Media

Andi Bushati rrëfen prapaskenat e takimit të Blushit me Lul Berishën: Ishte një kurth

17:17 - 14.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Analisti i njohur Andi Bushati, ka reaguar lidhur me shpërndarjen ne media të fotos së kreut të LIBRA­, Ben Blushi në krah të së cilit u shfaq truri i Bandës së Durrësit, Lulzim Berisha. Por lidhur me ketë material qe me vonë në media u publikua dhe video, analisti Andi Bushati thotë se ajo foto ishte një kurth që iu ngrit Blushit. Duke u rreshtuar tek miqtë e Blushit, në një analizë të botuar tek Lapsi.al, Bushati tregon të gjitha arsyet pse e justifikon kreun e LIBRA­ dhe zbulon se tani ka edhe një votues më shumë.

Nga: Andi Bushati

Një luzmë mediash që rendin pas Ramës e kanë radhitur Lapsi.al, mua personalisht dhe bashkëthemeluesin e kësaj faqeje, Armand Shkullakun mes shokëve të Blushit që e mbrojnë atë edhe në një “ditë të zeze” si ajo e fotos me Lul Berishën. Fatëkeqësia e këtij lajmi që njësoj si ajo foto “scoop” u shpërnda nga zyra e shtypit të kryeministrit, është se ai përkon me të njëjtën mendësi që predikoi një ditë më parë Lulzim Basha. Pra edhe kryeministri edhe shefi i opozitës tani e kanë gjetur targetin që duan të godasin: Blushin dhe “shokët” e tij.

Vetëm ky përkim epitetesh dhe konceptesh që paralajmëron errësirën ku po na shpie koalicioni i madh, ku Rama do të vazhdojë me drogën, me koncesionet, me lejet e ndërtimit dhe me kriminelët e tij dhe Basha do të bëjë fresk me broçkullat e “Republikës së re”, flet qartë për vërtetësinë e përrallës së mbrojtjes së kreut të Libras për hir të miqësisë. Por, për të qenë i vërtetë personalisht, unë dua të pranoj publikisht se: po, e kam mik Blushin. Kam ndarë me të një pjesë të madhe të arsimimit tim që në vitet e para të shkollës e deri në universitet. Kemi qenë së bashku në të njëjtën anije, tek gazeta “Koha Jonë” e viteve më të vështira dhe të errëta të regjimit të Berishës. E kemi ruajtur miqësinë edhe më pas, megjithëse rrugët tona u ndanë dhe ai e braktisi gazetarinë për t’iu dorëzuar politikës, pas vitit të tmerrshëm ’97. Por, kjo miqësi gjithmonë e pandryshuar nuk na ka ndaluar asnjëherë të kemi shpesh divergjenca të thella dhe kundërshtime të paepura.

Kemi qenë në llogore të ndryshme në vitet 2004-­2005 kur ai ende militonte në qeverinë Nano që unë e konsideroja një fatkeqësi kombëtare. Jemi gjendur antagonistë kur ai punonte me mish e me shpirt për të zgjedhur Ramën në krye të PS­së. Ashtu siç i kemi ndejtur njëri tjetrit përballë (ende janë në arkiva emisionet “Opinion”) kur ai mbronte koalicionin e 1 prillit me LSI­-në që unë e përjetoja më “zemërthyer” se i ndjeri DR Flori. Po ashtu nuk kam asnjë kompleks të thëm se e kam mbështetur publikisht, me shkrime dhe qëndrime divorcin e tij të pakthyeshëm me pushtetin arrogant, kleptokarat dhe bandit të Rilindjes. Kam ndarë pak a shumë të njëjtat qëndrime për kritikat e paepura ndaj Ramës dhe si një besimtar i palodhur i shembjes së partive të vjetra, kam qenë edhe pro krijimit të Libras.

Por, asgjë nga këto, absolutisht asgjë, nuk më ka yshtur asnjëherë për të shtrembëruar faktet, për të bërë pazar me të vërtetën, ashtu siç më akuzojnë mediat e kontrolluara nga Rama: pra se në “scoopin” e fotos me Lulëzim Berishën, ne tek Lapsi.al, qenkemi sjellë si miq të Blushit dhe jo si gazetarë. Dhe meqë mediat që Rama nuk i quan të kazanit e cekën këtë temë, dua t’i rikthehem edhe unë. Jo si shok i Blushit, as vetëm si gazetar, por si qytetar i këtij vendi, unë e quaj një skandal atë që pushteti i ka organizuar dje në fushatë kreut të Libras. Sepse ai qe një kurth sipas modelit kur “hajduti thërret kapeni hajdutin”. Sepse ai qe një kopje e shëmtuar shqiptare e spin doctors­ave që e kanë mësuar zanatin përmes serialit “House of cards”.

Çfarë ndodhi dje në Durrës? Ben Blushi kishte dalë në bulevardin kryesor të qytetit për fushatë. Ai qe aty për t’u përshëndetur me njerëzit pse jo dhe për t’u filmuar dhe fotografuar me ta. Kur në një moment, i’u afrua një njeri që mbante veshur një kostum sportiv të Italisë, njësoj si Edi Rama dhe i kërkoi një fotografi. Pasi pozuan i panjohuri e pyeti edhe se ku do t’a marrë foton. “Tek faqja e Libras në internet” i’u përgjigj Blushi. Në fakt njeriu me syze të mëdha dhe me kostumin blu të azzurrëve, nuk kishte nevojë për të pritur që fotoja të dalë në faqen e Libras. Siç u pa në filmimet e publikuara më pas, ai nuk do të priste shfaqen zyrtare të saj.

