MILOSAO

Vetëqeverimi i Korçës nga prof. Naska, në një album historik

12:20 - 11.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Ben ANDONI

 

Korçë. Është viti 1916. Më 24 nëntor të këtij viti, Themistokli Gërmenji bën një veprim të jashtëzakonshëm për kushtet krejt kaotike, ku ndodhet krahina e tij dhe e gjithë Shqipëria. Kërkon takim me kolonelin Dekuan, që menaxhon forcat frënge në qytet dhe i drejtohet me një pasazh që do të mbetet gjatë në mendjet e bashkëqytetarëve: “Unë jam një patriot shqiptar. Nuk kam asnjë shkak armiqësie kundër francezëve. Nuk kam qenë kurrë kundër jush, por me ata që më dukej se garantonin lirinë e atdheut tim. Unë grekët i shikoj si armiqtë tanë më të mëdhenj. Kam marrë armët për t’i luftuar. Tash që autoritetet franceze larguan nga Korça përfaqësuesin e qeverisë greke, nuk kam më asnjë arsye për të qëndruar në mal. Vij pra tek ju si një njeri plotësisht lojal, kimëni në dispozicion. Nuk kërkoj gjë tjetër veçse t’ju ndihmoj e të vë në shërbimin tuaj influencën time mbi popullsitë”.
Studiuesja e njohur prof. Kaliopi Naska, në vazhdën e punimeve të saj historike, këtë herë në një formë shumë të larmishme por edhe lehtësisht të asimilueshme për publikun, na ka sjellë albumin studimor historik “Vetëqeverimi i Korçës, referuar të përkohshmeve ‘Adriatiku’ dhe ‘Gazet’ e Korçës’”. Janë jo thjesht dy organe aktive që shtypen në qytet, por edhe kronika më e gjallë ku përshkruhen qartë ngjarjet e atyre ditëve në Korçë. Me një metodologji tepër komunikuese dhe të pastër, ofruar prej saj, lexuesi kupton dhe orientohet në një nga ngjarjet më të mëdha të historisë kombëtare në dekadat e para të shekullit XX.
Gazeta e pavarur “Adriatiku” jetoi nga dhjetori i vitit 1916 deri më shkurt 1917, kurse “Gazet’ e Korçës” nga dhjetori 1916 deri në gusht të vitit 1918. Kjo e fundit pati mbështetje më të madhe nga komanda ushtarake franceze dhe do pasqyronte më gjerë veprimet politike ushtarake, administrative e vendore të kësaj krahine në kushtet e pushtimit. Studiuesja Naska citon Robert Vaucher, korrespondent i revistës franceze L’Illustration për këto organe, duke veçuar Gazet’ e Korçës që”ishte edhe më kryesorja”.

Historia e Korçës
Jemi në kulmin e Luftës së madhe të Kombeve. Rreziku kryesor për qarkun e Korçës, në atë kohë, konsiderohet ai grek. Vetë koloneli Dekuan, që po bëhet i vetëdijshëm për forcën e shqiptarëve bën vlerësimin e parë të tyre: “Në perëndim të Korçës, bandat austro-shqiptare të Sali Butkës. Tërësia e bandave të Sali Butkës kishte forcën e disa batalioneve franceze. Në veri të Korçës, bandat bullgaro-shqiptare të Themistokliut kishin forcën numerike të një batalioni francez”.
Në fakt, historia fillon më shpejt. Pas Ikjes së Princ Vidit në fund të vitit 1914, Korça dhe Gjirokastra ishin të pushtuara prej Greqisë. Fuqitë e Antantës për ta kthyer Greqinë në anën e tyre, i premtojnë Venizellosit sovranitetin mbi Shqipërinë e Jugut. Greqia nuk mjaftohet thjesht më autonominë e Vorio-Epirit, por kërkon aneksimin e Shqipërisë Jugore, kërkesa të trajtuara që me Traktatin e fshehtë të Londrës të vitit 1915. Për fat, në tetor 1916, vjen në Shqipëri regjimenti i parë i kalorësisë së lehtë të Afrikës, i komanduar nga nënkoloneli de Burnazel, që e pushtoi ushtarakisht kazanë e Korçës. Me ardhjen e forcave franceze, këta larguan grekët e ashtëquajtur kostandinistë, si kundërshtarë të Antantës kurse vendin e tyre e zunë venizelistë, që shpejtuan të zinin vendin e tyre në Korçë nga Selaniku, ku e kishte ngritur qeverinë Venizelloja, nën mbrojtjen e fuqive ushtarake të Antantës.

