KULTURË

Eno Koço: E detyronin të bënte kompromise, pësoi paralizë të pjesshme

10:00 - 13.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Eno KOÇO

 

Si ia morën dinjitetin Prenkë Jakovës duke i censuruar “Skënderbeun”

 “U kritikua se opera kishte mangësi konceptuale e artistike, e nuk shkroi më”

 E kam njohur Prenkën personalisht në marrëdhënie pune kur do të vihej në skenë opera “Skënderbeu” e tij më 1967, pra gjatë provave me orkestrën e Operës, ku unë isha violinist i saj. E njoha edhe në kohën e lirë pas provave, por që unë nuk bëja pjesë në entourag-in e tij të afërt. Gjithsesi, ashtu nga pulti i violinave të para të orkestrës së Operës e vëzhgoja me vërejtje personin e tij tek jepte e merrte për “Skënderbeun”. Vëzhgoja gjendjen vazhdimisht të tendosur të Prenkës, kur afrohej te gropa e orkestrës për të komunikuar me dirigjentin lidhur me ato që mendonte mbi tempot muzikore dhe veprimet skenike. Kishte marrë përsipër një ndërmarrje të madhe, sa pasionante aq dhe me pretendime, për të glorifikuar muzikalisht heroin tonë kombëtar. Prenka besonte thellësisht në forcat e tij dhe ia doli. Pas shumë peripecish, opera u shfaq dhe mbeti. Është e vërtetë që për disa dekada opera nuk u vu më në skenë, megjithatë ajo mbetet pjesë e repertorit shqiptar të operave dhe në fund të këtij muaji do të ketë një tjetër shfaqje të saj në Shkodër.

Pesëmbëdhjetë vjet më parë kur shkruaja një artikull për Çesk Zadenë, midis rreshtave shënoja: “Nëse Lec Kurti, Mikel Koliqi e Prenkë Jakova në krijimtarinë e tyre ndoqën linjën e muzikës qytetare shkodrane duke huazuar edhe nga tradita europiane romantiko-patriotike, nëse Martin Gjoka e Tish Daija ndoqën linjën e shfrytëzimit të motiveve të Mbi-Shkodrës e atyre malësore më në lindje, nëse Tonin Harapi kultivoi melosin qytetar të dasmës dhe ahengut shkodran… këto pika referimi që prekin në mënyrë të përgjithshme panoramën e muzikës savante shkodrane, ndoshta të marra së bashku, ishin pika referimi edhe për Çesk Zadenë”.

Edhe sot që shkruaj këto rreshta në kuadrin e 100- vjetorit të lindjes së Prenk Jakovës vazhdoj të kem bindjen se muzika e Prenkës ndoqi linjën e muzikës qytetare shkodrane dhe të malësisë së veriut shqiptar, e kombinuar me traditën europiane romantiko-patriotike. Një kombinim të tillë e kishte bërë edhe At Martin Gjoka, udhëheqësi muzikor e shpirtëror i Prenkës, lidhje të cilat u forcuan që më 1931, kur Prenka u bë pjesëtar i orkestrës frymore të drejtuar nga Martin Gjoka. Një vit më vonë, pasi Prenka formoi Bandën Muzikore me nxënësit e Liceut “Illyricum” (fëmijë të moshave 9 deri 14 vjeç) më 1937, pra në shkurt të vitit 1938 vjen në Shkodër “vjershëtori plak” Aleksandër Drenova dhe në të njëjtën kohë edhe sopranoja Tefta Tashko me shoqëruesen e saj, pianisten Lola Aleksi për të mbajtur një koncert në Kino-Teatër “Rozafat”. Ky ishte koncerti i dytë që mbanin këta artistë pas atij të dhjetorit 1935.

TONIN HARAPI

Që në fëmijërinë time, Tonin Harapi më kishte treguar mbi episodin e mëposhtëm, që më vonë ai e hodhi në letër. Po citoj një fragment nga shkrimi i Toninit.

