BOTA

Shkup, manifestime kundër Gruevskit: Nikola në burg

09:59 - 19.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Mungojnë pak ditë deri në formimin e qeverisë së re të Maqedonisë, megjithatë festa ka nisur, e bashkë me të edhe manifestimet kundër ish-kryeministrit Nikola Gruevski. Një grup tubuesish janë mbledhur në Shkup, ndërsa kërkojnë që Gruevski t’i dorëzohet drejtësisë dhe të futet në burg. Dhjetëra vetë u mblodhën përpara ndërtesës së Kryeministrisë për të festuar atë që e cilësuan si “rënia e Nikola Gruevskit”. Mediat vendase thonë se tubuesit janë pjesë e të ashtuquajturit “Revolucion i Larmë”, që vitin e kaluar protestonte në përkrahje të Prokurorisë Speciale. Gjatë tubimit, ata përsërisnin sloganet “Nikola, nuk ke si t’i ikësh Shutkës” dhe “Nikola në burg”. Turma ishte mbledhur spontanisht, pas thirrjeve për protestë në rrjetet sociale. Ndërkohë, Zoran Zaev ka nisur pa humbur kohë, bisedimet për krijimin e koalicionit qeverisës, pasi presidenti Gjorge Ivanov u bind më në fund t’i dorëzonte mandatin e krijimit të ekzekutivit. Sipas udhë-heqësit socialdemokrat, bisedat me BDI-në, Besën dhe Aleancën për Shqiptarët synojnë përafrimin e qëndrimeve. Shefi i LSDM-së dëshiron që pjesë e koalicionit të jenë të gjitha partitë shqiptare, dhe këtë ia përsëriti sërish kryetarit të partisë Besa, Bilal Kasami, ndërsa theksoi se kjo do të ndihmonte në formimin e një mazhorance të qëndrueshme. Formimi i shpejtë i qeverisë, sipas Zaevit do t’i hapë rrugën edhe zgjidhjes sa më të shpejtë të çështjeve të mbetura pezull, siç është zgjatja e mandatit të Prokurorisë Speciale. Por Lëvizja Besa e bëri të qartë sërish se, pjesëmarrja e saj në qeveri do të kushtëzohet nga emrat që do të propozohen për formimin e kabinetit. “Ne nuk marrim pjesë nëse do të ketë ministra të dyshuar për korrupsion”, – u shpreh Kasami. Marrjen e mandatit nga Ivanovi, kreu socialdemokrat e përshkroi si fillim të ri për Maqedoninë. “Koncepti i së ardhmes së saj është ai i një shoqërie për të gjithë”, – u shpreh ai. “T’i lëmë mënjanë dallimet, izolimin, urrejtjen, politikat destruktive. Të punojmë bashkërisht, sepse qeveria e re do të jetë qeveri e të gjithë qytetarëve”, – deklaroi Zaev. “Ne po nisim të ndërtojmë shoqërinë e mundësive të barabarta për të gjithë”. Pas zhytjes së vendit në një krizë të thellë politike dhe ecejakeve të politikanëve europianë e amerikanë në Shkup, kreu i shtetit maqedonas u bind t’i dorëzonte udhëheqësit të opozitës, mandatin e formimit të qeverisë. Ivanov deklaroi se pengesat për dhënien e këtij mandati tashmë kishin kaluar dhe pret nga njeriu që do të krijojë ekzekutivin, përmbushjen e detyrimeve kushtetuese. Nga ana e tij, Zaev tha se e kishte garantuar Ivanovin se do ruajë unitaritetin e Maqedonisë. “Edhe njëherë dua të theksoj përpara të gjithëve se pengesat për dhënien e mandatit tashmë janë kapërcyer. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi e kishte dorëzuar letrën e tij, ndërsa unë, ashtu siç premtova përpara qytetarëve dhe presidentit Ivanov, paraqita një deklaratë në formë garancish, të cilën e ndaj me qytetarët e Republikës së Maqedonisë, njësoj siç është dorëzuar në Kabinetin e Presidentit”, – tha Zaev.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.