OPINION

Regjim shkërdhatokratik, Edi Rama po arrin zhdukjen e opozitës

15:17 - 22.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Analisti Fatos Lubonja në një shkrim për Panorama, paktin Rama-Basha e cilëson variant të ri të një loje të vjetër.

Lubonja thotë se hyrja e PD-së në zgjedhje do të varet shumë nga protagonistët kryesorë. Sipas tij nëse PD e ka seriozisht se do bëjë gjithçka ka premtuar në çadër atëherë më mirë të mos futet në zgjedhje:

“Nëse ata e kanë seriozisht gjithë çka na kanë premtuar në çadër, ndoshta më e mira do të ishte të mos hynin, sepse hyrja do të legjitimonte ‘fasadën’ prapa së cilës funksionojnë institucionet e vjedhjes dhe të krimit, duke i bërë, mes tjerash, gjithnjë e më të pamundura edhe zgjedhjet e lira.”

Në shkrim Lubonja ngre dilemën nëse PD-ja mund të shndërrohej nga një parti deri dje e fasadës, në një parti antisistem, por me marrëveshjen Basha-Rama kjo tezë bie poshtë:

Por dilemën e hyrjes apo moshyrjes në zgjedhje e kam lidhur edhe me dilemën: a mund të shndërrohet PD-ja nga një parti deri dje e sistemit/fasadës, në një lëvizje antisistem që çjerr fasadën? Marrëveshja Rama–Basha dhe mënyra se si u arrit ajo, u dhanë fund këtyre dilemave. PD-ja dhe lidershipi i saj treguan me këtë marrëveshje se ose, në rastin më të mirë, nuk u dilnin hesapet se mund të shndërroheshin në një lëvizje antisistem, ose se nuk i kishin seriozisht premtimet për luftë oligarkisë, medieve të kapura, kanabizimit etj.”

Më tej në shkrim Lubonja shkruan se Basha nuk duhej t’i përshtatej realitetit me të cilin u përball por të përpiqej ta ndryshonte atë sipas vizionit të tij:

Basha mund të thotë se zgjedhja që bëri ishte e imponuar nga ndërkombëtarët, se nuk u mbështet sa duhej nga populli që s’e kuptoi, nga vetë ne gazetarët që nuk iu përgjigjëm thirrjes për të shkuar në çadrën e tij. Pa dyshim presioni ka qenë i madh, edhe mosbesimi i të zhgënjyerve e ka rritur këtë presion, por historia tregon se politikanët që kanë sjellë ndryshime të mëdha kanë qenë pikërisht ata që nuk i janë përshtatur një realiteti ekzistues, por ata që e kanë ndryshuar atë sipas vizionit të tyre.”

Lubonja thekson se shqiptarët duhet të flenë të qetë në dëshpërimin e tyre pasi asgjë nuk ka për të ndryshuar në këtë vend dhe marrëveshja Rama-Basha e konfirmon më së miri këtë gjë:

Shkurt shqiptarët që presin një ndryshim të sistemit oligarkik, bandokratik, shkërdhatokratik, kleptokratik, narkotrafikantokratik – për të përmendur vetëm disa nga epitetet që i janë vënë – duhet të flenë të qetë në dëshpërimin e tyre se kjo nuk ka për të ndodhur. Ne u kthyem në “normalitetin” tonë ku politika është një biznes privat dhe jo një “gjë publike”, siç është kuptimi i fjalës “republikë”, që e ka përmendur kaq shumë Basha kohët e fundit.”

Në fund Lubonja flet edhe për zgjedhjet e qershorit që do japin edhe përgjigjen përfundimtare të shitleblerjes së mallit (votës):

“Sigurisht përgjigjen përfundimtare kësaj do t’ia japë shitblerja e mallit më 25 qershor, por disa parashikime edhe mund të bëhen. Duket se me shumë gjasa do të kemi një zvogëlim të zyrave të LSI-së, e cila duhet të kënaqet me zyrën e presidentit që ka kapur kryetari i saj. Për sa u përket zyrave të PS-së dhe të PD-së për momentin është krijuar një konfuzion, sepse në zyrat e PS-së kanë hyrë momentalisht disa ministra të PD-së që, medemek, do të bëjnë të mundur që populli të votojë i pafrikësuar, i pamanipuluar dhe e pablerë. Por problemi është se PD-ja gjatë këtyre katër vjetëve ka humbur shumë lidhje me katin e dytë, katin e parë dhe bodrumin që janë lojtarët e vërtetë të përcaktimit të votës.”

Sipas Lubonjës nëse pas zgjedhjeve do ketë një koalicion PS-PD, atëherë kjo nënkupton se me ndihmën e çadrës u arrit pikërisht ajo që kontestohej më fort nga çadra, zhdukja e opozitës, d.m.th Edi Rama arriti në të njëjtën qafë, por nga një rrugë tjetër, sigurisht jo në Europë:

Në fakt koalicionet e mëdha janë bërë në emër të qeverisshmërisë kur nuk sigurohet maxhoranca e duhur nga partitë e mëdha. Te ne kjo mund të ndodhë vetëm nëse LSI-ja nuk pranon të bëjë koalicion paselektoral me asnjërën. Ndërsa po të kemi një koalicion PS-PD pa u pyetur fare LSI-ja, kjo do të thotë se me ndihmën e çadrës u arrit pikërisht ajo që kontestohej më fort nga çadra: zhdukja e opozitës, d.m.th. se Edi Rama arriti në të njëjtën qafë, por nga një rrugë tjetër. Sigurisht jo në Europë.”

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.