Intervista

Oketa: E djathta, drejt greminës nga pazaret e dy individëve. FRD do jetë pjesë e Kuvendit

08:22 - 29.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Valentina MADANI

Gazmend Oketa, Sekretari i Përgjithshëm i FRD-së, i cili udhëheq listën e qarkut të Tiranës, ka bindjen e plotë se kjo parti do të jetë pjesë e Kuvendit të ardhshëm të Shqipërisë. Por ai u bën thirrje shqiptarëve që më 25 maj t’u japin fund koncesioneve dhe monopoleve politiko-ekonomike dhe të zgjedhin alternativën e FRD-së. Z. Oketa thotë për “Gazeta Shqiptare” se, në rast se shqiptarët nuk ndëshkojnë më 25 qershor dy partitë e mëdha, atëherë PS-ja dhe PD-ja më mirë të bashkohen dhe sipas tij t’i kursejnë ca para buxhetit të shtetit. Z. Oketa kritikon listën e kandidatëve të PD-së dhe përjashtimin e çdo zëri ndryshe brenda saj, teksa apelon për riformatim të së djathtës si nevojë urgjente. Sipas Gazmend Oketës, e djathta po shkon drejt greminës, ndaj FRD-ja premton bashkimin e vlerave të saj.

Oketa, si i parashikoni zgjedhjet e 25 qershorit dhe a mendoni se këtë herë FRD-ja do të arrijë të hyjë në Kuvend?

Zgjedhjet e 25 qershorit do të hyjnë në historinë e zgjedhjeve shqiptare ndoshta si zgjedhjet më të çuditshme, së paku për dy arsye. E para, për faktin se në to shkohet me një qeveri të përbashkët PD-PS-LSI. Së dyti, për faktin se në to shkohet me një “marrëveshje” politike, për shtyrjen e datës së zgjedhjeve si dhe për mosrespektimin e Kodit Zgjedhor. Konflikti artificial 90-ditor e më pas arroganca e dëshmuar pas marrëveshjes PS-PD e bëjnë tejet më të papëlqyeshme mënyrën se si forcat kryesore politike shkojnë në këto zgjedhje. Nëse qytetarët shqiptarë do të hapin sytë dhe mendjet dhe nuk do të votojnë më të njëjtat modele, të njëjtat marrëveshje, të njëjtat koncesione, të njëjtat monopole për të cilat ankohen çdo mëngjes në telefona dhe ekrane televizive, atëherë patjetër që FRD-ja do të jetë pjesë e Kuvendit të ardhshëm. 25 qershori është mundësia e fundit e shqiptarëve për rrëzimin e koncesioneve dhe monopoleve politiko-ekonomike. FRD-ja jo vetëm që do të përfaqësohet në Kuvend, por do të ketë një numër mandatesh që do të diktojnë shumë vendimmarrje.

Përse mungon në listën e kandidatëve kreu i FRD-së, Bamir Topi? Cili është shpjegimi që ju ka dhënë juve si sekretar i përgjithshëm për mospërfshirjen në listën e FRD-së?

Z.Topi e ka bërë publike arsyen e moskandidimit të tij, dhe kjo arsye është fare e thjeshtë; dhënia e një modeli ndryshe, duke dëshmuar se FRD-ja nuk është një parti e kryetarit. Z. Topi, sigurisht është kryetar i FRD-së dhe do të udhëheqë fushatën e saj në të gjithë Shqipërinë. Është ndoshta e tepërt të përmend se është ai që ka firmosur listat e FRD-së e po ashtu do të përfaqësojë FRD-në në fletën e votimit.

Si e vlerësoni faktin që jeni vendosur i pari në listën e Tiranës dhe çfarë rezultati prisni në këtë qark?

Të garosh në Tiranë ka të veçantën e saj. Çdo i zgjedhur në qarkun e Tiranës, ka privilegjin të ndihet përfaqësues i gjithë Shqipërisë. Kjo, si për faktin se Tirana është kryeqyteti i vendit, ashtu edhe për faktin se Tirana e sotme me afro 1 milion banorë, ka brenda saj qytetarë të çdo treve të Shqipërisë. Sigurisht, të kryesosh listën e FRD-së në Tiranë është përgjegjësi, por edhe kënaqësi, pasi vërtet jemi përpjekur të krijojmë një skuadër sa më përfaqësuese, duke përzgjedhur zonja, të rinj e të reja e profesionistë dinjitozë.

Do t’ju shohim sërish në parlament?

Unë jam besimplotë se në Kuvendin e ardhshëm do të shohim një grup parlamentar të FRD-së. Besoj se në këto zgjedhje qytetarët kanë më shumë se kurrë arsye për të ndryshuar votën e tyre, për të mbështetur forca politike të moderuara siç është FRD-ja, dhe për të ndëshkuar politikat e pazareve dhe kompromiseve për pushtet absolut. FRD-ja do të jetë forcë parlamentare, dhe këtë do ta mundësojnë qytetarët me votën e tyre.

Votat e kujt synoni të merrni më 25 qershor?

