EKONOMI

Biznesi kërkon ulje taksash dhe ministri të dedikuar

09:30 - 14.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Ornela MANJANI

Komuniteti i biznesit i bën thirrje klasës politike që me konfigurimin e qeverisë së re që do të dalë pas zgjedhjeve të 25 qershorit të krijohet Ministria e Tregtisë dhe Sipërmarrjes, kreu i së cilës të propozohet nga vetë biznesi. “Komuniteti i biznesit kërkon që në kompozimin e ardhshëm qeveritar, si pjesë e kabinetit qeveritar të jetë Ministria e Tregtisë dhe Sipërmarrjes, e cila të ketë në funksionin e saj hartimin e politikave tregtare, promovimin dhe mbështetjen e sipërmarrjes prodhuese dhe proceset e ardhshme të negocimit me jashtë për tregtinë”, – tha gjatë një konference për shtyp Luan Bregasi, përfaqësues i Forumit të Biznesit. “Forumi, – bëri të ditur ai, – do t’i përzgjedhë dhe propozojë kryeministrit të ardhshëm si ministër të kësaj ministrie tre kandidatura të përshtatshme nga individët më të spikatur në fushën e politikave të sipërmarrjes dhe rezervon të drejtën t’i kërkojë kryeministrit edhe marrjen e masave deri në shkarkimin e tij, kur nuk realizon objektivat e nuk justifikon besimin e sipërmarrjes. Në një zë, komuniteti i biznesit ka përgatitur një platformë për t’ua paraqitur forcave politike, me qëllim që të merret në konsideratë dhe të përfshihet në programin e tyre elektoral për pjesën ekonomike”. Bregasi tha se platforma e propozuar nga Forumi i Biznesit ka si synim zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm, i cili mbështetet në identifikimin dhe analizën e kapaciteteve, potencialeve dhe burimeve që ofron vendi ynë. Ndër propozimet janë hartimi i një modeli të zhvillimit ekonomik të vendit për një periudhë 10-15 vjeçare në konsultim të ngushtë me sipërmarrjen, bazuar në kapacitetet, potencialet dhe burimet që ofron vendi ynë, dhe duke e garantuar atë me miratimin në konsensus të gjerë politik të formalizuar në Kuvendin e Shqipërisë. Po ashtu, rritja e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare, duke pasur në vëmendje sektorët më prioritarë për të cilët duhen përgatitur menjëherë një sërë paketash lehtësuese me karakter ligjor, procedural, tatimor dhe tarifor. Tjetër propozim është përmirësimi i kuadrit rregullator procedural nëpërmjet identifikimit të gjithë listës së procedurave që prekin drejtpërdrejt aktivitetin e sipërmarrjes dhe fillimin e reformës për thjeshtëzimin e tyre, përmirësimin e klimës së investimeve dhe të bërit biznes nëpërmjet intensifikimit të komunikimit dhe konsultimit publik. Bregasi renditi si kërkesë edhe përmirësimin e politikave tregtare, duke mbajtur në fokus politikat mbështetëse mbi prodhimin vendas dhe nxitjen e eksporteve.
Sipërmarrja
Forumi i Sipërmarrjes Shqiptare, pas konsultimeve të vazhdueshme me të gjitha organizatat e biznesit, ka hartuar një platformë ekonomike, e cila iu adresohet të gjitha forcave politike dhe ku përfaqësohen interesat e sipërmarrjes private në Shqipëri. Kjo platformë ekonomike, e propozuar nga Forumi i Sipërmarrjes Shqiptare, ka për synim zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesave të biznesit, që mbështetet në identifikimin dhe analizën e kapaciteteve, potencialeve dhe burimeve që ofron vendi.
Kërkesa
“Në respektim të plotë të rolit dhe peshës që ka sipërmarrja private në zhvillimin e ekonomisë shqiptare dhe të detyrimit për ta përfaqësuar atë denjësisht në marrëdhëniet me forcat politike dhe qeverisjen, Forumi i Sipërmarrjes Shqiptare (Dhomat e Tregtisë dhe Shoqata e Sipërmarrjes Private), pas konsultimit të gjerë e të vazhdueshëm me të gjitha organizatat e biznesit, ka hartuar një platformë ekonomike, që përfaqëson interesat e sipërmarrjes private në Shqipëri. Këtë platformë ua adresojmë të gjitha forcave politike, pjesëmarrëse në zgjedhjet e 25 qershorit, në mënyrë që ta reflektojnë në programet e tyre ekonomike, gjatë fushatës elektorale. Platforma Ekonomike, e propozuar nga Forumi i Sipërmarrjes Shqiptare, ka si synim zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit, mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesave të biznesit, që mbështetet në identifikimin dhe analizën e kapaciteteve, potencialeve dhe burimeve që ofron vendi ynë”.
Strategjia për rritjen e punësimit
Rritja e punësimit duke u bazuar në Strategjinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, përmes identifikimit të potencialeve dhe burimeve që ofron territori dhe duke u mbështetur në cilësinë dhe standardin e sistemit të edukimit e formimit profesional. Rritja e punësimit duhet të jetë jo vetëm numerike, por e qëndrueshme, pasi duhet t’i përshtatet modelit të zhvillimit ekonomik 10-15 vjeçar. Kjo rritje duhet të vijë nëpërmjet përmirësimit të modelit të aftësimit universitar dhe atij profesional të bazuar në Kornizën Kombëtare të Kualifikimeve, duke rivlerësuar rolin që mund të luajë sipërmarrja në procesin e edukimit.

