LIFE STYLE

Blerta Gjoni: Si të kujdeseni për lëkurën gjatë stinës së verës

09:15 - 12.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Ola MITRE

Dielli shkakton mbi 40% plakje të parakohshme, çka e bën të domosdoshme mbrojtjen e lëkurës”. Deklarata vjen nga mjekja dermatologe, pranë Poliklinikës së Specialiteteve Nr. 3, Blerta Gjoni, e cila përmes kësaj interviste, dhënë për suplementin ‘Life Pages’ të “Gazeta Shqiptare”, jep një sërë këshillash për mënyrën e duhur të kujdesit ndaj lëkurës në stinën e verës si dhe shmangien e plakjes së parakohshme.
Doktoreshë, si ndikon ekspozimi në diell në lëkurë?
Lëkura me kalimin e viteve bëhet më e hollë dhe më pak elastike, si rezultat i ndryshimeve të fibrave të kolagjenit dhe të elastinës, indi lidhës bëhet më i dobët, duke dobësuar kështu dhe tonusin e lëkurës. Rol të rëndësishëm në plakjen e lëkurës dhe krijimin e rrudhave luajnë si faktorët e brendshëm (gjenet, sëmundje të ndryshme në organizëm që pasqyrohen në lëkurë), ashtu edhe faktorët e jashtëm dëmtues (ndotja, duhanpirja, rrezatimi në diell, ndryshimet e temperaturave etj.). Djegia e lëkurës vjen nga rrezatimet e rrezeve UV-B, që shkaktojnë skuqje të lëkurës ose eritemë. Efektet nuk janë të dukshme menjëherë.
Kur paraqiten efektet e para?
Rrezatimet UV-B absorbohen nga epidermisi (shtresa e sipërme e lëkurës), ndërsa në dermis (në shtresën e poshtme të lëkurës), enët e gjakut zgjerohen dhe plazma e gjakut shpërndahet jashtë enëve. Ky mekanizëm krijon inflamacion dhe eritemë (skuqje) të lëkurës. Shenjat e para paraqiten brenda 2-6 orëve, ndërsa nivelin më të lartë e arrijnë brenda 16-24 orëve. Riparimi i lëkurës fillon brenda 24-72 orëve. Një pjesë e riparimit apo mbrojtjes përfundon me ngjyrim ose siç e quajmë nxirrje të lëkurës. Në rast të djegies së rëndë, kortikosteroidet, analgjetikët, kompresat me të ftohtë etj. janë të domosdoshme.


Sa ndikojnë rrezet e diellit në plakjen e lëkurës?
Kryesisht rrezet UV-A janë të përgjegjshme për plakjen e parakohshme të lëkurës. Nëse e krahasojmë plakjen e lëkurës në mënyrë thelbësore dhe fotoplakje, do të arrijmë në përfundimin që rreth 60% e plakjes vjen nga plakja natyrale, ndërsa mbi 40% nga dielli. Pra dielli shkakton mbi 40% plakje të parakohshme.
Si shfaqet plakja e parakohshme?
Plakja e parakohshme kryesisht paraqitet në fytyrë, qafë dhe duar. Nëse e shikojmë nga aspekti klinik, shtresa e sipërme e lëkurës (stratum corneum) është më e trashë, lëkura është e thatë, shumë e rrudhosur, me shenja të pigmentimeve të errëta. Në të njëjtën kohë, lëkura humb elasticitetin dhe mban rrudha, gjë që i jep lëkurës një pamje të verdhë. Rrudhat nuk janë problemi i vetëm; konturi i fytyrës ndërron, ngjyra nuk është homogjene (e njëjtë), njolla të zeza apo kafe, tharja dhe ashpërsia e lëkurës janë disa nga problemet serioze.
Çfarë duhet të kemi parasysh për të parandaluar plakjen e parakohshme?
Për të parandaluar plakjen para kohe ndaj diellit ne këshillojmë përdorim të kremit kundër diellit çdo ditë. Me siguri keni dëgjuar më parë, që ekspozimi në diell është faktori nr.1 për plakje të parakohshme. Duhet aplikuar krem kundër diellit mjaftueshëm. Një shtresë shumë e hollë e faktorit SPF 15 është e barabartë me SPF 7. Mos i besoni shumë grimit (make-up) me faktor SPF. Gjasat janë që nuk do të përdorni mjaftueshëm për ta mbrojtur fytyrën. Po ashtu, duhet të zgjidhni syze dielli me mbrojtje UV. Syzet e mira e parandalojnë kataraktin (perden e syve), dhe degradimin e kolagjenit rreth syve që mund të shkaktojë plasaritje të shumta. Nëse pini duhan, lëreni. Ata që nuk e pinë, duhet të dinë që ekspozimi kronik në ambiente të tilla dëmton lëkurën. Tymi, sikurse dielli, e bombardon lëkurën me radikale të lira që e zbehin lëkurën, pakësojnë kolagjenin dhe ngadalësojnë vetitë shëruese. Për t’i luftuar këto, përdorni produkte që përmbajnë antioksidante, të cilat neutralizojnë radikalet e lira. Më të preferuarat janë vitamina C, E dhe retinoli.
Nëse gjatë ditës kemi qenë të ekspozuar në diell, çfarë duhet të kemi parasysh para se të shtrihemi për të fjetur?
Këshillohet përdorimi i një kremi kundër rrudhave (anti-aging) natën. Një krem i efektshëm preferohet të ketë retinoide, për shembull: derivativë të vitaminës A. Retinoidet e stimulojnë lëkurën për të ripërtëritur vetveten, duke zbutur vijat e holla dhe duke riparuar dëmet nga dielli. Duhet përkujdesje edhe për pjesët e tjera të trupit. Ndërkohë që, çfarëdo që bëni për fytyrën, duhet ta bëni edhe për qafën dhe duart. Këto janë vendet e para që tregojnë plakjen. Më e pakta që mund të bëni është ta hidratoni lëkurën. Një lëkurë e hidratuar duket e shëndoshë dhe e butë.
Po për adoleshentët, çfarë këshillash keni në veçanti?
Asnjë person nuk duhet të bëjë ngacmime të lëkurës, por sidomos adoleshentët që tentojnë të bëjnë shtrydhje të elementeve akneike. Me plakjen, shenjat do të duken si rrudha. Nëse shenja gjendet afër rrudhës, ajo do të thellohet. Po ashtu, pastrimi i fytyrës duhet bërë me larës që rekomandohet nga dermatologu, pasi përcakton tipin e lëkurës ose problemet që ajo mund të shfaqë. Gjithashtu, ju ndihmojnë për largimin e shtresës së sipërme të qelizave të vdekura për të zbuluar shtresën e freskët. Larësit e duhur pastrojnë poret dhe bëjnë që lëkura juaj të duket më e lëmuar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.