“Të nesërmen e koncertit banda e Prenkës, ku isha përfshirë edhe unë, përgatiti një potpuri shumë të bukur me këngët popullore që kishte kënduar Tefta Tashko mbrëmjen e kaluar në koncert. Këtë Prenka e kishte orkestruar për bandë gjatë gjithë natës. Më ka ngelur në kujtesë radhitja që ai u kishte bërë këngëve: fillonte me ‘Dola në penxhere’, ‘Një ditë më do, një ditë s’më do’, ‘Delja rudë’ dhe mbaronte me këngën ‘Ishin dy kunata’. Aty nga ora nëntë u nisëm të veshur me kostume karakteristike si për festë përmes rrugëve të qytetit, duke ekzekutuar marshe dhe iu drejtuam oborrit të Hotel Parkut. Aty, në mes selvive të gjata, me një shenjë të Prenkës ekzekutuam atë suitë. Lart, në hotel, u hap një dritare dhe një vajzë e bukur me fustan bojë qielli dhe me flokë gjithë bukle rreth ballit na përshëndeti, duke u dridhur e buzëqeshur nga emocioni dhe habia. Zbriti menjëherë poshtë, në mes nesh, duke marrë në krah më të voglin e bandës që ishte vetë Tonini, i cili vazhdonte t’i binte klarinetës. Ajo buzëqeshte shumë e gëzuar ndërsa ne vazhdonim të luanim këngë popullore. Në saj të asaj suite të punuar nga Prenka, këngët popullore që këndonte Tefta Tashko u bënë të njohura dhe u kënduan nga i gjithë qyteti”.

KUJTIME TË TRISHTA

Me këtë parafytyrim të Toninit vëzhgoja Prenkën nga pozicioni im i violinave në gropën e orkestrës. Historinë me bandën e nxënësve dhe të potpurisë së këngëve qytetare të vitit 1938 e njësoja me veprimet e tanishme të Prenkës. Befas, shkëputesha nga këto mendime të çastit dhe kthehesha në realitet, në seancën e provave nga ku ndjeja që “Skënderbeu” nuk po ecte ashtu siç Prenka dëshironte. Kompozitori kishte shkruar një opera të gjatë, mbi tri orë, me një koncept e bindje të tijën personale, të cilat buronin sigurisht nga akumulimi i jetës së tij prej muzikanti ekzekutues, krijues por edhe prej organizatori të përkushtueshëm.

Prenka nuk kishte bërë shkollë të lartë ku të mësonte doktrinat e disiplinat e rrepta të kompozimit. Ky ishte dhe suksesi dhe liria e tij. Më tregonte Tonin Harapi kur i kërkonin këtij në Shkodër të bënte ndonjë këngë a muzikë të re, duke i kujtuar: “Jo, jo nga kto qi ban tani, baj si nj’ato para se t’shkoje në konservator në Moskë! Ato ishin për ne”.

Njihen në historinë e muzikës botërore kompozitorë të mëdhenj që kanë qenë të vetëmësuar, pra që i kanë mësuar rregullat e formës, strukturës muzikore, orkestracionit, harmonisë e kontrapunktit në mënyrë vetjake dhe si rrjedhojë, muzika e tyre të jetë shquar për këndueshmërinë, frazimin e rrjedhshëm e të pëlqyeshëm, harmoninë funksionale, por edhe elokuencën e artikulimit muzikor. Të gjithë këta elementë Prenka i mishëronte më së miri. Atij i buronte muzika ndër deje, i tingëllonte në shpirt, e merrte frymëzimin nga e brendshmja e tij, i pëlqente e bukura, njihte sensin e masës, i besonte intuitës së tij, vlerësonte thellësisht tekstin letrar dhe e mishëronte atë në vetvete, duke ndërtuar muzikën në raport të ngushtë me të. Produkti ishte sa i pëlqyeshëm, aq edhe i vërtetë.

Prenka diti të përthithë nga lëvizja amatore në Shkodër dhe t’i përshtaste qenies së tij atë që ishte më thelbësore: krijimin e tij organik, me intonacione sa më afër asaj lokales, jo larg këngëve e valleve të shtregullave; ai diti të marrë edhe nga gjuha muzikore e Martin Gjokës, veçanërisht nga ajo e melodramës “Juda Makabé”. Prenka krijoi individualitetin e tij brenda kushteve historike të kohës duke përthithur thelbin e shoqërisë ku ai jetonte. Ai mbajti lidhje të forta me grupin e muzikantëve shkodranë e kryeqytetas që e rrethonin, duke e ndjerë veten pjesë të tyre, ashtu si dhe kjo tërësi kolegësh diti të marrë nga ai. Nëpërmjet kësaj bashkësie artistike, ai u rrit në nivelin e personalitetit dhe ishte bash kjo bashkësi që skaliti personalitetin e tij.

