Media

Analiza/ “Bye-bye Jozefinë! Janë kryetarët e partisë që kanë në dorë…”

11:02 - 29.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Në një shkrim me titull “Bye-bye Jozefinë!… Dhe ja se si bëhesh deputet në Britaninë e Madhe”, botuar në “Mapo”, analisti Mustafa Nano, ka bërë një paralelizëm me mënyrën se si zgjidhen në Britani të Madhe kandidatët për deputet të një partie dhe si zgjidhen apo përjashtohen nga listat në Shqipëri, referuar këtu edhe rastit të ish-kryeparlamentares Jozefina Topalli, e cila si shume kolege të tjerë, u lanë jashtë listave nga kryetari Basha.

“Kështu pra është zgjedhur kandidat Gyes Brandrethi. Këtij i është dashur të kalojë disa situata (provime), në të cilat ai ka demonstruar se kush është, nga vjen, a është në gjendje të shprehë mendimet e veta përpara të tjerëve, çfarë formimi ka, çfarë mendon ai për botën apo për Britaninë e Madhe, cilat janë kredot e tij politike, pse kërkon të kandidojë, si mendon që të fitojë etj. etj.

Ai nuk iu fut kësaj pune, ngaqë kishte ndonjë mik që i kish dhënë garanci të plota apo ngaqë kish ca kontakte që do ta ndihmonin. Nuk përjashtohet që ai apo dikush tjetër të shfrytëzojë ndonjë kontakt me ndonjë të pushtetshëm, por ky kontakt nuk mund t’i vlejë për asgjë, nëse ai vetë nuk vlen hiç. Sepse së pari, asnjë mik nuk është aq i çmendur sa të marrë përsipër të bëjë deputet një hiç dhe së dyti, procedurat nuk janë në dorë të një njeriu të vetëm. Atë të dy apo të tre vetëve. As në dorë të kryetarit të partisë, i cili është krejt jashtë kësaj loje. Gyles Brandrethi, meqë ra fjala, e takoi John Majorin për herë të parë gjatë fushatës elektorale, kur kryetari shkoi të bënte një takim me zgjedhësit në Chester. Iu duket përrallë? Ok, vijoni atëherë të jetoni me idenë se edhe në Angli gënjejnë, janë hipokritë, mashtrojnë.

Është e njëjta logjikë që i bën ca të tjerë të thonë, për të legjitimuar të gjitha prapësitë që ndodhin në Shqipëri, se kudo ka korrupsion, se kudo sistemi i drejtësisë nuk jep drejtësi, se kudo politikanët e kanë mendjen për të vjedhur (veçse vjedhin me lezet dhe me masë!!!), se edhe në Britaninë e Madhe janë kryetarët e partisë që kanë në dorë të zgjedhin se cili do jetë kandidat për deputet etj. etj.

Ah po, mund të thuhet se kjo procedurë britanike nuk ndodh në vende të tjera. Ka shumë vende demokratike, pra ku kandidatët për deputetë zgjidhen edhe mbi bazën e njohjes, kontakteve, miqve të rëndësishëm, por as kjo nuk mund të shërbejë si një alibi për askënd. Në Shqipëri ndodh diçka që nuk ka pikën e kuptimit: Kandidatët për deputetë i zgjedh kryetari i partisë. Është po kryetari që vendos se dikush nuk duhet të jetë më deputet (bye-bye Jozefinë!). Pa asnjë kriter logjik, ideologjik, politik, kulturor. Pa u konsultuar me askënd tjetër. Thjesht sepse ashtu ia thotë truri”, shkruan Nano për “Mapo”.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.