EKONOMI

Tatimet/Falja për bizneset, fshihen detyrimet për 105 mijë subjekte

10:00 - 15.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play


Ornela MANJANI




Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka fshirë detyrimet për 104 mijë subjekte, të cilat kanë përfituar nga ligji i faljes. Përfituese janë bizneset që janë gjobitur automatikisht për mosdeklarim në kohë të punonjësve. Ndërkohë, bizneset bizneset që duan të përfitojnë nga falja e gjobave duhet të dorëzojnë ‘online’ pesë dokumente brenda datës 30 qershor.
Njoftimi
105 mijë subjekte përfitojnë nga ligji që në ditën e parë të ekzekutimit automatik të fshirjes së detyrimeve. Në zbatim të ligjit “Për Pagesën dhe fshirjen e pjesshme të detyrimeve tatimore, doganore, si dhe procedura e heqjes nga qarkullimi të mjeteve të transportit” dhe Udhëzimit të Ministrisë së Financave në zbatim të tij, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve po vijon me implementimin dhe zbatimin korrekt të ligjit. Gjatë ditës së djeshme kanë përfituar nga fshirja automatike rreth 105,047 tatimpagues si në status aktiv edhe në atë pasiv, të cilët kanë pasur në ngarkim gjoba për deklarim të vonuar të deklaratave tatimore, të tilla si: deklarata individuale vjetore e të ardhurave, deklarata të TVSH-së, deklarata për destinimin e fitimit, listëpagesë e TAP, deklaratë Tatim Fitimi/Tatim i Thjeshtuar i Fitimit etj. “Ftojmë të gjithë tatimpaguesit të kontrollojnë llogarinë e tyre elektronike për të konfirmuar nëse kanë përfituar nga kjo fshirje. Nëse tatimpaguesit vlerësojnë se përfitojnë nga kjo falje dhe nuk konstatojnë fshirjen e gjobave në llogarinë e tyre, të kontaktojnë pranë zyrave të shërbimit të tatimpaguesve. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve u bën edhe njëherë thirrje të gjithë tatimpaguesve të dorëzojnë deri më 30 qershor çdo deklaratë të padorëzuar më parë, në mënyrë që të përfitojnë nga fshirja automatike e penaliteteve për to”, – thuhet në njoftimin e Tatimeve. Procesi i fshirjes automatike do të vijojë hap pas hapi me çdo zë që parashikon legjislacioni në fjalë. Për çdo rast, tatimpaguesit do të duhet të konsultohen me legjislacionin lidhur me detyrimet që përjashtohen nga falja. Informacioni i plotë i ligjit dhe udhëzimit të Ministrisë së Financave gjendet i publikuar në faqen zyrtare të tatimeve www.tatime.gov.al në rubrikën “Legjislacioni”.

BORXHI TATIME DHE DOGANA
172.50 mld lekë totali i borxhit deri në 31 dhjetor 2016.
147.7 mld lekë borxh tatimor 1996-31 dhjetor 2016.
24.8 mld lekë borxh doganor 2000-31 dhjetor 2016.

BORXHE QË FSHIHEN 2011-2014
29.52 mld lekë detyrime që fshihen pa kusht.
61.45 mld lekë detyrime që fshihen me kusht.
34.96 mld lekë principal për t’u paguar si kusht
53 mld lekë detyrime fshihen nga tatimet.
8.25 mld lekë detyrime fshihen nga doganat.

