EKONOMI

Kreditë e buta në Tiranë, deri tani ka 800 aplikime, afati i fundit për dorëzim, 8 qershori

10:00 - 27.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ola MITRE

 

Rreth 800 qytetarë të Tiranës kanë aplikuar deri më tani për të përfituar nga programi i Bashkisë së Tiranës për subvencionimin e interesave të kredisë apo siç njihet ndryshe programi i kredive të buta. Të dhënat për “Gazeta Shqiptare” janë bërë me dije nga përfaqësues të këtij institucioni, pas hapjes së thirrjes për aplikime në datën 8 maj. Në këtë shifër përfshihen të gjitha dorëzimet që janë të vlefshme, çka do të thotë se nuk futen aplikimet e bëra para muajit mars 2017. Kjo pasi, këtyre qytetarëve do t’ju duhet të ridorëzojnë dokumentacionin e kërkuar sipas kategorisë së cilës i përkasin. Shkak për këtë procedurë është vlefshmëria e dokumenteve, të tilla si: vërtetimi i pagës, vërtetimi hipotekor apo certifikata, që kanë një afat jo më tepër se 3 muaj. Programi i kredive të buta parashikon, pagesën e një interesi fiks në masën 3% për periudhën që do ta marrë kredinë (15 ose 20 vjet) nga ana e qytetarit, ndërkohë që bashkia paguan pjesën tjetër të interesave të tregut.
Procedura
Ndërkaq, referuar Vendimit të Këshillit Bashkiak, qytetarët e interesuar kanë kohë deri në datën 8 qershor për të dorëzuar dokumentet e për t’u bërë pjesë e garës. Procedura fillon në Njësinë Administrative ku qytetari banon, përmes plotësimit të një formulari, që tashmë iu është dërguar njësive vendore. Pas plotësimit të tij, bashkëngjitur është edhe lista e dokumenteve që duhet të dorëzojë çdokush sipas një kategorie që i përket. Në tabelën bashkëngjitur shkrimit, “GSH” publikon dokumentet që nevojiten, por ajo që duhet të keni parasysh është se jo të gjithë duhen plotësuar. Për shembull, një qytetar që nuk mbështetet me ndihmë ekonomike, nuk ka nevojë të dorëzojë vërtetimin për ndihmën ekonomike. Ose, nëse dikush nuk ka persona me aftësi të kufizuara në familje, s’i nevojitet një dokument që e vërteton këtë. Pra çdo qytetar do të zgjedhë dokumentet e asaj kategorie që i përket. Dorëzimi i këtyre dokumenteve bëhet pranë sportelit të pritjes së qytetarëve në Bashkinë e Tiranës, pasi të keni marrë numrin e protokollit nga Njësia Administrative ku keni plotësuar formularin. Kriter për aplikimin janë edhe të ardhurat e familjes sipas numrit të anëtarëve, që gjithashtu i gjeni në tabelën bashkëngjitur shkrimit.
Shpallja e fituesve
Më herët, nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali, në një intervistë dhënë për “Gazeta Shqiptare” deklaroi se shpallja e fituesve do të bëhet në fund të muajit qershor, përmes një Vendimi të Këshillit Bashkiak. “Menjëherë pas mbylljes së aplikimeve do të fillojmë shqyrtimin e dokumentacionit. Ndërkohë që, në mbledhjen e parë të radhës të Këshillit Bashkiak do të çohet lista e fituesve të këtij projekti. Pra besoj deri në fund të qershorit procesi do të jetë mbyllur. Numri i familjeve që do të mbështetet nga ky program për këtë vit është 1.000. Bashkia e Tiranës për këtë vit ka vënë në dispozicion një buxhet prej 97 milionë lekësh apo rreth 1 milion dollarë, për financimin e interesave të kredisë”, – deklaroi Paskali.


DOKUMENTACIONI QË NEVOJITET PËR  TË APLIKUAR PËR KREDI TË BUTË
1.     Formulari i Strehimit i plotësuar pranë njësisë administrative në të cilën aplikanti ka vendbanimin.
2.     Certifikata e lindjes e aplikantit dhe certifikata e gjendjes familjare.
3.     Vërtetimi i vendbanimit në bashkinë ku kërkohet vendstrehimi ose leje banimi për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit.
4.     Vërtetimi i të ardhurave neto të familjes/individit.
5.     Dokumenti përkatës nga punëdhënësi(vërtetim punësimi), për detyrën dhe të ardhurat e aplikantit dhe të personave të tjerë të familjes që janë në marrëdhënie pune.
6.     Dokumenti nga organet tatimore dhe nga sigurimet shoqërore për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të gjithë anëtarët e punësuar në familje.
7.     Vërtetimi nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të qeverisjes vendore për anëtarë, të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar.
8.     Vërtetimi nga zyra e punës e njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë.
9.     Vërtetimi nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension.
10.    Dokumenti zyrtar i celebrimit dhe certifikatat personale, për efekt të llogaritjes së moshës, për çiftet e reja.
11.     Vërtetimi nga ZRPP se familja apo ndonjë anëtar i saj nuk disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis që mund të përdoret si e tillë.
12.     Vërtetimi nga ZRPP për sipërfaqen e pronës që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat në fuqi për strehim.
13.     Vërtetimi nga ZRPP të origjinës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi, për të gjithë anëtarët e familjes.
14.     Vendimi i Gjykatës, që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara, shoqëruar me vërtetimin nga zyra e përmbarimit për masën e pensionit që përfitojnë për fëmijët.
15.     Vërtetimi përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezën e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar, për individët me statusin e jetimit.
16.     Vërtetimi nga Komisioni Mjekësor për përcaktimin e Aftësisë së Kufizuar, për individë me aftësi të kufizuar.
17.     Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe azilkërkues.
18.     Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Policisë së Burgjeve etj.
19.     Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse për viktimat e dhunës në familje. Urdhri i Mbrojtjes i lëshuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor, seksioni familjar (fotokopje e njehsuar me origjinalin). Vërtetim nga strukturat e shërbimit social, qendrave sociale dhe rehabilitimit për viktimat e dhunës pranë njësive të qeverisjes vendore.
20.     Deklaratë noteriale që lëshohet nga kryefamiljari që shprehet se është dakord që kredia të lëvrohet për aplikantin që rezulton i përfshirë në Formularin e Strehimit.
21.     Dokument se nuk është i/e regjistruar në sistemin informatik në Drejtorinë Rajonale Tatimore Tiranë, për të gjithë anëtarët e familjes.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.