KULTURË

“Ëndrra e doktorit”, si ironizon Besnik Mustafaj

08:46 - 29.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Isuf NELI

 

Komedia “Pas vdekjes” e Andon Zako Çajupit, sipas historisë së traditës letrare dhe studiuesve të saj, është vlerësuar për shumë e shumë dekada. Kjo vepër, për vendin që ka zënë apo ka marrë në letërsinë shqipe, ka ftuar për të shkruar për të dhe autorin e nderuar të saj, përfshi edhe krijimtarinë e tij të plotë, mbi gjashtë mijë faqe. Andon Zako Çajupi ka dhënë ushqim dhe tituj shkencorë për jo pak kandidatë shkencash, doktorë e profesorë. Mungesa e botimit të veprave të tilla me standardin artistik të Çajupit kanë dëshmuar për cikle ndërprerjeje, e kjo për shkak të vlerave që komedia sillte te lexuesi.
Shkrimtari Besnik Mustafaj, me sa arrijmë të kuptojmë në romanin “Ëndrra e doktorit”, ka qenë i joshur nga mesazhet që kishin mbijetuar dhe ishin bërë populiste nga dita e leximit të kësaj komedie e deri në paskohësi. Rimarrja e subjektit, personazheve, ideve, pasioneve, vështrimeve dhe ambicieve ka qenë sita e miellit letrar për një “bukë” që ka sjellë një roman dinjitoz. Mbijetesa e ideve, pavarësisht kohës që vrapon, i ka nxjerrë Adhamudhin e të tjerë, si emra të kujtesës letrare. Edhe komedinë “Pas vdekjes”, si biografi në rrugëtimin dinjitoz të saj, shkrimtari i sotëm e ka jetësuar në një filozofi tjetër. Besnik Mustafaj as ringjall, as rivarros. Autori nëpërmjet ironisë, sarkazmës dhe groteskut rilind doktorët e kohërave të këtij shekulli, shkencëtarë e vizionarë, lokalë e globalë.
Filozofia e të shkruarit të romanit e çon lexuesin drejt analizave të vëmendshme. Në këtë vështrim, romani “Ëndrra e doktorit” nis e lexohet prapë, pasi e ke mbaruar atë. “Shahu” filozofik dhe pena e akullt aristokrate e Besnik Mustafajt trazon përgjigje individuale për mbijetesën e raporteve asgjëja-gjithçka, lavdia-asgjë, vdekja-kapak floriri, puna flet, kur punëtori hesht etj. Personazhet e komedisë së Çajupit vendosen në kohën e sotme në “Panairin e kotësive”, si dëshmues të situatave të reja. Bash atëherë kur asgjëja nuk kishte çfarë të thoshte, në peshoren artistike, Mustafaj sjell në roman komedianin. Bashkëbisedimi artistik midis dy shkrimtarëve është një vlerë përtej kufijve shqiptarë dhe autorëve të letërsisë sonë kombëtare. Në një rrafsh të analizës së komponentëve psikologjikë dallohet deri në përulësi respekti që shkrimtari Besnik Mustafaj i bën Çajupit. Por epokat ndajnë jo vetëm respekt. Vlera është trashëgimia që i lë pas njeriu vetvetes. Ajo është hierarkia e përmendjes në përjetësi. Dhe në këtë lloj përmendjeje vlerash, pak humor, është si midis miqsh të njohur kaherë. Por mesazhi i Mustafaj, sipas romanit, është në diferencë të madhe të kumteve Çajupiane. Sipas tij, në këtë roman, veset dhe imitimi i tyre, të së ligës, sidomos, krijojnë identitete të njëjta, sipas sindromit “Kështu e ka zgjidhur problemin ky apo ai personalitet-personazh”.
Në roman individualiteti shihet si bashkësi vlerash, ndërsa individualizmi si tërësi egosh dhe smirash, frike dhe pavendosmërie. Në këtë vorbull ndjesish, ku mbijetesa nuk është ekzistencë, por kërkesë për lavdi, Besnik Mustafaj kundërvë kontributin, mendjen, trurin, shpirtin, kohezionin, ekipin. Pra, ndonjë raporti të veçantë të Andon Zako Çajupit me personazhet e tij, në kohën e të shkruarit të “Pas vdekjes”, i jepet një përgjigje qëmtuese për alfabetin e kontributit të secilit, sipas hierarkisë që shërbimi për vendin, kombin, parimësinë është një mospërmendje.


Çajupi i Mustafajt është një marrëdhënie shpirtërore dhe letrare krejt e re në letërsinë tonë. Është veçmas ndryshe nga “Kush e solli Doruntinën” apo përcjellje të tjera, ku enigmat kanë lënë shkas për hyjnizime, apo vijime të fundit të rrugës së subjektit, bashkë me personazhet, nga jo pak autorë. Tek “Ëndrra e doktorit” nuk diskutohet asnjë merak i tillë, as në frymë, as në stil.
Shkrimtari Besnik Mustafaj, siç kuptohet, as është tundur përballë kësaj dukurie. Ai ka zgjedhur përvojën e tij për të provuar një lloj të ri romani në një treg me lexues të zgjedhur. Romani është një lojë shahu artistik, ku skakiera është vendosur në një tapet mbi të cilin nuk dallon gurët që lëvizin, por vetëm lojtarët e shahut. Dhe si spektator të duhet të presësh e të takosh të humburin. Te “Ëndrra e doktorit” fituesit vazhdojnë të luajnë, por ata nuk dalin nga porta ku pret spektatori. Ose njësoj si një konak, kullë guri, ku i zoti i shtëpisë pyet, nëse kishin mbetur të kënaqur të ftuarit, kur vetë ishte pranë zjarrit.
Meraku si e çmojnë personazhet Besnik Mustafajn shikohet si shqetësimi i vetëm në roman. Sa ka qenë i dashur me ta, ironik, vlerësues, sarkastik, respektues, neutral dhe frymëzues. Në këtë vështrim, autori duhet të jetë i qetë se lexuesi dhe Andon Zako Çajupi e kanë shijuar romanin. Edhe Rilindja e “Pas vdekjes” po e bën të njëjtën gjë si post-mortum.
Romani “Ëndrra e doktorit” e bën lexuesin të mendojë e të hamendësojë se do të ketë edhe një vepër tjetër post-Mustafaj. Besoj në shekullin tjetër nga autorë të palindur. Ky është shqetësimi artistik dhe filozofik, që përcakton jetëgjatësinë e vlerësimit të veprës. Në këtë vështrim, shkrimtari, jo vetëm ka lënë një derë të hapur, por ka krijuar një dimension të ri të shkrimit dhe komunikimit artistik për autorë, subjekte, ide dhe analiza që protagonizmin shqiptar absurd dhe real, ia nënshtrojnë gjykimit ndër breza. Ky vizion është një grishje e zgjuar, respekt gjithashtu, me qëllim që autorët e shquar të letërsisë sonë të mos vlerësohen vetëm në nderime përkujtuese.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.