KULTURË

Adrian Paci / Dialogu i munguar me babanë (Realizimi i një takimi të “pa”mundur)

09:00 - 27.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira NIKOLLI




Sa më shumë lëngonte Uliksi, aq më shumë harronte, sepse malli nuk e forcon veprimin kujtesës, ai nuk zgjon kujtime, mallit i mjafton vetvetja”(Milan Kundera-Mosdija).
A(r)ti, biri dhe shpirti i shenjtë. “Ferdinand Paci Adrian”- Muzeu “San Rocco”, maj 2017. Për herë të parë, takohen “e ardhmja e munguar e Ferdinandit, me të kaluarën e mundshme të Adrianit- një takim delikat at’ e bir, ku arti si të ishte Itaka e tyre përcjell dhimbjen e një mungese të gjatë”. Dyzet vitet e kësaj mungese, lanë pas një fëmijë dhe gjejnë tani një artist. Në gjithë këtë pritje të gjatë, Adrianit, i ka mjaftuar malli i tij, ajo kujtesë e ëndërrt fëmijërie mbështjellë me silueta njerëzish e realitetesh të mundshme në një dosje, që me vite, teksa kujtesa dobësohej, bëhej lidhja e pashkëputur me të atin.
“Homazhi” i një takimi të “pa”mundur bëhet një ekspozitë e çelur në prill, ku vizatimet e atit e punët e të birit, i bashkon “shpirti i shenjtë”, jo doemos në kuptimin religjioz të fjalës; veçse kur shkon përtej fjalës, nuk mund të mos mendosh për nocionin hyjnor në një takim si ky. “Shpirti i shenjtë mundet me qenë arti, ashtu si mundet me qenë kujtesa e vagullt e një fëminije të largët, mundet me qenë prekja e vizatimeve në dosjet e ’60-ës, a klikimi mbi fil-in “disegnibaba”, mundet me qenë njëherësh ajo kandje e fortë për me ndje praninë e figurës së atit, aty ku ai nuk mundi të arrijë, po aty ku dora e tij të ka drejtu me ik”. Dhembja e mungesës së gjatë, e arti si një fill lidhës përtej botësh sipas Liborio Palmierit, bëhet Itakë.
Muzeu San Rocco (në Trapani-Siçili), ku ekspozita qëndron e çelur deri në gusht, i ngritur në ambientet e një kishe e përqafon më lehtë edhe nocionin e shpirtit të shenjtë, tanimë qoftë dhe pa artin si pretekst. Nëse mundemi të pranojmë se në art ka diçka hyjnore, shpirti gjen vend aty ku hyji ka shtëpinë, qoftë kjo e kthyer në hapësirë arti.
Artistët që u ndanë nga vdekja (Ferdinandi e la Adrianin kur ishte 6 vjeç) bashkohen nga dashuria për artin.
EKSPOZITA
Zanafilla e kësaj ekspozite, u bë një takim i kahershëm mes Adrian Pacit e Liborio Palmierit. “A ke menduar ndonjëherë të bësh një ekspozitë me punimet e babait?” “Do më pëlqente shumë…Do më pëlqente të bëja një… dialog…”. Palmieri vëren nevojën e një takimi të munguar, mes dy artistëve, mes dy brezave, mes dy kohëve, mes dy stileve, mes atit e birit, që të ndarë në dy botë, bashkohen 40 vjet më pas, përtej Adriatikut. “Tashti, më në fund, mund të takohen”, shkruan Palmieri në katalogun shoqërues. Përballë portreteve me karbon, laps, a bojë kine të Ferdinand Pacit (burra, gra, malësore, zadrimore, mirditore, punëtorë), qëndrojnë videot e Adrianit, “Albanian Stories”, video, 1997; “Turn On” 2004, video; “The Column” 2013, video; “Klodi” 2005, Video.

“Ferdinand Paci (1940-1975) krijon gjatë konsolidimit të regjimit komunist, midis gjysmës së dytë të viteve pesëdhjetë e deri në momentin e vdekjes së tij, në një sistem politik që i kushton një rëndësi të madhe artistit, por që njëkohësisht pretendon t’ia kushtëzojë zgjedhjet, duke pasur si qëllim formimin e një kujtese ikonografike kolektive që ndërkohë është edhe kujtesa e pushtetit. Adrian Paci afirmohet në vitet që vijnë pas rënies së diktaturës, dhe spikat në kontekstin artistik ndërkombëtar nëpërmjet poetikës së tij që nis pikërisht nga pasojat e falimentimit të eksperiencës politike të Enver Hoxhës”, shkruan Giovanni De Lazzari.

Ferdinand Paci në të parën ekspozitë me të birin shfaqet me portrete shqiptarësh minatorë, punëtorë, malësorë, me fytyra të vrara, me kocka të dala, ku gdhendet lodhja e ndërtimit e “njeriut të ri”, në fabrika a miniera, me shate, lopata e kazma, në kooperativat e fshatrave ku i kish takuar, banorët e zonave rreth Shkodrës kur qyteti tkurrej nga regjimi. Portretet janë aq të vërtetë e realistë, sa zor të duken “socialistë” të propagandës- ata nuk qeshin, bartin trishtimin e fytyrave të vrenjtura, që nuk munden të qajnë.


Adriani, i ka ruajtur për më shumë se 4 dekada, duke gjetur mes tyre një fije lidhëse me të atin, teksa e ndiqte në gjurmët e artit. E gjen veten trashëgimtar të tij jo vetëm, në atë që bën, por edhe në atë që është; kush ka njohur Ferdinandin, e gjen atë te Adriani;
Portretet e videove të tij, me a pa dashje, diku-diku, u ngjajnë vizatimeve të babait; sistemi politik është tjetër, por imazhi njerëzor sërish përçon dhimbje.(Trupa të tkurrur, të kërrusur me vetëdije, me muskujt të krijuar prej zorit, lëkurë e ashpër e pëllëmbëve të punëtorit). Kujdesi i tyre për portretin që kumton vetëm me fizionominë, gjen pikëtakime me personazhet që përzgjidhte Pasolini. Ndër vizatimet më të fundit të Pacit (baba) është Thethi, një siluetë me laps për Thethin ku iu pre udhëtimi.


LAPSAT E NDALUR
Adriani ka hapur dosjen e të atit. Një tufë vizatimesh, duket se pohojnë praninë e kahershme të tij, përmes gjurmëve që i la, para se të ikte para kohe. Janë lapsat e tij të fundit, pasi kish pikturuar “peizazhet” a “Gjyshen Nine”. Lapsi i Ferndinand Pacit u ndal në shtatorin e 1975-ës. Ishte vetëm 35 vjeç. Vizatimet që ekspozohen në San Rocco, sjellin burra e gra, diku në veshje popullore e diku nudo, një sërë studimesh para se të arrihej te kompozimi, lapsa që vallëzojnë nëpër letra të bardha, diku krijuar silueta, të lirshme, natyrale, deri kur lapsi ndal. Pas tij ka vetëm një pikë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.