Ne do të trokasim fort në derën e çdo qytetari që e do këtë vend me sinqeritet, do të kontaktojmë çdo qytetar mendjehapur, të cilët vërtet kërkojnë ndryshim dhe një Shqipëri ndryshe. Ne do donim që edhe emigrantët të ishin votues në këto zgjedhje. Ata që kishin në dorë të ndryshonin Kodin Zgjedhor dhe t’u mundësonin atyre pjesëmarrjen në votime, fatkeqësisht i duan ata larg Shqipërisë dhe shumë herë më larg zgjedhjeve. Kjo për arsyen e thjeshtë se ata janë njerëz të lirë dhe ekonomikisht të pavarur nga partitë-shtet në Shqipëri. Vota e tyre vërtet do sillte ndryshim, e do ta afronte më shpejt Shqipërinë me BE-në.

Sa ju favorizon dalja të vetëm në zgjedhje dhe jo si koalicion?

FRD-ja ka dalë e vetme edhe në zgjedhjet e vitit 2013, dhe atëherë për shkak të Kodit Zgjedhor si dhe tjetërsimit të votës, 30 mijë votat tona nuk u përkthyen në mandate. Ne nuk kemi kërkuar favore nga Kodi Zgjedhor. Ne vazhdimisht kemi kërkuar një Kod Zgjedhor të ndershëm, një administrim jopolitik të procesit zgjedhor, një Kod i cili do të prodhonte një Kuvend të qytetarëve, dhe jo një Kuvend të pushtetarëve, të koncesioneve e të monopoleve ekonomike.

Marrëveshja PD-PS, sa i dëmton partitë e vogla?

Më shumë duhet të shqetësohemi për interesat e qytetarëve dhe të shtetit shqiptar. Marrëveshja e pak ditëve më parë duket si një rishkrim i marrëveshjes PD-PS të vitit 2008. Të quash sot përgjegjës kryesor për gjithçka ndodh në këtë vend vetëm drejtësinë, në një kohë që është politika ajo që e ka masakruar sistemin e drejtësisë e çdo sistem tjetër, më e pakta është t’i konsiderosh qytetarët si qenie pa inteligjencën minimale. Kjo marrëveshje, në gjykimin tim, rrëzon akoma pa filluar zbatimin e saj reformën e shumëpërfolur në drejtësi. Askush të mos mendojë se e gjithë kriza u zgjidh se PD-ja mori pjesë në zgjedhje. Kriza është zgjidhur se është garantuar paprekshmëria e atyre që kanë abuzuar në emër të pushtetit. Nëse qytetarët nuk i ndëshkojnë me votë, është e kotë të presin të ndëshkohen nga drejtësia.

Sipas jush, a e zgjidhi krizën politike shtyrja me 1 javë e zgjedhjeve parlamentare?

Thjesht liroi trafikun në bulevard, pasi krizë reale nuk kishte. Ajo ishte një marrëveshje thjesht pragmatiste, e bazuar mbi interesa personale të atyre që e realizuan. Lista e kandidatëve të PD-së dhe përjashtimi i çdo zëri ndryshe brenda saj është një nga elementët që e konfirmon këtë fakt.

 Si e shikoni bashkëqeverisjen PD-PS dhe si ju duken ministrat teknikë?

E shoh si finalizimin më të shëmtuar të marrëveshjes PD-PS të vitit 2008. Nëse pas zgjedhjeve të 25 qershorit nuk ndëshkohen me votë, më mirë të bashkohen. Së paku i kursejnë diçka buxhetit të shtetit.

A ishte zgjidhja e duhur qeveria teknike dhe a e shikoni atë si garante të votës së lirë të 23 qershorit?

Së pari do thosha që kjo nuk është aspak qeveri teknike. Ajo është krejtësisht politike. Së dyti, zgjedhjet në cilindo vend demokratik i garanton sistemi dhe jo partitë. Pikërisht për këtë arsye FRD-ja ka insistuar në domosdoshmërinë e realizimit të njëkohshëm të reformës në drejtësi dhe asaj zgjedhore. Personalisht nuk kam kuptuar dhe ende nuk e kuptoj mosangazhimin e faktorit ndërkombëtar për realizimin e reformës zgjedhore. Shqipëria është i vetmi vend i cili shet dhe blen të gjitha ndeshjet e kampionatit të futbollit dhe kur ekipet që nuk blejnë dot njëri-tjetrin ndeshen, marrin arbitra ndërkombëtarë. Krejt e kundërta ndodh me zgjedhjet. Ata që ndajnë koncesionet, monopolet në ekonomi, që zhvatin pronat e shtetit dhe të pronarëve të ligjshëm, që shtetin e quajnë pronë të tyre, ditën e “ndeshjes” në zgjedhje arbitrojnë dhe numërojnë po vetë votat. Nuk e kuptoj se si pas 27 vitesh, miqtë tanë ndërkombëtarë ulen në tribunën VIP dhe shohin zgjedhjet shqiptare të arbitruara nga vetë ata që luajnë. Uroj që një eksperiencë të tillë të mos e aplikojnë edhe në vendet e tyre.

