KULTURË

TRASHEGIMIA/ Shembet bazilika e 1800-ës, Ministria: U rrëzua nga tërmeti në shkurt

09:20 - 09.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Nga Fatmira NIKOLLI

Është shembur çatia dhe një pjesë e mureve të bazilikës së Shën Thanasit në afërsi të Fiqinit, në Sarandë. Lajmi mësohet nga opinioni publik vetëm tani në muajin qershor (edhe pse bëhet me dije se është shembur në shkurt); asnjë njoftim nga institucionet e kulturës, asnjë informacion nga vetë media, për një monument të kategorisë së parë. Muralet e mrekullueshme, ndonëse të zbehura shquhen ende, në muret e mbetura në këmbë. “Është një bazilikë trinefshe me kupolë mbi tambur. Ndërtuar në vitin 1797 në fshatin Leshnicë e Poshtme. Është pikturuar nga Llazari dhe nxënësit e tij më 1801”, thotë një njohës i mirë i trashëgimisë për “GSH”, që preferon të mos identifikohet. Burime të “GSH” pranë Ministrisë së Kulturës thonë se kisha u dëmtua për shkak të lëkundjeve të një tërmeti me epiqendër Janinën, në fillimin e këtij viti. Prej atëherë, dy projekte janë hartuar, një për konsolidimin e objektit dhe një për restaurimin. Projektet ende nuk kanë kaluar në Këshillin Kombëtar të Restaurimit dhe realizimi i tyre kap shifrën e rreth 80 mijë dollarëve. Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, shkruante dje në profilin e vet në “Facebook”, se “Është shembur manastiri mbi 400-vjeçar i Shën Thanasit në Leshnicën e Poshtme, objekt i kategorisë së parë, rreth 50 km larg Sarandës. Kisha është e tipit bazilike me një kupolë dhe mbishkrimi në hyrje të tempullit daton nga viti 1797, por banorët vendës këmbëngulin që kjo datë përkon me rindërtimin e dytë dhe se tempulli është shumë më i vjetër”. Forumi shtonte se brenda manastirit muret ishin të zbukuruara me ikona të rrallë, që përfaqësojnë një mrekulli të paçmuar kulturore, ndërsa në pjesën veriore të tempullit ishin ndërtuar qeliza në të cilat jetonin murgjit. “Banorët denoncojnë se institucionet shtetërore ishin vënë në dijeni muaj më parë, se objekti mbi 400-vjeçar rrezikonte shembjen, por sipas tyre, preferuan ta mbajnë të fshehur për shkak të fushatës elektorale”, – citojmë nga postimi i forumit.
BAZILIKA
“Muret e jashtme të manastirit janë shkatërruar, një pjesë e madhe e çatisë së ndërtuar me gur ka rënë, muret e brendshme janë shkatërruar, afresket e tyre janë dëmtuar keq dhe janë zbehur. Pak ka mbetur në këmbë manastirin dikur mbresëlënës, me kupola, një strukturë postbizantine, që është shpallur monument nga Ministria e Kulturës”, shkruajnë blogjet kushtuar artit bziantin. Shënohet se deri në vitin 1930, në manastirin e Shën Thanasit gjendeshin murgj, një vend me traditë fetare dhe shpirtërore. Kishte, sqarohet më tej, dy mullinj, lëndina dhe tri ura të ndërtuara në zonë me shpenzime të manastirit. Mësohet se murgu i fundit u largua menjëherë pas vitit 1930. “Dimri i këtij viti, megjithatë, ishte jashtëzakonisht i vështirë, me mot të ashpër dhe dëborë që zgjati disa ditë duke shkaktuar dëme të pariparueshme në manastir”.


REAGIMI ZYRTAR I MINISTRISË SË KULTURËS
Ka reaguar dje edhe Ministria e Kulturës, e cila në një njoftim për mediat, ka deklaruar se “pavarësisht masave përforcuese të marra, fatkeqësisht, gjatë tërmetit të fuqishëm të shkurtit 2017 me epiqendër ne Janinë, ra një pjesë e çatisë dhe mureve të kishës”. Ajo bëri me dije se rejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë së bashku me Sektorin e Sarandës kanë sistemuar të gjithë elementët e materialeve të objektit në mënyrë që të ripërdoren gjatë realizimit të projektit të restaurimit të objektit. “Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Ministria e Kulturës mbeten të dedikuara në punën vështirë të ruajtjes dhe restaurimit të pasurive kulturore në mbarë territorin e Shqipërisë”, thuhet në njoftim.
Po aty, shtohet se në kishën e Shën Thanasit në Leshnicë janë kryer inspektime dhe ndërhyrje përforcuese nga DRKK Vlorë, ndërsa gjatë dekadave kjo kishë ka pësuar degradime të rënda në të gjithë elementët strukturorë përbërës të saj dhe nuk është kryer asnjë ndërhyrje deri në vitin 2014. “Gjatë inspektimeve të kryera në 2014 -2016 u konstatua se pavarësisht ndërhyrjeve me qëllim stabilizimin e strukturës të kryera efektivisht nga DRKK Vlorë në këtë kishë, domosdoshmëria për investime të konsiderueshme mbeti prioritare. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë ka realizuar disa punime mirëmbajtjeje dhe konsoliduese në struktura dhe pikturë murale gjatë viteve 2014-2016. Konkretisht janë kryer ndërhyrje si: pajantimi i mureve më të rrezikuara, prerja e pemëve të rritura që kishin mbirë mbi kupolën e objektit dhe injektimi i rrënjëve në strukturën e objektit, sigurimi i objektit në vijim të heqjes së bimësisë dhe sigurimi i pikturave murale. Në këto kushte IMK dhe DRKK Vlorë hartuan projektin e emergjencës në shkurt 2017 me vlerën 1 milion lekë të reja dhe janë në proces ngritje fondesh për financimin e tij”, thuhet në njoftim.
Sipas reagimit zyrtar, projekti i restaurimit tërësor të objektit është në proces që prej 2016 dhe po realizohet me profesionalizëm të lartë në mënyrë që të rindërtohet pjesa e dëmtuar e kishës dhe të rekuperohen vlerat e rralla të saj.
Në vijim, vihet në dukje se Instituti i Monumenteve të Kulturës në zhvillimin e aktiviteteve të tij funksionale, në vitin 2014 ka realizuar evidentimin e gjendjes në terren dhe inventarizimin e rreth 2134 objekteve monument kulture, përfshirë 235 objektet e kultit. Në këtë vlerësim të situatës u përcaktua lista e objekteve me risk të lartë dëmtimi strukturor, ku bën pjesë kisha e Shën Thanasit në Leshnicë së bashku me Kishën e Mesopotamit në Delvinë, Kishën e Labovës së Kryqit, Kishën e Shën Thanasit në Karavasta, Kishën e Ristozit në Mborje, kishat e Voskopojës, etj.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Ndertoni Karuzele,rrotullame,pilikundese,shatervane,lojna me dy porta,pallati me shigjeyta,derrkuci Cufo,se per keto ka keq shqiperia.Edhe ato pak monumente qe shpetuan,i shkaterruat.Pilikundeset,as 2 vjet jete kane,sa te zgjasi pushteti piktorit.

    Përgjigju ↓