KULTURË

Krimi në fytyrën e përvuajtur të mëmësisë

09:00 - 19.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Josif Papagjoni




“Lukrecia Borxhia” e Viktor Hygoit është një tekst që përmendet në historinë e teatrit. Unë e jap këtë lëndë në Akademinë e Arteve për shumë vite, por nuk e kisha lexuar, veç e dija për se bënte fjalë nga sinopsiset e teksteve universitare. Kjo lëvizje e tejqyrës estetike të romantizmit dhe konceptit të Hygoit në letërsi, posaçërisht në dramë me veprat e tij “Herman”, “Rui Blaz”, “Mbreti argëtohet”, “Lukrecia Borxhia”, e bëri letërsinë dramatike dhe vetë teatrin më të vërtetë, më të thellë. Luspat tanimë bien, edhe spikamat përshkënditëse të mjediseve urbane, aristokratike, feudale, salloneve të ngulfatura nga rituali i lodhshëm, hipokrit dhe tjetërsues, pësojnë po të njëjtin fat, sfidë, stigmë e përbuzje. Bien personazhet “koherentë”, të njënjëshëm, konceptuar në rrafshet e një semantike gati deklarative, me shumë retorikë në ligjërimin e tyre dramatik, bartës të një cilësie të abstraguar e të çuar në sipërani (si dhe tepri), modelime thuajse arketipale ku thyerjet, kundërshtitë e brendshme, spektri karakterial, kontrapunktet, luhatjet dhe shkapërcimet nga njëri skaj në tjetrin ofrohen si pjesë e poetikës letrare të romantizmit.
Lukrecia – përbindësh i së keqes
Lukrecia Borxhia është një natyrë njerëzore e zhbërë në themel, e pandreqshme kurrë më, e zhytur në gjak e krim si Makbethi, e zvetënuar dhe e degraduar, pa një shans të vetëm pendese e mirësimi. Pinjolle e familjes papale, ajo sjell historinë e përzishme të orgjisë morale dhe të krimit, në të dyja shkallët e patolerueshme dhe e patejkalueshme. Historia e Lukrecias është e lemerishme; sikurse edhe historia e Borxhaj-ve në Italinë e fundshekullit XV, përshkohet e gjitha nga një psikozë terrori imanent me krime të përbindshme, për të likuiduar rivalët dhe për të siguruar një pushtet abuziv absolut. Krimi vjen si i “ëmbël”, me një gotë verë të helmuar në një ritual feste e karnavale plot me kostume e maska. Sikurse maska fsheh fytyrën e vërtetë të Lukrecies dhe gjithë Borxhaj-ve, ashtu edhe vera e saj e helmuar shtrin përtokë gjithë kundërshtarët politikë, duke i dhënë krah lakmisë së paskrupull për territore e pushtet. Kur Lukrecia hyn në skenë, spektatori njihet nga parahistoria se një mori raportesh incestuale mbushin jetën e saj dhe të familjarëve. Fillimisht me të atin, papën e kishës katolike, mëpastaj me dy vëllezërit e saj, njëri i vrarë nga tjetri në rivalitetin erotik ndaj së motrës, dhe habitshëm e përzishëm cikli mbyllet me marrëdhënien erotike në potencë me djalin e vet, nga i vëllai, Xhenaron, i ikur e i shpëtuar qysh foshnjë, i rritur në një familje peshkatarësh. Ai kthehet në Ferara si ushtarak i Republikës së Venedikut. Drama bën një kthesë të fortë si theqafje kur Lukrecia merr vesh se Xhenaro është pikërisht djali i saj aq shumë i kërkuar. Raporti erotik si gjasë përmbyset, ndjenja e thellë dramatike e mëmësisë sundon tashmë shpirtin e turbullt të Lukrecias. Mëmësia shndërrohet në një farë katarse të kërkuar e synuar prej saj për të shpëlarë gjithë ndyrësinë e incesteve dhe krimeve të bëra nga vetë ajo dhe nga Borxhajt në përgjithësi. Ndonëse Hygoi e ofron mëmësinë si ndjenjë sublime e të patejkalueshme, gjithsesi Lukrecia nuk mund t’i shpëtojë dot ndëshkimit të paralajmëruar. Dhe është thika dhe dora e të birit që e vret, edhe pse ai nuk e di se ajo është pikërisht nëna e tij. Veçse në emër të po asaj “nëne” që fati ia kishte larguar, përfytyrimi dhe malli ia kishin afruar, kurse zemra prej biri fisnik ia kishte dëlirësuar, ai e godet Lukrecian tanimë si një grua të pacipë e të përzishme, e zhytur e tëra në krim, një hakmarrje sa për veten aq edhe për miqtë e tij të helmuar nga dora e pamëshirshme dhe makabre e kësaj sundimtareje. Lukrecia Borxhia vuan nënën e munguar dhe nënën e pikës së fundit të shpresës dhe të gjakut, vuan instinktin dhe makthin e mëmësisë, por pa rrugëdalje përveçse vdekjes, sepse gjer në fund ajo nuk ka një pendesë, prandaj dhe katarsa e pretenduar përmes mëmësisë thuajse vetëflijuese është e pavlerë. Nga një ndjenjë sado humane nuk mund të shpëlahet ndjeshmëria e saj antihumane që e dominon gjithkah e gjithherë, krimi dhe gjaku i të pafajshmëve do të rikthehet si hakmarrje dhe rivendikim i së drejtës së cenuar të të tjerëve.
