Kryesore

Vdekja e Blerta Pepës/ Fisnikëria e vëllait: Nuk duam 2 humbje jetësh… Motrën e putha para operacionit

17:00 - 19.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Tragjedia e vdekjes së 16-vjeçares Blerta Pepa u thellua më shumë me tentativën për vetëvrasje të mjekun anestezist.

Të pakta janë informacionet mbi atë çfarë po ndodh me të, përveçse që gjendet i shtruar në pavionin e traumës, në gjendje kome të thellë. Këtë e konfirmoi dr. Apostol Vaso, mjek reanimator i QSUT-së në emisionin “Rudina” në TV Klan.

Me një vetëpërmbajtje të rrallë, daja dhe i vëllai i Blertës iu përgjigjën pyetjes se cili është qëndrimi i tyre karshi anestezistit, që shikohet si fajtori kryesor për vdekjen e Blertës.

“Nuk kërkojmë humbjen e asnjë jete. Një humbje nuk duhet shoqëruar me një humbje tjetër”, – u shpreh daja i saj, ndërsa shtoi se e kupton gjestin e anestezistit: “Nuk besoj se ka një mjek që të dojë që pacienti jo të humbë jetën, por as të ngelet i dëmtuar.”

Rolandi, vëllai i Blertës, e pati më të vështirë të mos përlotej. Ai tha se do ta zbulojë krejt të vërtetën, sepse do që e motra të paktën të prehet e qetë.

“Dua që drejtësia të shkojë në vend, sepse jetën e motrës sime tashmë nuk ma kthen askush.”

Ai shprehu dhembjen e madhe për humbjen e Blertës, që ishte shumë vite më e vogël se ai dhe Ermali, vëllai më i madh. Për ta, Blerta kishte qenë një bekim, plot dashuri dhe hare.

“Ka lindur pas 13 vitesh, ishte si një dhuratë në shtëpinë tonë pasi ishim rritur vetëm ne të dy. S’e kisha menduar ndonjëherë se Blerta do të ndahej nga jeta kështu. Kam qenë gjithmonë me të, derisa hyri në sallën e operacionit. Humbja e Blertës ishte një tragjedi jo vetëm për ne, por për të gjithë ata që e njohin Blertën. Jepte vetëm dashuri dhe buzëqeshje.”

Rolandi tregon se edhe hyrja në televizionin “Klan”, ku më parë Blerta shkonte për të konkurruar tek “Gjeniu i Vogël”, ishte një përjetim i vështirë për të.

“Kur hyra këtu kujtova se Blertën dikur e shoqërova këtu që të këndonte, por sot erdha që të flisja për vdekjen e saj.”

Ai i qëndroi pranë derisa hyri në sallën e operacionit, dhe tregon momentin kur e përshëndeti për të fundit herë. “Para se të futej në operacion e putha, por i paskam dhënë lamtumirën e fundit.”

Anabel


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.