Propozimet e biznesit
Rritja e konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare është jetësore për sipërmarrjet private në mënyrë që të konkurrojë me sukses në tregun rajonal, europian dhe atë global. Është e rëndësishme të identifikohen sektorët prioritarë, për të cilët duhen përgatitur paketa lehtësuese me karakter ligjor, procedural, tatimor dhe tarifor, si:
1. Përmirësim i kuadrit ligjor dhe garantim i sigurisë ligjore
2. Përmirësim i kuadrit rregullator procedural
3. Përmirësim i klimës së investimeve dhe të bërit biznes
4. Hartim i politikave fiskale dhe përmirësim i sistemit tatimor dhe atij doganor
5. Ulje e moderuar e nivelit të TVSH-së dhe përshkallëzim në zbritje për disa sektorë specifikë
6. Përmirësim të politikave tregtare, duke mbajtur në fokus politikat mbështetëse mbi prodhimin vendas dhe nxitjen e eksporteve nëpërmjet:
7. Rishikimit të taksave vendore për industrinë prodhuese
8. Përmirësim të infrastrukturës publike
9. Përmirësim të cilësisë së shërbimeve publike
10. Heqje e TVSH-së për energjinë elektrike për sipërmarrjen prodhuese
11. Ulje e çmimit të lëndëve djegëse për sipërmarrjen prodhuese
12. Përmirësimit të procesit të inspektimit
13. Mbështetje për rritjen e cilësisë dhe standardit të prodhimeve shqiptare
14. Lehtësim i procedurave doganore dhe kufitare
15. Rritje e fondeve mbështetëse për promovimin e “Made in Albania”
16. Rritje e punësimit duke u bazuar në Strategjinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive, përmes identifikimit të potencialeve dhe burimeve që ofron territori dhe duke u mbështetur në cilësinë dhe standardin e sistemit të edukimit dhe formimit.
17. Përmirësim i Partneritetit Publik Privat si një nga elementët kryesorë të bashkëpunimit me sipërmarrjen private dhe garantimin e efikasitetit të politikave publike që prekin drejtpërdrejt ekonominë. Forumi sugjeron që forca politike që do të qeverisë vendin të marrë në konsideratë që, në kompozimin e ardhshëm qeveritar, të pranohet që pjesë e kabinetit qeveritar të jetë Ministria e Tregtisë dhe Sipërmarrjes, ministri i së cilës do të dalë nga propozimi i Forumit dhe të ketë të drejtën që të kërkojë edhe shkarkimin e tij.
Agrobiznesi, përpunimi agro-industrial dhe zhvillimi rural
1. Konsolidim i rrjetit ekzistues të Shoqërive të Bashkëpunimit Bujqësor
2. Rritje e ndërgjegjësimit të aktorëve ekonomikë
3. Rinovim i Parkut të Mekanikës Bujqësore
4. Evidentim i tokave bjerrë
5. Ulje e kostove për fermerët


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Pse kerkohet nje ministri per bisnesin kerkesa eshe mese normale.Ndersa kerkesa e dyte,mininistrine,ne fjale, ta drejtoni ju, eshte mese absurde.Pse? Votimet behen, se kush do t’i emeroj ministrat .

    Përgjigju ↓