Kryesore

Nga Artan Fuga tek Besnik Kastrati, ja emrat që ka propozuar PD-ja për ministra teknikë

12:10 - 20.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Valentina MADANI

Opozita e kryesuar nga Lulzim Basha pritet t’i dërgojë kryeministrit Rama propozimet e saj për qeverinë teknike, konkretisht emrin e zv/kryeministrit, 6 ministrave teknikë dhe krerët e drejtorive për të cilët janë pjesë e marrëveshjes politike të firmosur nga të dyja palët. Nëse kryeministri Rama do të bjerë dakord me këto propozime, atëherë lista me emrin e zv/kryeministrit, ministrave teknikë dhe krerëve të drejtorive do t’i dërgohet për dekretim Presidentit të Republikës.

Pas dekretimit nga kreu i shtetit, emrat e propozuar do të shkojnë për votim në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, në të cilën do të votohen edhe komisionet e vetingut sipas dakordësisë mes dy palëve. Dita kur do të zhvillohet kjo seancë nuk është vendosur ende, por me shumë gjasë kjo seancë do të zhvillohet të hënën e javës që vjen. Një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes mes Ramës dhe Bashës kanë qarkulluar edhe emrat e parë të teknicienëve që do jenë pjesë e qeverisë teknike.

Burime për ‘GSH’ bëjnë me dije se në krye të Ministrisë së Arsimit është propozuar Ardian Marashi, ish-drejtor i QSA-së. Por për pasa-rdhësin e Lindita Nikollës përflitet edhe emri i akademikut Artan Fuga. Në Ministrinë e Shëndetësisë, PD ka propozuar emrin e ish-zv.drejtorit të ISKSH-së dhe student i rrjetit “Lead Albania”, Qamil Dika, i cili do të zëvendësojë Ogerta Manastirliun.  Si ministër i Brendshëm në vend të Fatmir Xhafajt, pritet të propozohet Fatmir Hamuli ose Ivzi Biçaku. Në Ministrinë e Drejtësisë qarkullon emri i Besnik Kastratit në vend të kryetarit të LSI, Petrit Vasili. Mbetet për t’u caktuar kandidati për ministër të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë si dhe ai për postin e zv.kryeministrit. Sipas marrëveshjes Rama-Basha, ikin 6 ministra aktualë, vijnë 6 ministra teknikë si dhe 5 drejtorë.

Aleatët

Partitë opozitare ka gjasa të shkojnë në zgjedhjet e 25 qershorit me një logo të përbashkët, atë të PD-së, ndërkohë që kryetarët e partive aleate të Bashës do të kenë një vend të sigurt në listat e PD si kandidatë për deputetë. Gjatë mbledhjes, kryetari i PD garantoi aleatët se do të kenë një vend të sigurt në listën e kandidatëve për deputetë, kjo edhe si shpërblim për qëndresën e përbashkët 90-ditorë në çadrën e opozitës në bulevard.

Bëhet fjalë për kryerepublikanin Fatmir Mediu, kreun e PAA Agron Duka, kreun e LZHK-së Dashamir Shehi, kreun e PDK-së Nard Ndoka dhe kreun e PBDNJ, Vangjel Dule. Mësohet se në takim është folur që të gjitha partitë opozitare të jenë nën logon e PD, kurse emrat e kryetarëve të partive të vogla janë të parët që do e kenë emrin në listat e kandidatëve për deputetë. Në mbledhje u diskutua edhe për emrat e ministrave dhe drejtorëve teknikë që do të propozojë opozita dhe që do të votohen në parlament bashkë me komisionet e vetingut.

Po dje, kreu i PD-së, Lulzim Basha mblodhi edhe krerët e degëve, ku në fokus të takimit ishte strategjia e PD-së në zgjedhjet e 25 qershorit. Mësohet se z.Basha ka informuar krerët e PD në rrethe për paktin me Ramën. Burime nga kjo mbledhje bëjnë me dije  se kreu i opozitës ka falënderuar krerët e degëve për rezistencën 90-ditore në çadrën e ngritur para Kryeministrisë.

Ai u ka kërkuar krerëve të PD-së në rrethe që të mbajnë “ndezur motorët” për fushatën elektorale në këto 36 ditë deri në zgjedhje. Basha ka kërkuar gjithashtu nga degët që të depozitojnë listat e emrave që ka propozuar baza, në mënyrë që të bëhet përzgjedhja e 140 kandidatëve për deputetë. Në të njëjtën, kohë lideri demokrat ka kërkuar emra nga degët edhe për gjashtë pozicionet që krijohen për ministra teknikë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.