Sepse pak më poshtë ishin marrë masat që të ‘gjendet” një fotograf tjetër që tashmë e ka shkrepur aparatin. E njëjta foto brenda disa minutave u dërgua në Tiranë. Ajo menjëherë gjeti botimin në mediat që financohen nga zyra e shtypit të kryeministrit. Disa drejtues portalesh pohuan më vonë se, po nga kjo zyrë, janë kontaktuar dhe i kanë çuar linkun që duhej përhapur me shpejtësi. Por megjithëatë, problem nuk është përhapja, po organizimi i gjithë këtij “scoopi”. Le ta zëmë se personi me rroba sporti, Lul Berisha pra, i njëjti që Blushi me anë të disa fjalimeve e kishte akuzuar se ishte liruar nga burgu me ndihmën e Ramës dhe Vangjush Dakos, shkoi të fotografohet “rastësisht” tek akuzuesi i tij. Le ta zëmë po të doni se kjo nuk paskësh qenë edhe kaq e rastësishme, dhe se ai ka planifikuar t’i ngrejë një kurth të vogël politikanit që e kishte përgojuar në parlament.

Megjithëse kjo nuk është e besueshme, megjithëse të fortët tanë nuk janë kaq të rafinuar, le të besojmë për një çast tek ky version. Po si u lidh në pak çaste ish i dënuari për pesë vrasje me zyrën e Ramës në Tiranë? Pse ajo u vu në punë për të shpërndarë “scoop­in”? Pse ende pa u kthyer Blushi në Tiranë, mediat e financuara nga kryeministri e publikuan atë? Ata që “harrojnë” t’i bëjnë këto pyetje, sipas meje themelore, duan të fshehin kompleksin e tyre duke i’u vërsulur miqve të Blushit. Ata përpiqen t’i këkojnë kreut të Libras llogari duke pretenduar se ai duhet ta njihte patjetër atë që akuzon. Ata e marrin për të mirqenë që politikanët duhet të jenë të afërt me të fortët, edhe kur i përdorin edhe kur bëjnë teatër duke u shtirur sikur i sulmojnë. Kjo lojë perverse ka një qëllim të qartë.

Ajo kërkon t’i bëjë pis të gjithë njësoj, si ata që denoncojnë kriminelët, si ata që bashkëpunojnë me ta. Por, në dritshkurtësinë e tyre, organizatorët e kësaj farse, nuk llogaritën një gjë. Duke dashur që ta kthejnë Blushin në viktimë, ata e bënë dëshmitar të lidhjes së tyre okulte. Ata e shndërruan foton që u bë për të denoncuar, në një fakt që tregon se kush është në komunikim të vazhdueshëm me Lul Berishën. Në këtë kuptim, ngjarja që ndodhi dje në Durrës është një boomerang që ra mbi kokën e atyre që e organizuan.

Ajo është dëshmia më e qartë se kush bashkëpunon me basifondet e botës së errët. Ajo jep alarmin se këta që janë në pushtet kanë degraduar deri në atë pikë, sa mos t’i përdorin më të fortët për “punë të nderuara” si kërcënimi i kundërshtarëve dhe vjedhja e votave, por edhe për interesat perfide të propagandës së tyre malinje. Prandaj “scoop­e” si ky, sado të pisët qofshin, shërbejnë për të qartësuar më mirë këdo që do t’i drejtohet kutive të votimit në 25 qershor.

Prandaj ngjarje si kjo, janë dëshmi të gjalla për sejcilin që do të rreshtohet me krahun e kriminelëve, apo për kë do të jetë përkrah denoncuesve të tyre. Ndodhi të tilla, ndikojnë tek çdokush që të bëjë një zgjedhje. Ato janë pika e tepërt që derdhin gotën. Një efekt të tillë pati kjo ndodhi edhe tek unë, duke u bërë shtysa e fundit që do të më çojë të dielën e fundit të qershorit (pas plot 17 viteve) drejt kutisë së votimit. Jo thjeshtë si “shok” i Blushit, po si dikush që kërkon t’a luftojë me sa mundet pushtetin e banditëve.


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Po pse lodhesh kaq shumë mor analist. Tivduhetbtëmkuptosh se blushet, sfidat, pr -ja, pds apo psd etj janë bishti i kavallit. Ato partireza janë.për të patur.”bukë” ju anal-istet për të marrë shpërnlimet se ndryshe nuk krni gjë që të shkrusni
    Të shkretet ju që bashkoheni në.mes të ditës me njerëz të.panjohur
    Kaloni orë të këndshme, pastaj kujtoheni që nuk i njihni. Sa keq më vjen për ju që bëheni pre e. Mosnjohjes!!! Xyz

    Përgjigju ↓
  2. Ky scoop ne fakt eshte pjese e fytyres kriminale te Edi Rames dhe locos se tij ne Durres Dakos.Ata e liruan Lul Berishen per te realizuar agjenden e tyre kriminale gjate fushates zgjedhore dhe per te kryer dukshem krimin i veshen bluzen e Edit juventin duke sfiduar Ligjin ne menyren me publike
    ndodhi ajo qe pritej nga liirmi i krimineleve ne prag fushate por prisni s keni pare gje akoma

    Përgjigju ↓