Pak ditë më pas, akti i shpalljes së vetëqeverimit të qarkut të Korçës më 10 dhjetor 1916, konsiderohet si një nga ngjarjet madhore në historinë e Shqipërisë. E gjitha nisi si një kundërshti përgjatë kohës së Luftës Ballkanike të vitit 1912, kur qarqet e Korçës dhe të Gjirokastrës u pushtuan nga ushtria greke, e cila vendosi një regjim ushtarak, që bashkë me andartët dhe bandat nga Kreta dhe ku të ashtuquajturat “batalionet e shenjta” kryen një genocid të madh ndaj popullsisë shqiptare në vitet 1914 në Kolonjë, Korçë etj.
Atë kohë ngjarjet që përfshijnë vendin janë të tmerrshme. Në kronikat e kohës precizohet se vetëm në masakrën e Panaritit janë masakruar rreth 450 njerëz të pafajshëm. Ngjarjet janë tejet të koklavitura sepse ndërsa vendoset pushtimi ushtarak, në Korçë në të njëjtën kohë vendoset edhe regjimi civil grek. Ky i fundit drejtohet nga guvernatori Argjiropulos, që përdor gjithçka që të mos largohet nga vendi.
Fuqitë e Mëdha do i bëjnë me dije më 31 janar 1914 qeverisë greke largimin e ushtrisë të saj nga Korça e Gjirokastra, si kompensim i dhënies së Greqisë të ishujve të detit Egje. E detyruar ushtria greke largohet kinse më 1 mars 1914. Dhe vetëm një ditë më vonë, më 2 mars Korça do administrohet nga forcat e xhandarmërisë shqiptare me oficerët holandezë në krye. Për fat Korçën fillon dhe e drejton një administratë shqiptare nën një korpus vullnetarësh shqiptarë nën komandën e Themistokli Germenjit. Nga këtu fillon përpjekja grekë për organizimin e një kryengritje brenda në Korçë, për t’i treguar de jure botës se popullsia e donte Greqinë dhe se madje popullsia e Korçës donte bashkimin me Greqinë.
Kështu do të ndodhë veprimtaria e 2 prillit 1914, kur Peshkopi grek Germanos u ra kambanave të kushtrimit, si edhe njoftoi ushtrinë greke që të ndërhynte për të “shpëtuar” vëllezërit në Korçë. Për fat, forcat e xhandarmërisë shqiptare, drejtuar nga oficeri holandez, G.Sneller; korpusi i vullnetarëve të Korçës i komanduar prej Themistokli Gërmenjit dhe forcat vullnetare të Kajo Babjenit nga Gora, si edhe batalioni të Kolonjës të komanduar nga Gani Butka, bashkë me kapitenin amerikan Spenser, i thyen kryengritësit rebelë pas katër ditësh luftimesh.
Autorja merret me shumë kujdes me ngjarjet që përcollën situatën pas ardhjes së forcave frënge, por edhe shpjegon qartë përmes setit të fotove dhe skanimit të gjithë procesin.

