OPINION

Marrëveshja dhe kriza si shenja pozitive

08:30 - 19.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Julian ZYLA 

 

Nuk janë të shumta vendet në botë, ku në bare apo restorante kamerieri të të thotë: “Nuk ka problem, nëse nuk i ke paratë të gjitha”, ndërkohë që ti je duke kërkuar të hollat për të plotësuar llogarinë e bakshishin. Në Shqipëri, ndodh. Shpesh ne preferojmë të mos jemi fiskalë, por të sajojmë. Dhe kjo në disa raste ka hijeshinë e vet. Nuk jemi të vetmit. Por, kemi veçantinë tonë.

Marrëveshja shqiptare e arritur mes kryeministrit Rama dhe kryetarit të PD-së, Basha u cilësua gjerësisht si zhvillim pozitiv nga njerëzit, politikanët dhe ndërkombëtarët. A mund të jetë edhe kriza tregues pozitiv? Ja pse besoj që edhe ajo mund të renditet mes hapave drejt perëndimit.

Ashtu si në rastin e investimeve private, për shembull, në turizëm, edhe politika mund të lejohet të investojë përkrah interesit publik të deklaruar, në interesa politike. Kjo nuk përjashton mundësinë se subjekti mund të jetë sinqerisht i bindur se interesi i vet politik përkon me interesin publik.

Në çdo rast përpjekjet gjithnjë e më të mëdha, që bëhen për të krijuar narrativa politike të suksesshme, si protesta apo aktivitete qeveritare tregojnë për një rritje të nivelit të vëmendjes publike. Partisë Demokratike i duhej të ndryshonte rrjedhën e paracaktuar të zgjedhjeve që po afronin. Kryetari duhej të gjente një zgjidhje për partinë. Duhej të gjente një zgjidhje për vete. Kështu lindi çadra.

Ashtu si investuesve në turizëm u duhet një ide për hotel, PD-së i duhej një projekt për të ndërtuar një narrativë politike. Në fakt, “Our Brand Is Crisis” (Marka jonë është kriza) është një dokumentar i famshëm rreth një fushate politike në Bolivi për zgjedhjet presidenciale, që më pas u realizua edhe si film artistik me aktoren Sandra Bullock. PD-së i duhej të krijonte përshtypjen se vendi ishte në krizë. Në pamundësi të kësaj, krijoi një krizë politike. U krijua një situatë shqiptare. Autentike.

Si disa fshatra piktoreskë që kemi, që të kujtojnë Toskanën, Partia Demokratike krijoi një “Our Brand Is Crisis” “made in Albania”. Qeveria nuk pushoi së funksionuari dhe nuk pati dhunë, kështu që kjo teknikë e përdorur nuk ishte negative për vendin. Ishte thjesht një hap përpara në fushën e strategjive politike. Ishte një hap drejt perëndimit. Pas njohjes së krizës, duhej gjetur një zgjidhje.

Natyrisht, PD-ja po e kuptonte që po shtrinte këmbën më shumë se ç’kishte krizën dhe rrezikonte të ftohej nëse mbetej jashtë zgjedhjeve. Kështu erdhi marrëveshja, një zgjidhje gjithashtu “made in Albania”, një produkt autentik shqiptar, finalizuar me një dalje emocionale përpara mediave. Një shtrëngim duarsh perëndimor dhe bisedime të mëtejshme të parashikuara për detajet. Takimet vijuan të nesërmen. Detajet u qartësuan. Kriza u zgjidh. Ashtu si u krijua: me kujdesin më të madh për syrin dhe veshin e njerëzve. Kjo është pozitive. Kultura politike në Shqipëri ka arritur në nivel të pastër konkurrence.

Nëse gjërat ende nuk funksionojnë në nivele perëndimore, ato janë me hapa të sigurt drejt perëndimit. Mediat që z. Basha sulmonte bënë krizën e tij të mundur. Lajmi i mirë është se njerëzit dëgjojnë dhe vlerësojnë. Këtë politikanët e dinë, ndaj punojnë për fushatat.

Në fakt, problemin nuk e kemi te politika. Sepse në quasi-demokraci nuk mungon demokracia elektorale apo përfshirja e njerëzve në zgjedhje, por përfshirja e tyre në zgjidhje të problemeve. Megjithatë, së paku marrëveshja e arritur mes palëve dhe vetë kriza që krijoi nevojën për të na sigurojnë se nuk po bëjmë hapa pas në politikë. Edhe pse nuk kemi ende demokracinë e mirëqenie si në vendet perëndimore, njerëzit, si kamerierë të mirë e bujarë, thonë: “Nuk ka problem, nëse nuk i keni bërë të gjitha!”. Shpresojmë që të jenë duke punuar për të plotësuar llogarinë. Për bakshish mund të pretendojmë më vonë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.