Flitet për një vijimësi të bashkëqeverisjes PS-PD edhe përtej 25 qershorit. A i shkon realitetit shqiptar, sipas jush, një qeverisje e tillë që ngjan me atë të modelit gjerman?

Ju lutem, mos e përmendni modelin gjerman, se ndoshta po morën vesh se bashkëqeverisja e tyre është krahasuar me bashkëqeverisjen tonë, mund ta prishin qeverinë e tyre.

Si e konsideroni ju listën e kandidatëve të PD-së, në mënyrë të veçantë largimin e figurave kryesore të PD-së nga gara elektorale e 25 qershorit?

Pavarësisht se një pjesë e madhe e listës përbëhet nga emra që nuk i njoh, nuk kam asnjë të drejtë që të paragjykoj askënd prej tyre. Ajo që më ra në sy, përveç largimit të pothuaj të gjitha figurave kryesore të PD-së, është fakti se në të nuk gjen emra përfaqësues të familjeve të mëdha qytetare, nuk gjen përfaqësues tipikë të pronarëve të ligjshëm, të të përndjekurve. Mungon tërësisht përfaqësimi i të rinjve; pavarësisht se ka emra të rinj, mosha e tyre nuk është e tillë dhe nuk vijnë nga forumi i rinisë. Nga ana tjetër, largimi i disa njerëzve me shumë kontribute dhe rikthimi në to i disa të vjetërve hedh poshtë, ende pa filluar fushata, tezën e “republikës së re”.

Përjashtimi i tyre, a e dëmton PD-në në zgjedhje?

Sigurisht që çdo përjashtim nuk bën gjë tjetër veçse e dobëson një grupim politik. Aq më tepër kur ky përjashtim është krejt arbitrar dhe pa asnjë sqarim apo debat. Problemi më i madh me përjashtimet nuk është thjesht përjashtimi i disa emrave, por përjashtimi i grupimeve që unë përmenda më lart, duke çuar kështu në shpërbërjen totale të të djathtës shqiptare. Asnjëherë nuk është vonë për të bashkuar forcat për një objektiv më të madh se karriera e një apo disa individëve. FRD-ja do të bëjë të gjitha përpjekjet e saj për të bashkëpunuar me të gjithë ata kolegë me të cilët mund të bashkëpunojmë për të nxjerrë nga gremina ku e çuan të djathtën shqiptare pazaret politike të dy individëve.

Si ish-koleg i tyre, për cilin nga të përjashtuarit ndjeni keqardhje?

Unë nuk mendoj se kolegët e përjashtuar janë bërë për keqardhje. Një pjesë e mirë e tyre kanë dhënë kontributin e tyre dhe kanë plot arsye të ndihen krenarë, një pjesë prej tyre janë vetëpërdorur dhe pasi nuk u ka mbetur më asgjë, janë flakur. Të përjashtuarit e kategorisë së parë nuk kanë asnjë arsye për t’u ndjerë keq për veten e tyre. Unë besoj se ata ndihen keq kur shohin se si forca ku ata investuan energjitë e tyre për shumë vite, kthehet në një instrument shtetshkatërrimi, në një grupim interesash të pastra ekonomike pa asnjë ngjyrim politik, ku kanabisi futet në çadër dhe kthehet në dafinë brenda një nate. Unë vetëm një gjë dëshiroj t’u them kolegëve të përjashtuar të kategorisë së parë: Do të ishte gabimi më i madh nëse ata do të dorëzoheshin apo tërhiqeshin! E djathta ka nevojë për riformatim, dhe kjo gjë duhet të nisë menjëherë. Nëse kjo nuk ndodh, do jetë shumë vonë për Shqipërinë. Nuk ka kohë për të qarë listat; ka kohë vetëm për të vepruar. Kush ecën në këmbë, edhe rrëzohet, por kur ngrihet dhe bashkohet, rrëzon dhe fundos këdo.

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Z. Oketa, nuk e lexova te gjithe shkrimin tuaj, por dua te shpreh se ju keni lene pershtypje te mira ne kohen kur ishitne funksione shteterore. Realisht , po te jete per ju personalisht une do tua jepja voten time, vote e cila ka dhe mbeshtetje te gjere. E keqja e partise tusj eshte sepse keni dhe anetare, qofte dhe kryetare qe nuk kane mirekuptim te elektoratit, sepse jane njeres qe bluajne perbrenda mellefe, jane karieriste pavaresisht se nuk e meritojne. Prandaj mire keni bere qe nuk jane perfshire ne kandidate, por ju personalisht mundohuni te mos futeni ne koemnete duke share apo shpifur per partite e tjera, dua te te keshilloj qe te na krijosh nje linje te re partiake qe te jete larg ketyre dy partive dmth Partise demokratike dhe ish partise socialiste,. Mendoj se partia qe drejton z. Rama ka nje ndryshim ndaj asaj te nanos etj. demokrati i verete

    Përgjigju ↓