Lukrecia e Luiza Xhuvanit
(përpëlitja e një nëne në afshet e krimit)
Bukuria e kësaj shfaqjeje, madje do ta quaja “mrekullia”, ishte loja pasionale e Luiza Xhuvanit si Lukrecia Borxhia. Një aktore e fuqishme, zëplotë, me brufullima shpirti, klithma, dëshpërime e lamente prej “nëne-bishë” në pamundësinë e shpëtimit të të birit, ani pse e zhytur në llum dhe e vdjerrur kryekreje. Pikërisht “nëna-bishë”, me instinktin e ulkonjës për ta mbrojtur “këlyshin” e vet. Ndofta krahasimi çalon paksa, por pikërisht në qenien e saj është instinkti i nënës ai që e transhedenton përçudjen në mallëngjim e përdëllim, duke e hedhur në shilarësin e vuajtjes pa kthim, mbushur me tmerr, makth, jerm. Shpirti i saj lëngon, është një shpirt i sëmurë, i harmuar, bërë copë e çikë më në fund, si hakmarrja e gjithë mynxyrave që kishte bërë, gjithë zezonës së saj morale incestuale. Kjo ecejake e shpirtit të saj mes gjembash, ikamendja e saj, vuajtja e fshehur, gjithë ato gaca që e djegin nga përbrenda, luhatjet mes shpresës dhe frikës për të shpëtuar të birin, kanë marrë dritë nga aktrimi thellësisht dramatik i Luizës. Vuajtja ndihet në frymë e në fytyrë, në sy e në duar, në trup e në flokë, sidomos te fjala dhe përjetimi, ku edhe ofshamat marrin vlerën e thellësisë psikike, atje ku instinkti i mëmësisë shndërrohet sa në një portë ferri, aq edhe në një “Akeron” shastisjeje prej nëne, dhe Cerebri i krimit ul tri kokët e tij dhe nuk e kafshon, por e lë të vuajë tmerrin e vet si ndëshkim hyjnor. Interpretimi i aktores është fytyra e deformimit të skajtë të shpirtit, grua e pamëshirshme dhe sunduese e përzishme. Por ajo është, gjithashtu, edhe fytyra e mjerë e një nëne të ndëshkuar nga fati dhe tepria, që kurrë nuk mundi të gjejë dot paqe, as varri s’mund t’ia japë, andaj është thika e të birit dora sa hakmarrëse, aq edhe pajtuese me këtë fat. Aktorja ka luajtur bukur mirë me të dy planet e saj interpretative, me vrullin dhe me heshtjen dëshpëruese, me sanguinitetin e instinktit dhe me egërsisë e frikën e fshehur, me pasigurinë, me lëngatën e nënës me birin e kërcënuar nga vdekja. Isha afër teksa e ndiqja shfaqjen dhe e shihja fytyrën e aktores ku ravijëzohej gjithë dhimbja, herë butë e herë fshehur pas vrazhdësisë, herë në lot e herë në syrin e pafriguar, herë në butësi e herë në cinizëm. Ia ndjeja dhe frymën. Dhe gjakun…

Metaforat regjisoriale
Jo vetëm Luiza Xhuvani, por edhe aktorët e tjerë të rinj, ku do të veçoja pa dyshim Xhino Musollarin si Xhenaro, por edhe Indrit Çobanin, Lulzim Zeqen etj., dhe përmbi ta, nga rolet më të bukura që kam parë prej Vasian Lames, Gubetën dinak, tinëzar, një kalkulues gjakftohtë i filozofisë së krimit dhe gjithë prapaskenave. I bindur dhe besnik ndaj Lukrecias dhe Borxhiave, gjithsesi ai është i vetëdijshëm për çfarë bën, prandaj dhe inteligjent, i vetëkufizuar dhe përfitues. Maska e tij është ajo e korbit që krrokat dhe gjendet mes kufomave, dreka