KULTURË

Pjetër Arbnori (për veprat që i dogjën): U thoni që nuk u lodha !

10:09 - 19.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Fatmira Nikolli




Kur më futën në burg, së pari e kisha me tepri atë që më kishte munguar gjithmonë: kohën. Isha bërë 26 vjeç pa u ngopur një herë me gjumë, pa u kënaqur me asgjë… Tani, përveç andrallës së madhe, s’kisha halle të tjera. As bukën për të fituar, as probleme të familjes për të zgjidhur. Do të gdhija e të ngrysja mijëra, në mos dhjetëra mijëra ditë me durimin e pikës së ujit që shpon gurin… S’mbetet vetëm një rrugë: studimi”(Shkëputur nga letra dërguar mbesës).
Pjetër Arbnori, duke dashur të mos binte në duart e rojeve të ‘Panoptikonit’ që përshkruan Jeremy Bentham, i pati shkruar disa prej veprave të tij me kode. Blendi Salaj i thërret kujtesës së Ardita Repishtit në këtë pikë. “Ai shkruante me kode në burg. Kur doli, prej lodhjes së gjatë, dhimbjes së gjatë, vuajtjes së gjatë, e përkundër kësaj, kohës së pakët të mbetur, i kish harruar kodet. Mbetën të pashkoduara, edhe sot e asaj dite. Rrjedhimisht të panjohura, e të pabotuara”. Qendra për Hapje e Dialog, në kuadër të serisë së takimeve “Nuk ma vrisni dot fjalën”, përkujtoi këtë të enjte Pjetër Arbnorin, shkrimtarin. “Lufta për të mbetur njeri”, kushtuar krijimtarisë artistike dhe memuaristikës së Pjetër Arbnorit pati qëllim të sillte në vëmendje njeriun e letrave, e për këtë, e mori titullin nga një prej librave të tij.
U fol për veprat “Kur dynden vikingët”, “Mugujt e mesjetës”, “Bukuroshja me hijen”, “E bardha dhe e zeza”, “E panjohura”, “Vdekja e Gebelsit”, “Shtëpia e mbetur përgjysmë”, “Vorbulla”, për “Letrën nga burgu”, dërguar mbesës, për romanin “Brajtoni, një vetëtimë e largët”, e për copëza rrëfimesh, kujtimesh, të pathëna miqsh, si kujtimet e Tinka Kurtit.
“E kam njohur pasi doli nga burgu. Thoshte ‘mos i pështy shkallët ku ngjitesh, se mbase në to, do të të duhet me zbrit’. E kam pasur mik familjeje”, thotë aktorja e kujton “10 urdhnimet” e Moisiut, duke aluduar për porositë që e ëma, Gjystina, i jepte Arbnorit. “Mos bëj armiq. Mos i kallxo hallet. Mos u afro shumë me askënd. Mos bëj keq”.


