Speciale

Qeveria shqiptare rihap projektin për HEC-in e Kalivaçit, OJF-të e kundërshtojnë këtë vendim

11:47 - 31.05.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Pas 20 vitesh zvarritjeje dhe shtyrje të punimeve, Qeveria Shqiptare ka vendosur të anulojë kontratën me kompaninë italiane Kalivaçi Green Energy për hidrocentralin e papërfunduar të Kalivaçit në Vjosë.

Menjëherë, Ministria e Energjisë dhe Industrisë ka rihapur procedurat për dhënien e një koncesioni të ri. Ata kanë njoftuar se kompanitë e interesuara, mund të aplikojnë për të ndërtuar këtë hidrocentral deri më 18 korrik 2017, sipas kritereve të përcaktuara në ligj.

Anulimi i kontratës ekzistuese e bën Vjosën ligjërisht të lirë nga HEC-et dhe ofron një mundësi të artë për të shpallur Vjosën si Parku u parë i një Lumi të Egër në Evropë. Megjithatë, qeveria ka vendosur të hapë procedurën e koncesionit, në kundërshtim me vullnetin e pushtetit vendor dhe komunitetit, aktorëve kombëtar dhe ndërkombëtar. “Ne do ta kundërshtojmë fuqimisht këtë projekt dhe do të vazhdojmë betejën për Vjosën e lirë, pa diga!”, – u shpreh Olsi Nika nga EcoAlbania dhe koordinator i fushatës për mbrojtjen e Vjosës në Shqipëri. Projekti i Kalivaçit është hidrocentrali i parë në Vjosë i dhënë në vitin 1997. Ndërtimi i digës ka filluar në 2007-ën, por është ndërprerë disa herë.

Fillimisht, burimi kryesor i financimit ishte investitori italian Becchetti Grup dhe Deutsche Bank, por punimet kanë shkuar deri në nivelin 30 % duke e lënë lumin ende të paprekur. Ky nuk është hidrocentrali i vetëm që qeveria shqiptare mundohet të ndërtojë, pavarësisht kundërshtimeve të vazhdueshme. Ajo ka apeluar në Gjykatën Administrative vendimin për anulimin e hidrocentralit të Poçemit i cili planifikohej të ndërtohej më poshtë Kalivaçit. “Vendimi i gjykatës kundër HEC-it të Poçemit, i cili bazohej në një Vlerësim të Ndikimit në Mjedis (VNM) jo të përshtatshëm dhe konsultim publik të rremë, tregon mungesën e funksionimit të shtetit brenda qeverisë. Ne i bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të respektojnë ligjin kombëtar dhe të ndjekin standardet ndërkombëtare në lidhje me procedurën e HEC-it të Kalivaçit”, – tha Ulrich Eichelmann, koordinator i fushatës “Të shpëtojmë zemrën blu të Evropës” nga Riverwatch.

Duke e lidhur dhe me zgjedhjet parlamentare në Shqipëri që do të mbahen më 25 qershor 2017, Drejtori i Fondacionit EuroNatur shton: “Është e papranueshme që Qeveria Shqiptare rihap çështjen e Kalivaçit vetëm një muaj para zgjedhjeve. Vendimi për të shfrytëzuar Vjosën për hidro-energji në vend të ruajtjes së saj si lumi i fundit i egër në Evropë dhe nxitimi në periudhën zgjedhore do të sjellë pasoja të mëdha në rrugën e anëtarësimit të Shqipërisë ne BE.”

Vjosa është lumi i fundit i egër në Evropë. Ajo rrjedh e paprekur përmes grykave të thella, zallishteve dhe ishujve për rreth 270 km nga malet e Pindit në detin Adriatik. Qeveria shqiptare dhe Kryeministri Edi Rama i ka dhënë dritën jeshile kompanisë turke për ndërtimin e hidrocentralit të Poçemit, i cili është planifikuar të ndërtohet në pjesën më të pasur ekologjikisht të lumit të Vjosës. Fushata “Save the Blue Heart of Europe” synon të mbrojë lumenjtë me vlera më të mëdha natyrore në gadishullin e Ballkanit. Fushata koordinohet nga OJF-të ndërkombëtare Riverëatch dhe EuroNatur në bashkëpunim me organizatat partnere në vendet e Ballkanit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.