AKTUALITET

EMRI/ Polici kavajas i vjedh telefonin viktimës, ia gjejnë vajzës së tij. Ja çfarë tha në polici

15:33 - 23.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Xhensila KODRA

 

Efektivi Baki Ballhysa duket se nuk e ka pasur aspak problem të vjedh celularin e një të reje të sapovdekur në aksident, por ka dalë “zbuluar” nga vajza e tij. Polici nga Kavaja u arrestua dy javë më parë, ndërsa prokuroria e këtij qyteti ka zbardhur ngjarjen për të cilën ai akuzohet. Burime pranë organit të akuzës bënë me dije se kanë prova të forta që e implikojnë atë në vjedhjen e celularit të viktimës, ndaj të cilit tashmë rëndon akuza “Vjedhje, e kryer duke shpërdoruar detyrën”. Denoncimi për këtë rast është bërë nga kunati i vajzës që humbi jetën në aksident. Ai ka pohuar se nga sendet e së resë mungonte vetëm celulari “Samsung J5”. Ky aparat rezultoi se ishte marrë nga punonjësi i policisë i Komisariatit Kavajë, pranë pikës së bllokimit të mjeteve të sekuestruara, i pandehuri Bali Ballhysa, dhe më pas ia ka dhënë vajzës së tij.

Sipas të dhënave, ky celular është vendosur në punë vetëm një ditë pas aksidentit, dhe vetëm 46 minuta pasi Baki Ballhysa ka lënë shërbimin.

Kallëzimi

Në datën 10.03.2017, pranë Shërbimeve për Çështjet e Brendshme në Ministrinë e Punëve të Brendshme, është paraqitur shtetasi D.M. dhe ka depozituar ankimin, në të cilin ka deklaruar se në datën 01.03.2017, rreth orës 13:00, në vendin e quajtur ‘Bishti i Zhurit’, Kavajë, ka ndodhur një aksident ku si pasojë ka humbur jetën kunata e tij J. Toromani. Ai ka pohuar se, përveç sendeve të tjera personale, J. Toromani ka pasur dhe telefonin e saj ‘Samsung Galaksi J5’, me numër IMEI xxxxxxxxxxxxx, me numër telefoni xxxx630, për të cilin deklaron se nuk e kanë marrë. Ai ka pohuar se ka dyshime që këtë telefon e kanë marrë punonjësit e policisë të Komisariatit Kavajë, të cilët kanë kryer veprimet e para hetimore për këtë çështje.

Hetimi

Pas këtij kallëzimi, u është kërkuar informacion kompanive celulare dhe në përgjigje të shkresës nga ana e Prokurorisë Kavajë, kompania ‘xxx’ sha, ka informuar se në aparatin celular me numër Imei xxxxxxxx790, është përdorur më datë 02.03.2017 ora 22:46, numri celular xxxxx 007, i regjistruar në emër të shtetases Zh. Ballhysa. Ndërkohë, me procesverbal mbi këqyrjen dhe marrjen e dokumenteve datë 09.05.2017, ora 08:00, është bërë këqyrja dhe marrja e “Librit të marrjes e dorëzimit të shërbimit në pikën e bllokimit të automjeteve Kavajë 2016-2017”.

Në datën 01.03.2017, ora 14:00-22:00, gjendet procesverbali përkatës si dhe shënimi i po kësaj date për bllokimin e mjetit tip ‘Benz’ me targa AA477NV të shtetasit A.RR. Gjendet gjithashtu edhe procesverbali i datës 02.03.2017, në orën 14:00, ku dorëzues i shërbimit është shtetasi S.H. dhe marrës i shërbimit Baki Ballhysa, shërbim të cilin e ka lënë në orën 22:00, dhe vetëm 46 minuta më pas, në orën 22:46, siç njoftohemi nga kompania telefonike, aparati celular me numër Imei xxxxxxxxxx790, është vënë në përdorim nga e bija e të ndaluarit Baki Ballhysa.

Vajza e ish-policit

E pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale, shtetasja Zh. Ballhysa, e cila është vajza e shtetasit Baki Ballhysa, ka shpjeguar se ka në përdorim dhe të regjistruar në emrin e saj numrin celular xxxxxxx 007. Gjithashtu, ajo ka pohuar se ka përdorur numrat celularë xxxxx599 dhe xxxxxxx710, të cilët i ka përdorur në aparatin celular model “Galaxy J5” me numër Imei xxxxxxxxxxxxx 790. Pas deklaratës së dhënë nga vajza e punonjësit të policisë të Komisariatit të Kavajës, ky lloj aparati celular u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Turp i botes, vetem ne Shqiperi vidhet i vdekuri nga polici..kjo tregon sa te varfer e ordiner jemi. Fukarallek maskarallek kane thene dikur.

    Përgjigju ↓