Nuk di ç’të them më parë… Të martën morën tituj emra dhe jo emra. Mori dhe Gezim Myshketa, baritoni i mrekullueshëm, që nuk e ka prekur skenën shqiptare më shumë se gishtat e njërës dorë. Po hajde sevap gjithandje. Është hapur qesja e titujve. Mori dhe Anisa Markarjan. Ka bërë pesë role me numërim në kinemanë e viteve ’90.  Mjaftueshëm për titullin “Mjeshtër i Madh”?! Por mori dhe Redon Makashi, Eli Fara e Aurela Gaçe, që mesiguri janë turpëruar kur pas tyre e ka marrë dhe Rozana Radi. Aleksandër Gjoka e Elton Deda ju shpëtoi Zoti të mos ishit pjesë e kësaj estrade. Pale si mund të jenë bërë akorët e shkretë kur kanë parë të marrë titullin njëherësh Viktor Zhusti dhe Julian Deda. Këtu nuk po flas për xhelozi. Se ne shqiptarët përgjithësisht kemi xhelozi dhe për zogjtë që këndojnë, por po flas për merita, për vlera. Çfarë vlere kanë në kulturën shqiptare këta individë? Çfarë i kanë sjellë artit shqiptar, përveç tallavasë dhe humorit banal? Në çfarë kriteresh bazohen bordi, stafi a njerëzit e kësaj pune kur zgjedhin të shpërndajnë tituj.

Në rrjetet sociale pashë tangent që Rozana merrte titullin, dhe mendova me siguri do t’i kenë dhënë pas vdekjes titull Françesk Radit dhe po e merr Rozana. Por kur pashë, e kthjellët statuset kundër këtyre titujve dhe emrave konkretë të Rozanës e Julianit u shokova. Rozana je vajzë shumë e mirë, babaxhane, njeri që ke punuar për të arritur ku je… ke zgjedhur të bësh artin tënd, i cili fatkeqësisht është sezonal, pasi vetë ti ke zgjedhur të jesh komerçiale dhe deri më dje nuk më është dukur se ke pretenduar të dukesh ndryshe. Por sot më vjen keq për ty! Dhe më kujton atë humorin durrsak, ku i mbushën dajren me lekë (Fadil Hasës), por edhe pse nevojtar nuk dinte si t’i shpenzonte. Ndaj i ktheu pas! Rozana, të dua gjithmonë të mirën, por, po të isha në vendin tënd do t’a kisha refuzuar!

Kjo puna e titujve është bërë kaq e turpshme tani, sa të duket vetja e rëndomtë dhe kur komenton. E nisi ish Presidenti Bamir Topi dhe ka arritur pikun presidenti Bujar Nishani, që gëzoi që nga Bujar Cici e deri tek këngëtarët e lagjes, para se të kujtohej për të vlerësuar Frederik Ndocin. Kishte thënë mirë dikush në një portal “Tani nuk ka mbetur veç të dekorojë parukieren e gruas”!

Është e pandershme, e turpshme, e rëndë,  që me të njëjtin titull paradoksalisht vlerësohen në të njëjtën ditë; Albert Verria (pas vdekjes), Shehri Mita (pas vdekjes), Vasillaq Vangjeli (pas vdekjes), Kujtim Laro (pas vdekjes), të cilët do ktheheshin përmbys dhe në varr po ta dinin çfarë titulli pa vlerë u është dhënë!

Bordo.al