Tinka Kurti rrëfen se njëherë, qe përplasur me të, kur kërkohej ndalimi i filmave në RTSH. “‘Ti moj burrneshë’, më tha, ‘eja shihi letrat që mi kanë sjellë artistat me i ndalu’. I shoh emrat, dhe i them, ‘po këta, nuk janë aktorë që kanë lujt more’. ‘Pse’, tha, ‘a janë lojtarë rezervë? Dhe qeshëm”, – kujtoi ajo.
Më vonë, i pati propozuar që romani i tij “Shtëpia e mbetur përgjysmë” të bëhej film, ai mohoi me kokë dhe dha arsye. “E kam lënë rininë përgjysmë. I kam lënë veprat përgjysmë. Po jetoj përgjysmë; a do që edhe filmi të më mbetet përgjysmë?”
Kritiku Agim Baçi, sheh te vepra e tij “memorien tonë”. “Nëse keni pyetje për të shkuarën, pse ndodhi ashtu, pse qëndroi aq gjatë sistemi, lexoni Pjetër Arbnorin. Ai pikturoi konturin e njeriut, kur atë kontur donin ta shembnin. Ai nuk qante, ai nuk ankohej. Ai rrëfente”.
Pati hyrë në burg në moshën 26-vjeçare. Kur doli prej andej, 28 vite më vonë, ishte 54. Askush nuk ia kthente më kohën e humbur. Tepër vonë, për shumëçka. Në mesomoshë, vrapoi sa mundi për të mbërritur të shijonte, të jetonte në pak kohë, ato që shoqëria i pati ‘shijuar’ në tri dekada.
Deputet e kryetar Kuvendi mbahet mend prej shumëkujt, pse letërsinë që la pakkush e lexoi. Agron Tufa kujtoi se e kish adhuruar shumë herët, por se deshi t’u rrinte larg idhujve. Sjell në vëmendje promovimin e një prej librave të Arbnorit, në Pallatin e Kongreseve në fillimin e të ‘90-ave. Shumëkush që doli të fliste, as që e kish lexuar librin, aq sa, në referatet e mbajtura, ngatërronin deri edhe titullin. Në fund, Arbnori, me një të folme të qetë e prapë goditëse, tha se “e di që ndokujt nuk i ka pëlqyer vepra ime, por e di se të gjithëve do u pëlqejë kokteji i promovimit”.
Një ‘takim’ i dytë do të ishte në Moskë. Arbnori ishte me Agollin, e ky i fundit gjente vija krahasimi mes Arbnorit e Dostojevskit. “Pse nuk hyri ai në derën ballore të letërsisë shqiptare?” Tufa pyet dhe pse e ka një përgjigje, me të cilën i drejtohet edhe botës së përmatanshme. “Ai nuk u mor kurrë seriozisht si shkrimtar. Nuk u shpërnda sa duhet. Profesori i Universitetit ‘La Sapienza’ në Romë, Giuseppe Gradilone, ka shkruar librin ‘Pjetër Arbnori- shkrimtar’. Gjëja më e mirë që ka bërë ka qenë titulli. Pjetër Arbnori e pati ëndërr fëmijërie letërsinë, që kur mezi gjente librat”. Përmend “Pinokun’ me përkthimin gegërisht të Cuk Simonit, e “Quo Vadis” të Henrik Sienkeviç përkthyer prej Imzot Vinçenc Prenushit.


E nëse Kadarenë, e udhëhoqi drejt lirisë letërsia, për Arbnorin, thotë Giuseppe Gradilone, ndodhi e kundërta. “I shkroi romanet dhe i ruajti në kapakë fjalorësh në burg. Kur shkroi ‘Shtëpinë e mbetur përgjysmë’, ia gjetën. Një hetues, me mbiemër Sinoimeri, i thoshte se ‘ne ta kuptojmë nëntekstin dhe alegorinë. E kuptojmë se me kë tallesh. Do të t’i djegim veprat’. ‘Ju mund t’i digjni, kjo është puna juej. Puna ime është me shkrujt, prapë. Të shohim kush do lodhet i pari”, pati shqiptuar Arbnori, për veprën prej së cilës ia shtuan dënimin.
Në promovimin e kësaj ‘Shtëpie’ të mbetur përgjysmë, shkrimtari, dha një mesazh: “T’u bëhet me dije, se unë nuk u lodha i pari”. Vite më vonë, ai do të shuhej, prapë i palodhur, edhe pse i pari, nga shumë miq, me të cilët pati kaluar netët e vetmisë së madhe, në burgjet komuniste.
Tufa shton se qe personaliteti i Arbnorit, që e eklipsoi shkrimtarin. “E thirrëm Mandelë i burgjeve shqiptare, legjendë, deputet, kryetar Kuvendi, e në mesin e këtyre, e harruam shkrimtarin”. Tufa ndalet më tej te një analizë letrare e veprave “Brajtoni, një vetëtimë e largët” a “Vdekja e Gëbelsit”, të cilat i pati kamufluar si përkthime. Pikas se letërsia e Arbnorit, është realizmi i munguar, ai që tregonte jetën e vërtetë, jo realizmin socialist, atë me porosi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.