Kryesore

Helmimi i PD/ Sekuestrohen 2 nga 12 prozhektorët. Zbulohet çfarë tha në prokurori pronari i firmës

16:58 - 29.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Klodiana LALA

 

Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar 2 nga 12 prozhektorët e përdorur në mitingun e Partisë Demokratike në nisje të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit.

Rreth 140 vetë u paraqitën në spital menjëherë pas mitingut me skuqje, djegie dhe njolla, në lëkurën e qafës, në sy, duar dhe pjesë të tjera të trupit. Policia dhe prokuroria nisën hetimet bazuar mbi dyshimet se një lëndë helmuese kimike u përdor në këtë miting.

Paralel me këtë, prokurorët po hetojnë mundësinë e reaksionit si pasojë e anomalive në prozhektorët ndriçues të përdorur atë natë në sheshin para kryeministrisë.

GSH.al mësoi se prozhektorët janë prodhim holandez, model “Skarf” dhe “Filips”, 380 volt dhe 2 mijë vat.

Kompania që ka ofruar ndriçimin quhet “Pro-video”, por ajo nuk e ka dhënë direkt këtë shërbim por nëpërmjet një nënkontraktori.

Administratori i firmës, Spiro Nino ka qenë sot në prokurori. GSH.al mësoi detaje nga dëshmia e tij. Spiro Nino ka deklaruar para hetuesve se të gjithë prozhektorët që ndriçuan mitingun e PD-së janë përdorur më parë në zgjedhjet e vitit 2013, 2015 dhe këtë vit.

3 herët e fundit që janë përdorur janë: mitingu hapës i Partisë Socialiste më 18 maj tek Piramida, Konventa e LSI-së tek “Asllan Rusi” dhe mitingu hapës i fushatës së PD-së më 27 maj përballë kryeministrisë.

Pronari i kompanisë ka dorëzuar në prokurori fotografi dhe filmime të mitingjeve të partive të zhvilluara në vitin 2013 (shikoni KETU)

Ende mbetet mister ç’ngjau me 140 simpatizantët e opozitës në shesh, por nëse ky është akt i qëllimshëm atëherë, dikush rrezikon burgun.

KODI PENAL

Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive e bërë tej kufirit të normave të lejuara, kur vepra nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet.
Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet.

NJOFTIMI I POLICISË

“Më datë 27.05.2017, nga ora 19:00, deri në orën 20:30, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, subjekti politik Partia Demokratike e Shqipërisë, ka filluar aktivitetin elektoral të “Zgjedhjeve Parlamentare 2017″, rreth dy orë pas mbarimit të aktivitetit, disa pjesëmarrës kanë pasur skuqje të syve, fytyrës dhe qafës, të cilët pasi kanë marrë ndihmën mjekësore në spitalin Francez pranë Q.S.U.T., janë larguar për në banesë.

Punohet për përcaktimin e shkakut të ndotjes së ajrit dhe identifikimin e kapjen e autorëve përgjegjës. Parashikuar nga Neni 201 i Kodit Penal”.

DYSHIMET

Paraprakisht dyshohet se mund të ketë qenë ndonjë lloj substance kimike e shpërndarë në ajër ajo që ka sjellë helmimin e disa prej pjesëmarrësve në miting. Fakti që shenja helmimi ka shfaqur edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, sipas burimeve tregon se lënda e dyshimtë mund të jetë hedhur pranë podiumit e më pas është shpërndarë në ajër. Një mundësi është që substanca kimike mund të ketë qenë në ndonjë prej tullumbaceve të hedhura gjatë mitingut, por nuk përjashtohet mundësia që të jetë hedhur nga ndonjë person që është përfshirë mes njerëzve që merrnin pjesë aty.

Por derisa të dalë një ekspertizë përfundimtare nga analiza që u është bërë pacientëve dhe ekzaminimi i rrobave të tyre, nuk mund të përcaktohet një shkak i saktë apo substanca konkrete e përdorur. Prokuroria ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen, edhe pse nuk bëhet ende e ditur se për çfarë vepre penale janë referuar materialet e Policisë. Megjithatë, burimet thanë se nuk përjashtohet as mundësia e ndonjë akti terrorist, nisur edhe nga përfshirja e oficerëve të Antiterrorit në hetimin e ngjarjes.

GSH.al


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.