KULTURË

“Detail”, Endri Dani në revistën ndërkombëtare të arkitekturës

17:56 - 16.06.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play




Artisti shqiptar Endri Dani ka tërhequr vëmendjen e revistën ndërkombëtare të arkitekturës, “Detail”. Revista botohet në Londër dhe shpërndahet në disa vende të botës.  Artikulli për Danin, “Making of the post new human”!” merr shkas nga paraqitja e tij në Bienalen e Indisë. Në revistë, punës së tij me titull “182 cm” i kushtohet një artikull ku krahas imazhit të artistit shqiptar, gjejnë vend edhe ato të projektit të tij. “182 cm” është një projekt fotografik që Dani e ka realizuar përgjatë 4 viteve në të gjithë Shqipërinë.  Artisti e bën veten objekt, duke u shfaqur në hyrje pallatesh që dikur përfaqësonin grinë e komunizmit, e sot, ngjyrat që rreken ta fshehin arkitekturën e kahershme pa mudnur ta zhbëjnë, as kujtesën as formën.

“182 cm” është një seri fotografish ku artisti portretizon veten duke qëndruar nën hyrjen e blloqeve të banimit të ndërtuara gjatë diktaturës komuniste pas Luftës së Dytë Botërore. Ai përshtatet në mënyrë të përkryer nën hyrje, gjatësia e tij është e njëjtë me atë të objekteve arkitekturore, çka në një farë mënyre, tregon homogjenitetin e këtyre ndërtesave, ngjashmërinë me të cilën grupe të mëdha njerëzish detyroheshin të jetonin nën sundimin totalitar, e si për ironi, vijojnë ta bëjnë edhe sot. Këto imazhe përfaqësojnë gjithashtu një mënyrë se si njerëzit e shmangin këtë homogjenitet, duke i përshtatur këto struktura në shtëpi që pasqyrojnë shijet dhe dëshirat e tyre. Dani ka marrë pjesë në edicionin e tretë të Kochi-Muziris Biennale. Ky event i njohur i artit bashkëkohor zhvillohet në një nga metropolet moderne/kozmopolite të Kochi-t, me të kaluarën e vet mitike, Muziris, duke krijuar tashmë një platformë të qëndrueshme kulturore e cila, në dhjetor prezantoi 68 artistë bashkëkohorë ndërkombëtarë.

Kochi është një qytet i lashtë në jug të Indisë, me mitologji të fshehura nën shtresat e baltës rezistoi pas një përmbytje masive në shekullin e 14-të. Ky edicion i bienales erdhi nën titullin “Forming in the pulin of an eye” (Formuar në beben e syrit) kuruar nga artisti Indian Sudarshan Shetty. Bienalja kërkoi të mobilizojë një gjuhë të re të kozmopolitanizmit dhe modernitetit, që është rrënjosur në përvojën e jetuar e manifestohet në aktin e krijimit duke dialoguar intensivisht me portin e vjetër tregtar, i cili për më shumë se gjashtë shekuj, ka qenë lidhës i identiteteve të shumta, pluralizmit kulturor dhe multikulturalizmit. Kochi-Muziris Biennale mes të tjerësh, ka prezantuar emra të rëndësishëm të artit bashkëkohor si: Yoko Ono, Mona Hatoum, Anish Kapoor, Ai Weiwei, Alfredo Jaar, Jannis Kounellis… ndërsa në këtë edicion gjejmë artistë të njohur si: Aki Sasamoto, Alicja Kwade, Stan Douglas, Camille Norment, apo Dia Mehta Bhupal. (fa.ni)


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.