LIFE STYLE

Muaji i Ramazanit, si të agjëroni shëndetshëm

09:10 - 29.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Ola MITRE




Prej ditës së shtunë besimtarët myslimanë kanë nisur muajin e shenjtë të Ramazanit, ndërkohë që vëmendja e specialistëve të shëndetit fokusohet tek ata persona që kanë vendosur të agjërojnë e sidomos te të moshuarit, gratë shtatzëna, nënat në periudhën e ushqyerjes me gji, fëmijët si dhe të prekurit nga diabeti. Duke marrë në konsideratë periudhën e nxehtë të verës si dhe orët e tejzgjatura të qëndrimit pa ngrënë e pa pirë, specialistët rekomandojnë për besimtarët ndjekjen e një sërë këshillash, me qëllim shmangien e komplikacioneve në shëndet.


Rekomandimet
Sipas, specialistëve të shëndetit, gjatë orëve të mesditës, pikërisht atëherë kur edhe temperaturat janë më të larta, duhet që të qëndroni në një vend të freskët dhe me hije, të mbrojtur nga dielli. Është e rëndësishme që të plotësohen lëngjet që trupi ka humbur gjatë ditës së agjërimit, duke pirë lëngje përgjatë dhe në fund të vaktit. Uji është pija që rekomandohet në këto raste. Gjithashtu, duhet të konsumohen ushqime të pasura me ujë, të tilla si supat ose sallatat me perime të freskëta. Po ashtu, rekomandohet ngrënia e Syfyrit – një vakt i lehtë përpara fillimit të ditës së agjërimit – çdo ditë. Ky vakt, i cili përbën një mëngjes të lehtë, duhet të përmbajë perime, ushqime të pasura me karbohidrate, të tilla si buka, apo produktet e brumit të grurit dhe të pasura me proteina, siç janë produktet e qumështit (djathë që nuk është i kripur, gjizë, qumësht dhe/ose vezë, shoqëruar me garniturë frutash ose perimesh të gjelbra). Gjithashtu, rekomandohet që të mos konsumohen së tepërmi ëmbëlsirat e ofruara pas vaktit të Iftarit. Kjo pasi, ato që përdoren zakonisht gjatë Ramazanit përmbajnë sasi të mëdha të shurupit të sheqerit. “Ëmbëlsirat” e rekomanduara për konsum janë frutat me përmbajte të lartë uji, të tilla si shalqini ose pjepri, apo edhe ndonjë frut tjetër i stinës, si për shembull pjeshkat apo nektarinat. Sipas specialistëve të shëndetit, besimtarët duhet të përpiqen për të pakësuar konsumin e ushqimeve të bollshme me yndyrë, veçanërisht mishrat e pasura me përbërje dhjamore, ushqimet që përmbajnë brumë pudre ëmbëlsirash, apo me yndyrë/margarinë ose gjalpë të shtuar. Në vend të skuqjes apo fërgimit, është e këshillueshme që të përdoren metoda të tjera gatimi, të tilla si, vlimi në avull, gatimi në salcë, fërgimi me përzierje vaji në një sasi të vogël dhe pjekja. Veçanërisht është i këshillueshëm kufizimi i ushqimeve që përmbajnë sasi të mëdha kripe, si: salçiçet, mishi i përpunuar e i kripur dhe produktet e peshkut, ullinjtë dhe turshitë, ushqimet e shpejta dhe të lehta, djathërat e kripur, llojet e ndryshme të biskotave të thata të gatshme, sallatat dhe salcat (si majonezë, mustardë, ketchup). Gjatë përgatitjes së vaktit, rekomandohet ulja sa më shumë që të jetë e mundur e përdorimit të kripës dhe sigurisht, rekomandohet, madje edhe largimi i kripores nga tryeza e ngrënies. Gjithashtu, rekomandohet ngrënia ngadalë dhe në sasi të përshtatshme me nevojat e gjithsecilit, pasi vaktet e rënduara me ushqim të tepërt shkaktojë urth dhe siklet. Po ashtu, është e këshillueshme që të mos teprohet duke humbur shumë kohë dhe energji me përgatitjen e shumë gjellëve për Iftarin – vaktin që ndërpret agjërimin; pothuajse gjysma e ushqimeve të përgatitura, shpesh, shkon dëm, ndërsa rekomandohen përpjekjet për të lëvizur sa më shumë që të jetë e mundur dhe për të qenë energjikë gjatë mbrëmjeve, për shembull, duke dalë rregullisht për një shëtitje të përditshme.

Shembull i një vakti – Iftar
Supë perimesh e gatuar në shtëpi (jo nga përgatesat që tregtohen me supë-pluhur).
Sallatë lakër ose ndonjë lloj sallate me perime të tjera sipas pëlqimit.
Perime të mbushura (kungull/patëllxhan/gjethe rrushi).
Gjoks pule i pjekur.
Sasi të mjaftueshme uji të pijshëm; ndërkohë që mund të shtohen për të përmirësuar shijen edhe feta limoni apo gjethe nenexhiku.


Shembull i një vakti – Syfyr
Dy feta buke
Omletë me perime, ose vezë të ziera shumë.
Feta të përgatitura nga dy perime të ndryshme.
Gjizë ose djathë me erëza dhe vaj ulliri.
Çaj bimor.
Sasi të mjaftueshme uji të pijshëm.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.