Gjobat që fshihen
1. Fshihen detyrimet për periudhën para dhjetorit 2010, pra detyrimet që janë mbi gjashtë vjet. Këto detyrime do të fshihen për të gjithë individët, personat fizikë dhe juridikë, që kanë detyrime të papaguara sipas kushteve të përcaktuara nga ky ligj. Totali i detyrimeve që fshihen pa kushte është 29.4 miliardë lekë.
2. Pagimi i detyrimeve tatimore për vitin 2011, 2012, 2013 dhe 2014, duke afruar incentivën e heqjes së gjobave dhe kamatave, nëse paguhet tatimi brenda gjashtë muajsh. Gjithsesi, ne në Komision do të propozojmë që periudha gjashtë muaj të shtyhet deri në 31 dhjetor të vitit 2017, pra duke i dhënë sipërmarrjes gati nëntë muaj kohë që të përfitojë nga ligji. Totali i gjobave dhe kamatëvonesave që falen me kusht është 62.6 miliardë lekë. Totali i tatimit të pritshëm për t’u arkëtuar si rezultat i faljes së penaliteteve dhe kamatave është 35 miliardë lekë.
3. Në lidhje me kontributet e sigurimeve shoqërore do të fshihen vetëm gjobat dhe kamatëvonesat, jo detyrimet për kontribut.
4. Fshihen detyrimet tatimore të qeverisë qendrore dhe asaj vendore dhe detyrimet e pagueshme në doganë.
5. Fshihen gjobat automatike për deklarim të vonuar, gjobë 10 mijë lekë për çdo deklaratë të dorëzuar me vonesë. Kjo masë vihet me implementimin për herë të parë (nëse ju kujtohet në qershor të 2016), të këtyre gjobave automatike nga sistemi i ri i tatimeve dhe për mosdeklarimin në afat, kryesisht të bizneseve të vogla. Pra, kemi një problem masiv që duhet rregulluar, sipërmarrja e vogël, biznesi i vogël duhen lehtësuar. Paralelisht kemi bërë edhe zgjatjen e afatit të deklarimit në ligj. Efekti i përafërt i gjobave është 250 milionë lekë.
6. Fshihen gjithashtu, gjobat referuar neneve të shfuqizuara nga Gjykata Kushtetuese.
7. Fshihen gjobat për kompanitë e kasave fiskale në periudhën e fushatës anti-informalitet që ka filluar në shtator të vitit 2015.
8. Fshihen detyrimet e sektorit elektro-energjetik shtetëror për vitin 2011-2013, si rezultat i kontrolleve dhe penalizimeve nga administrata fiskale. Efekti është 8.2 miliardë.
9. Fshihen detyrimet e sektorit shtetëror ujësjellës-kanalizime për vitet 2011-2013. Efekti është 370 milionë lekë.
10. Fshihen efektet tatimore për detyrime si pasojë e lëshimit jo brenda të njëjtës periudhë tatimore të kryerjes së furnizimit, të dokumentit që vërteton përjashtimin nga TVSH-ja, ose si pasojë e moslëshimit të këtij vërtetimi, me kusht që në çdo rast aplikimi pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore të jenë paraqitur deri në 31.12.2014. Ky është një rast specifik i trashëguar nga viti 2012, që nëse do të avancohej në bazë të legjislacionit aktual, gjobat dhe dëmet e shkaktuara nga papërgjegjshmëria e administratës publike do të ishin në kurriz të sipërmarrjes në vlera marramendëse deri në 210 milionë dollarë, nëse do të materializoheshin.
11. Fshihen detyrimet e pagueshme në doganë për TVSH-në e shtyrë dhe të papaguar për makineritë dhe pajisjet, importimi i të cilave është përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar sipas listës përkatëse në fuqi deri në 31.12.2016. Efekti është rreth 1 miliard lekë.
12. Përdorimi i krediteve apo mbipagesat që mund të kenë subjektet për të kompensuar fshirjen e detyrimeve tatimore sipas parimit që nëse është njëkohësisht debitor dhe kreditor, do të bëhet kompensimi tyre dhe më pas nëse ligji e parashikon si rast, do të bëhet fshirja e detyrimit të mbetur.


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Po, ne sistem eshte fshire cdo gjobe per deklarim te vonuar deri ne daten 31.12.2016. Ky eshte nje super lehtesim per biznesin sepse shume prej atyre gjobave jane nga padituria apo neglizhenca dhe shume prej boizneseve nuk kane mundesi per ti paguar

    Përgjigju ↓
  2. Kjo falje e ketyre detyrimeve qe skishin per tu mbledhur ndonjehere ndihmon ne realizimin e nje buxheti me te sakte dhe me realist. E konsideroj shume pozitive miratimin e ketij ligji sepse ne thelb largon ate konceptin e ngarkimit te biznesit me gjoba te kota vetem per tu paraqitur si te ardhura qe priten te arketohen. Me mire nje zerim te atyre gjobave qe shpesh konsiderohen te padrejta nga biznesi per shkak te mosfunksionimit te sistemit dhe per pasoje e nuk paguhen. Falja e tyre sjell nje vleresim me te sakte te te ardhurave ne buxhet. Ato arketime qe priten te mblidhen tani jane reale

    Përgjigju ↓