e përzishme e Borxhiave përmes dorës së tij tinëzare. Jo vetëm zëri i bukur, por edhe përpunimi plastik i lëvizjes, shpina e kërrusur si e një kurrizdali, koka e kthyer paksa anash, ecja dhe gjithë përshtatshmëria psikofizike është ajo e një ustai të regjur të krimit dhe prapaskenave, me një ftohtësi që të kall krupën. Një personazh i trajtuar plot hir ishte edhe ajo e Don Alfonsit, e interpretuar nga Artan Imami. Përveç zërit të bukur bariton dhe tejet të artikuluar, përveç hirit plastik që ai ka, më dha emocionin e mirësisë, zgjuarsisë dhe drejtësisë, e një ndëshkuesi të vendosur, mendjekthjellët, si hakmarrja e vetë fatit apo e Zotit mbi Lukrecian dhe gjithë zullumin e saj, ndonëse në thelb s’qe veçse një keqkuptim i madh. Mund të thuhet pra se regjisori, nga kjo optikë, arriti të krijojë një ansambël figurash aktoriale që ndërveprojnë përkitazi regjistrave karakterialë të personazheve të tyre dhe tonimeve ideoemocionale që Hygoi u ka dhënë.
Më lanë mbresa të bukura disa gjetje regjisoriale me shumë sqimë e mendjemprehtësi. Kur aktorët vendosin gjashtë germa të mëdha, në formë dekori në rrafshin e skenës: BORGIA, djali i Lukrecias, Xhenaro, rrëzon germën e parë “B” dhe atëherë mbetet fjala ORGIA, pra orgjia. Orgjia incestuale në familjen Borxhia, por dhe orgjia e krimit, mynxyrat. Më pas germat rrëzohen të gjitha një nga një, si rrëzimi i një kështjelle, i një dinastie, i një regjimi dhune e krimi, i së keqes që ky emër përfaqëson. Ndërkohë më ka lënë përshtypje kolona në mes të skenës që humbet lart mbi portal, të cilën unë e dekodova si shiritin kromozonik incestual, pa dytësin e tij gjenetik, ose si një vargua krimi i dekoduar në shenjën dhe metaforën e vetë krimit të kthyer në ligj, parim dhe mënyrë funksionimi të shtetit terrorist. Po ashtu, dy perdet duket se alternojnë në asociacionet dhe alegoritë e bartura: e para, tre shqiponja, njëra syresh, ajo e mesit, me kokat e tyre poshtë, si zhbërje, bjerrje, anormalitet, e dyta, një perde që bie nga sipër si perde, mantel, maskë e çjerrë apo diçka që, përmes luksit, ka fshehur më herët krime dhe mynxyra. Më në fund, e vërteta del lakuriq. Në origjinalitetin e konceptit regjisorial përfshihet edhe trajtimi i kostumeve: gjithë bojarët e rinj, të ndershëm e fisnikë, janë modeluar me tirqit dhe fustanellën shqiptare, gjë të cilën Anila Zajmi e ka bërë edhe me shfaqjen “Berberi i Seviljes”, ndërsa kostumet e tjera janë të një stili klasik të rimodeluar, me përjashtim të kostumit të Gambetës, i simbolizuar me pelerinën e zezë dhe elementët e tjerë. Doemos edhe maskat janë një shenjë domethënëse, që sjellin kohën, sidomos dyfytyrësinë dhe tinëzitë e krimit, por nuk kishin pse të ishin thuajse të gjitha në të zezë (e zeza e krimit etj.), mund të luhej edhe me maska të bukura luksi, plot dritë e ngjyra, sepse krimi edhe pas së bukurës fshihet po njësoj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.