AKTUALITET

DETAJE/ Vrasja e komisar Artan Cukut, autori Mikel Shallari e qëlloi me dy armë

11:13 - 15.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




 

Xhensila KODRA 

 

Ndonëse Mikel Shallari, i akuzuari për vrasjen e Artan Cukut, vijon të mohojë autorësinë e krimit duke “kyçur” gojën, policia dhe prokuroria vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Hetimet nuk janë përqendruar vetëm në identifikimin dhe kapjen e personave që porositën vrasjen, apo edhe në kapjen e personave të tjerë që kanë bashkëpunuar me 24-vjeçarin nga Kuçova, si dhe në motivin e aktit të rëndë, por edhe për të saktësuar misterin e dy armëve të ndryshme që qëlluan ndaj komisar Cukut. Për këtë fakt, burime të besuara pranë grupit hetimor bënë dje me dije për “Gazeta Shqiptare” se kanë prova të forta se të dyja armët e përdorura për vrasjen janë shkrepur nga Mikel Shallari. Sipas të njëjtave burime, nga provat e mbledhura në vendin ku ndodhi krimi, si dhe nga pamjet e kamerave të sigurisë, është vërejtur se pas hyrjes së Cukut, në pallatin ku ai banonte, i vetmi person që ka hyrë pas tij ka qenë Mikel Shallari. Nga ana tjetër, burimet shtuan më tej se si motiv për vrasjen e Cukut, edhe pse si akuzë ndaj autorit kanë ngritur atë për gjakmarrje, hetimet janë përqendruar edhe për shkak të punës që ish-zyrtari i lartë i Policisë së Shtetit ka kryer gjatë kohës që ka punuar në Fier e në Vlorë, por edhe në disa qytete të tjera të vendit. Ndërkaq, me anë të metodave speciale të hetimit, grupi hetimor ka identifikuar si bashkëpunëtorë të 24-vjeçarit edhe dy persona të tjerë, për të cilët ka dyshime se janë larguar jashtë vendit. Verifikime janë duke u bërë edhe për incidentin e ndodhur në vitin 2005 në zyrën e Cukut, kur ky i fundit punonte në Komisariatin Nr. 4 në kryeqytet.

Në atë kohë, Agim Daka nga Shkodra kreu vetëvrasje me armën e shërbimit të Cukut. Ndërsa prokurori i çështjes, Henrik Ligori, tha dy ditë më parë në seancën e caktimit të masës “arrest me burg” për Shallarin, se hetimet janë duke u përqendruar edhe në ndonjë konflikt të mundshëm që Cuku mund të ketë pasur gjatë kohës që drejtonte një shoqëri ruajtjeje fizike.

Mbrojtje familjes së Mikel Shallarit

Burimet e lartpërmendura sqaruan se, edhe pse i riu nga Kuçova, i cili prej disa muajsh jetonte me familjen e tij në Tiranë, nuk është treguar i gatshëm të bashkëpunojë me drejtësinë, të afërmve të tij u është ofruar mbrojtje policore. Që prej ditës së arrestimit të Mikel Shallarit, familjes së tij iu ndryshua vendi ku banonin, si dhe për ruajtjen e tyre janë vendosur dy punonjës së policisë, për t’u siguruar nga ndonjë përplasje e mundshme që ata mund të kenë. Pas prangosjes së 24-vjeçarit, hetuesit kanë marrë në pyetje edhe familjarët e tij, të cilët kanë pohuar se nuk kanë parë asgjë të dyshimtë në sjelljen e Mikelit, dhe se nuk kanë asnjë dijeni për atë që mund të ketë ndodhur. Artan Cuku ishte baba i dy fëmijëve, zyrtar me një karrierë 16-vjeçare në radhët e Policisë së Shtetit. Ai u ekzekutua mbrëmjen e 8 prillit të këtij viti, në hyrje të pallatit ku banonte, në “Rrugën e Kosovarëve”, në afërsi të Liqenit Artificial në kryeqytet.

 

 

 

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.