Parësi për muzikën e Prenkës merrte rrjedhshmëria melodike, herë lirike e herë më e tendosur, frazimi i matur e i kthjellët për të kulmuar atje ku ai e ndjente se muzikalisht dhe strukturalisht vinte krejt e natyrshme. Frazimi melodik i Prenkës ishte me prirje pothuajse tërësisht vokale, jo vetëm në ariet e ariozat e operave “Mrika” dhe “Skënderbeu”, por edhe në zhvillimet orkestrale, ku përparësi merrte kantilena. Veçanërisht të fuqishme mbeten koralet e tij masive të operave, të himneve, ashtu dhe të këngëve korale manifestive.

SKËNDERBEU

Ndërkaq, përgatitjeve të “Skënderbeut” po i vinte fundi në të tre sektorët veçmas, orkestër, kor dhe solistë dhe kishte ardhur koha të bashkoheshin në skenë për t’i dhënë formë operës. Unë nga gropa e orkestrës vëzhgoja Prenkën me shpresën se mund të dalloja si do reagonte ai ndaj sugjerimeve të pafundme që vinin nga “plateja”, nga Komisioni Shtetëror i krijuar për 500-vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar. Flitej që opera ishte e gjatë dhe duhej shkurtuar, flitej që libreti i Llazar Siliqit kishte mangësi deri ideore veçanërisht në karakterizimet e personazheve si ai i venecianit, Françeskut, i princave shqiptarë, i vetë Skënderbeut e të tjera e të tjera ide. Revolucioni kulturor kinez i shtrirë edhe në Shqipëri aso kohe, kishte bërë që të mos luhej repertor i huaj, opera dhe balete, dhe të inkurajohej krijimtaria shqiptare pavarësisht nga niveli, që duhet thënë kishte edhe mjaft vepra të dobëta. Në Kinë aso kohe (marrë nga praktika më e hershme e Bashkimit Sovjetik) gjykimi i veprave të reja muzikore ishte normë kolektive, shumë mund të jepnin mendime, mund të bënin vërejtje bazuar në zërin e masave. Në Shqipëri jo vetëm u aplikua kjo metodë, por ashtu si dhe në fusha të tjera, u kalua në ekstrem. Kështu që edhe opera e Prenkës nuk kishte si t’i shmangej këtij gjykimi kolektiv apo specialistësh të fushave edhe jashtë muzikore. Prenka donte të mbronte me çdo kusht libretin e Llazarit dhe ashtu bëri sa pati mundësi. Bashkë me libretin “sugjerimet”, prekën edhe muzikën. Kështu, u shkurtuan arioza e skena, u spostuan blloqe muzikore, u cenuan personazhe muzikorë, u lëkund seriozisht struktura e veprës. Tek i afrohej gropës së orkestrës nga jashtë për të komunikuar me dirigjentin Mustafa Krantja, në atë gjysmë errësirën e sallës Prenka më dukej i shpërfytyruar. Më dukej sikur po i merrnin dinjitetin. Po e detyronin të bënte kompromise përtej kufijve të pranueshëm. Pësoi edhe një paralizë të pjesshme. E ndjente veten të lodhur. Premiera po afronte për në 17 janarin e 1968-ës dhe orkestracioni nuk ishte ende gati, gjë që u propozua t’i vinin në ndihmë në këtë proces kolegë dhe miq të tij, Mustafa Krantja, Çesk Zadeja, Tish Daija dhe Tonin Harapi. Gjithsesi, e ndjente veten ligsht për gjithë ato ndërhyrje në libret e në muzikë dhe aq më tepër pa dëshirën e tij. Bukur e ka përshkruar Xhanfise Keko në kujtimet e saj “Ditët e jetës sime” atë moment aq vendimtar të jetës së Prenkës: “Pas përpjekjeve të mëdha për t’i bindur profesionalisht zyrtarët, të cilët kishin vendosur të mos dorëzoheshin, ishte dorëzuar artisti duke ua hedhur mbi tavolinë partiturën e operës, gjest të cilin e kishte shoqëruar me fjalët: ‘Merreni dhe bëni ç’të doni me të. Verdi shkroi tri orë opera për një prostitutë, ju nuk pranoni tri orë opera për një hero kombëtar!’. Pas këtyre fjalëve, Prenkë Jakova kishte ikur më shumë se i mërzitur, i fyer…”.

