EKONOMI

Ish-të përndjekurit, Vukaj: Gati kësti i 8 për 600 përfitues

09:30 - 15.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela MANJANI




Ministrja e Financave, Helga Vukaj; ministrja e Mirë-qenies Sociale, Xhulieta Kërtusha dhe shoqata e ish-të përndjekurve politikë kanë zhvilluar dje një takim në lidhje me informimin e përfituesve për pagesat e kësteve të radhës. Ministrja Vukaj ka bërë të ditur se është gati një listë me 600 përfitues, të cilët do të marrin këstin e tetë dhe të fundit brenda kësaj jave. Nga ana e tyre, ish-të përndjekurit kanë kërkuar të hapet një zyrë për informimin e përfituesve në lidhje me ecurinë e dosjeve dhe pagesat e kësteve. Përfaqësuesi i shoqatës së të përndjekurve, Simon Miraka, shprehet se gjatë takimit është diskutuar edhe në lidhje me vonesat për pagesën e këstit të dytë të trashëgimtarëve. Përfaqësuesit e Ministrisë së Financave kanë bërë të ditur se shumë shpjet do të nisin pagesat edhe për këtë kategori përfituesish. Ndërkohë që do të hartohet një listë me përfituesit që nuk kanë marrë ende asnjë këst të dëmshpërblimit. Ministrja Vukaj garantoi ish-të përndjekurit se do të ndjekë në mënyrë të detajuar ecurinë e këtij procesi në të gjitha hallkat e tij. Ajo i informoi ata për hapjen e linjës së dedikuar telefonike, si dhe u premtoi sistemimin e kaosit që shkaktohet nga publikimet e pasakta.


Takimi
Ministrja e Financave, Helga Vukaj priti dje në një takim përfaqësues të shoqatave të ish-të përndjekurve politikë. Shpërndarja e drejtë dhe e shpejtë e dëmshpërblimit për këtë shtresë të vuajtur të shoqërisë shqiptare si dhe eliminimi i pengesave artificiale dhe vonesave të pajustifikuara gjatë këtij procesi ishin në qendër të këtij takimi. Vukaj informoi përfaqësuesit e ish-të përndjekurve se ka kërkuar informacion të detajuar nga drejtoria përkatëse në Ministrinë e Financave rreth ecurisë së shpërndarjes së kësteve të dëmshpërblimit. Ajo ndau me ta shqetësimin e përbashkët se ky proces po shoqërohet nga vonesa të vazhdueshme, të cilat tashmë janë kthyer në fenomen. “Nuk është e drejtë që pas kalvarit të burgjeve gjatë regjimit komunist, ju të përballeni me kalvarin e vonesave dhe pengesave artificiale në marrjen e asaj që ju takon ligjërisht”, – tha Vukaj.
Kërkesat e ish-të përndjekurve
Përfaqësuesit e ish-të përndjekurve thanë se gjatë 3 viteve të fundit ka një çoroditje totale të procesit të dëmshpërblimit. Ata theksuan pamundësinë e marrjes së informacioneve nga strukturat përkatëse të ngritura për këtë qëllim dhe kaosin që shkaktohet në radhët e përfituesve nga publikimet e pasakta. Më konkretisht, ata kërkuan lëvrimin e shpejtë të këstit të 8-të për përfituesit që janë gjallë, një pjesë e të cilëve janë mbi 80 vjeç. Po ashtu, ata ngritën shqetësimin e dëmshpërblimit për trashëgimtarët e ish-të burgosurve politikë, një pjesë e madhe e të cilëve nuk kanë arritur të marrin as këstin e dytë të dëmshpërblimit, megjithëse ishte premtuar që ky këst do të shpërndahej brenda vitit 2016. Po ashtu, ata ngritën shqetësimin për shtresën e të internuarve në vitet ’45-’54, ndaj të cilëve nuk ka filluar akoma dëmshpërblimi, megjithëse një gjë e tillë parashikohet në ligj.

Gjashtë kategoritë
I Për kategorinë e parë parësore janë ish-të dënuarat politike gra, që jetojnë dhe ish-të dënuarit politikë, që jetojnë mbi 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji. Për kategorinë e gjashtë parësore, ish-të dënuarit politikë që jetojnë që kanë moshë nën 75 vjeç me hyrjen në fuqi të këtij ligji.
II Për kategorinë e tretë parësorë janë ish-të dënuarit politikë, të cilët vuajnë nga sëmundje të rënda.
III Për kategorinë e katërt parësorë janë ish-të dënuarit politikë që jetojnë në momentin e dhënies së pagesës, të cilët pavarësisht nga mosha, kanë pasardhës të radhës së parë në moshë të mitur, me hyrjen në fuqi të këtij ligji.
IV Për kategorinë e pestë janë parësorë ish-të dënuarit politikë që nuk jetojnë dhe që kanë trashëgimtarë të radhës së parë, të cilët janë në moshë të mitur.
V Kur ish-i dënuari politik që jeton ose trashëgimtari ligjor humbet zotësinë juridike për të vepruar, me vendim gjykate i është përcaktuar kujdestari ligjor, në këto raste veprimet nga Ministria e Financave bëhen në emër të personit me këtë të drejtë.
VI Ish-të dënuarit politikë që jetojnë ose trashëgimtari ligjor kanë të drejtë ta delegojnë me prokurë të posaçme tërheqjen e dëmshpërblimit financiar. Në këto raste, veprimet nga Ministria e Financave kryhen në emër të personit me këtë të drejtë.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Likujdimi i ish te perndjekurve eshte gjeja me e mire qe beri qeveria Rama. Ministrja e re teknike ben shume mire qe po zbaton ate qe lane gati paraardhesit e saj

    Përgjigju ↓