Vite më vonë, koloneli Dekon i pranon në librin e tij “Gjashtë muaj histori të Shqipërisë” propozimet që i bënë asokohe Sali Butka dhe propozimet e tij në drejtimin e shpalljes së Vetëqeverimit shqiptar të Korçës. “Ky evolucion do të kishte mundur të bëhej shkallë-shkallë, sikur një përçapje personale e Sali Butkës, i cili nga teqeja e Melçanit vëzhgonte dhe ndiente edhe vetë aspiratat e bashkatdhetarëve të vet, të mos kishte ardhur e shkaktuar rrëkëllyerjen e përshpejtuar të ngjarjeve. Në mbrëmjen e 3 dhjetorit, mora nga ai një letër, në të cilën ai më shpallte se ishte krejt i disponuar të linte armët, në qoftë se komanda proklamonte pavarësinë e Kazasë së Korçës, nën mbrojtjen ushtarake të Francës. Kuptohet vetiu se unë nuk isha kompetent për të marrë vendimin, që dëshironte Sali Butka, por ishte detyra ime të studioja në mënyrë sa më të plotë çështjen e t’i jepja Gjeneralit Kryekomandues të gjithë elementet e vendimit që do të mirrte në këtë mes”.
Koloneli Dekuan dhe Themistokliun do hartojnë dokumentin e shpalljes të vetëqeverimit të kazasë së Korçës, që sipas Dekuan-it, do të përbënte në një farë mënyre “Statusin themeltar të Shtetit autonom të Korçës”. Ky ishte një akt historik tejet i rëndësishëm në historinë e Korçës dhe të Shqipërisë. Po ashtu, edhe gjeneral Sarrej i telegrafonte Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës në mars 1917: “Korça deshi të ishte e pavarur dhe e tillë u bë. Qysh atëherë, në këtë krahinë mbretëron qetësia”. Mirëpo, në mesin e vitit 1917 ndryshuan disi ekuilibrat ndërkombëtare, si edhe zhvillimet e Luftës së Parë. Franca afrohet me Serbinë e Greqinë, gjë që e tregua edhe traktatet që u nënshkruan prej saj në dëm të Shqipërisë. Kthimi në pushtet i Venizellosit, që futi Greqinë në anën e Antantës, qershor 1917, për të cilën ishin përpjekur me kohë qarqet politike të Francës e më gjerë, e ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve në Korçë. Kolonel Dekuan-in e larguan nga Korça, si përgjegjës për nënshkrimin e protokollit të 10 dhjetorit. Fatin më të keq e pati Th. Gërnenji që u arrestua dhe u dërgua në Selanik, ku u nxor përpara një gjyqi ushtarak dhe u dënua me vdekje, me akuza të sajuara e të pavërtetuara si “agjent” i Fuqive Qendrore më 9 nëntor 1917. Pas pushkatimit të Th. Gërmenjit, u abrogua më 16 shkurt 1918 edhe protokolli i 10 dhjetorit, që ishte një goditje për forcat atdhetare shqiptare dhe çështjen tonë kombëtare, ndonëse Korça mbeti njëlloj shqiptare. Qeveria greke kërkoi në Konferencën e Paqes në Paris aneksimin e Korçës dhe Gjirokastrës. Kulmi i këtyre kërkesave shoviniste arriti me nënshkrimin e traktatit Tittoni–Venizelos më 29 korrik 1919. Madje, qeveria greke po përgatitej të pushtonte ushtarakisht Korçën, sapo ta linin atë francezët. Kryeministri i Francës, Klemanso u tregua i gatshëm t’ua bënte këtë blatim dhe kryekomandanti i fuqive aleate, gjenerali Fransua d’Esperay u tregua i gatshëm t’ua lëshonte Korçën forcave greke.
Në dhjetor të vitit 1917 “Gazet’ e Korçës” nuk boton më lajme mbi veprime të administratës së Këshillit Qeveritar. E tërë administrata kishte kaluar në duart e delegatit francez, prefektit të policisë Franceze dhe të komandës ushtarake franceze. Ato jepnin çdo njoftim dhe vendim. Për këto ndryshime në gazetë nuk jepet asnjë njoftim apo shpjegim. Një heshtje e plotë dhe për dënimin me vdekje padrejtësisht dhe tradhtisht të Themistokli Gërmenjit më 9 Nëntor 1917 nga gjyqi ushtarak i Armatës së Lindjes në Selanik. Për këto ndryshime në gazeta nuk u botua asnjë shkrim që të jepte të dhëna si për ndryshimet politike, ato ushtarake dhe administrative, si edhe zëvendësimit të prefektit të prefekturës së policisë me një francez, kur po në këtë muaj e kishin dekoruar prefektin Gërmenji aq të suksesshëm dhe aq bashkëpunues me komandën ushtarake franceze në mbarëvajtjen e punëve administrative dhe ruajtjes së qetësisë dhe rendit në kazanë e Korçës, shkruan zonja Naska.
Duke cituar sërish atë: Me marrjen fund të Krahinës Autonome u mbyllën dhe gazetat në fjalë, të cilat si organe të shtypit, luajtën një rol në funksion të përmbajtjes dhe formës së tyre në pasqyrimin e veprimtarisë së kësaj administrate të dyfishtë, asaj kombëtare dhe asaj të pushtimit. Ato zunë një vend të veçantë në shtypin shqiptar të kohës, si organet e para të një krahine shqiptare në kushtet e pushtimit dhe të luftës, për zbatimin e një administrate shqiptare duke kryer dhe detyrën e një gazete zyrtare të Krahinës Autonome të Korçës.

Në vëmendjen tonë, albumi i fundit historik i prof. Kaliopi Naska përbën një kontribut jo vetëm të shquar, por edhe shumë njohës për këtë periudhë interesante të historisë sonë kombëtare.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.