sezoni si djalin e Fotos. Po në fund të ndeshjes, çfarë komentesh keni marrë për atë që bëri ai?

Prej disa kohësh, muajsh, jam krenar për atë djalë. Çdo prind është i tillë për fëmijën, por jam i lumtur për atë çfarë po bën vetë Thomasi. Ma merr mendja se ka ardhur koha dhe unë personalisht i kam dhënë fund asaj.

Këtej e tutje, unë jam babai i Thomasit. Duan të më ngacmojnë në rrethin miqësor me këtë gjë, por nuk ka sesi të jetë ndryshe. Unë jam kërkues, por edhe i lumtur me të. Ka shumë rrugë përpara, por jam gjithashtu i kënaqur se ai është njësoj kërkues dhe punëtor ndaj vetes.

Cili ishte pengu i Thomasit pas ndeshjes?

(Qesh…) Ato mbeten mes meje dhe djalit tim. Mundohemi të gjejmë në çdo moment, se çfarë ka dhe çfarë jo për t’u korrigjuar.

Çfarë note do t’i vendosnit paraqitjes së tij, duke treguar nëse do flisni si baba apo si ish-portier i Kombëtares?

Jua thashë më sipër që kur flasim për futboll jemi më të ashpër, dhe nuk ka nevojë që t’ju konfirmoj se si do ta vlerësoj, si baba apo si ish-portier. Nuk mund të them notë, por gjithsesi jam disi i kënaqur nga kjo ndeshje e tij.

Unë do insistoj për notën…

Hmmm… notën 7.

Edhe më i ashpër se mediat italiane?

Ai është mësuar tashmë me ashpërsinë time.

A e keni menduar ndonjëherë që sa keq që Thomasi po e nis karrierën në të njëjtën kohë me një si Donaruma në Serinë A?

Gjithsecili ka karakteristikat e veta. Shumë komplimente për Donarumën si portier, të cilat nuk ka nevojë t’i them unë, pasi ai flet vetë me veprat e tij. Mirëpo them se të veçantë të bën kur zgjidhesh mes më të mirëve, jo kur je vetëm dhe s’ke të tjerë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.