“Ristrukturimi” i operës ishte bërë fakt, provat u intensifikuan dhe të gjithë artistët e skenës, por edhe ne të gropës, u mobilizuam për të dhënë maksimumin në shfaqje. Gjoni Athanas, për të cilin ishte shkruar roli, dukej një Skënderbe i vërtetë. Lajtmotivin e tij e gjeje që në nisje e deri në finale të operës. Ndryshe nga “Mrika”, dramaturgjinë e veprës Prenka e kishte konceptuar jo me numra të mbyllur, arie dhe ansamble solistësh; për të më e rëndësishme do të ishte drama muzikore, roli i fjalës, veprimi i personazheve të shumtë, masiviteti, e megjithatë ariet e fuqishme si ajo e Lekës dhe e Donikës do të gjenin hapësirë të plotë si për të përçuar këndueshmërinë aq të nevojshme operistike. Gjuha muzikore e kësaj vepre prirej më pranë një tjetër Prenke, atij të toneve epike dhe heroike në karakterizimin e heroit dhe personazheve të tjerë, e veçanërisht në koralet. Këto të fundit merrnin rëndësinë e personazheve, madje me një forcë edhe më të madhe për të përfaqësuar popullin si personazh masiv. Prenkë Jakova synoi dramën historike shqiptare në opera dhe me gjithë ndërhyrjet e shumta që i u bënë, kjo opera mbetet modeli i një zëri të fuqishëm si ai i Prenkës.

DISKUTIMI NE LIDHJE

Pas shfaqjes së parë, por edhe të disa shfaqjeve të tjera të operës, tashmë do të kisha mundësi ta takoja Prenkën, në këto raste ta dëgjoja tek fliste jo më nga pozicioni i gropës së orkestrës, por nga bisedat që bëheshin ndër grupe të vogla muzikantësh. Kuptoja që mbetej në pritje të ndonjë sinjali “nga lart” mbi gjykimin e veprës. U shkrua edhe një artikull dhjetë ditë pas premierës, u bë dhe një diskutim në Lidhje pas disa muajsh dhe ajo që flitej e shkruhej ishte se opera kishte mangësi të karakterit konceptual e artistik. Një njeri që aq fort iu përkushtua muzikës, në rastin konkret operës së tij, idealist, pasionant, punëtor i palodhur dhe i kudondodhur si Prenka, nuk është se e përtypi lehtë atë pozicionim të ndryshëm që u mbajt ndaj tij. E vuajti. Pothuajse nuk shkroi më. Vetëm një vit e gjysmë jetoi pas “Skënderbeut”.

Ashtu si jo rrallë ndodh, vuajtjet dhe sakrificat përjetohen kur je gjallë, ndërsa meritat dhe fama marrin jetë pas vdekjes. Në të gjallë kompozitori është tërësisht i dhënë ndaj krijimit të tij, “fëmijës” së tij, duke u bërë i ndjeshëm ndaj çdo grimce të veprës së tij, edhe pse perfeksioni mund të mos arrihet kurrë. Krijimi është energjia në lëvizje, proces ky ku përfshihen për së gjalli mendja dhe ndjenjat. Kur largohesh nga jeta, pra nga energjia dhe emocioni i çastit, energjia tjetër që krijohet është ajo e pastra, pozitivja. Ky është dhe momenti kur vlera i kthehet krijuesit. Prenkën e kemi të njësuar me energjinë e pastër, pozitive, me vlerat që i takojnë dhe që vijnë gjithnjë e në rritje.

 

 


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.